Recetat e rimbrusimit, ISKSH kontroll online

Sep 10, 2011 | 11:54
Drejtoresha e ISKSH, Elvana Hana

Brenda 48 orëve do të kontrollohen të gjitha recetat për barnat me rimbursim që ekzekutohen në farmaci. Më parë, për të kryer këtë proces, duheshin të paktën 50 ditë. Tashmë gjithçka falë projektit më të fundit që ka përfunduar ISKSH për hedhjen online të tyre në një sistem të posaçëm informatik. Drejtoresha Elvana Hana u shpreh se falë këtij sistemi, ISKSH brenda 48 orësh kontrollon të gjitha recetat e rimbursueshme që ekzekutojnë farmacitë që ka lidhur kontratë me këtë institucion. “Ky projekt mundësoi lidhjen në kohe të shpejtë të rreth 96% të të gjithë shërbimit farmaceutik të kontraktuar në të gjithë vendin, duke siguruar në këtë mënyrë informacion në kohe reale dhe të përditësuar në lidhje me aktivitetin e farmacive, me rimbursimin e medikamenteve të listës, duke realizuar në të njëjtën kohë kontrolle me eficiente, shpejtësi në vendimmarrje dhe transparencë më të gjerë në transaksionet tona financiare me këta ofrues”, tha në një konferencë për shtyp drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana. Sipas saj, ky projekt ka krijuar një regjistër qendror online të farmacive. Regjistri ka të dhëna identifikuese, të dhëna për të kontaktuar me farmacinë, si dhe statusin e kontratës. Hana shtoi se shumë shpejt synohet gjithashtu përfshirja në sistemin ‘E-Farmaci’ të recetave për listën e barnave të shtrenjta. Një ndër projektet që ISKSH aktualisht po punon është ai i ndërtimit dhe funksionimit të sistemit të integruar të informacionit të skemës sociale të sigurimeve shëndetësore. Përfundimi i projektit për sistemin e integruar të informacionit dhe implementimi i tij do të bënin të mundur transformimin e ISKSH në një blerës real të paketave të shërbimeve shëndetësore.

© Panorama.al

Te lidhura