Receta qeveritare për protestat e opozitës…

Feb 14, 2026 | 8:04

Xhevat Mustafa

NGA XHEVAT MUSTAFA

Ndryshe nga “receta” qe veritare, jo pas një konsulte disaorëshee të një ekipi mjekësh elitarë, demokratët me apo pa tesera të PD-së dhe antiqeveritarët e tjerë, që ndjejnë shqetësim dhe përgjegjësi më shumë për të ardhmen e Shqipërisë e të shqiptarëve se sa të PD-së dhe opozitës, i paramendojnë dhe i duan protestat e opozitës si koalicion apo si front, as më shumë e as më pak se e si ato në vende dhe popuj, që edhe në Europë dhe jo më larg se 2 muaj më parë, (Bullgari), kanë rrëzuar qeveri me protesta të pandërprera, për javë e për muaj të tërë! Mundësisht, edhe pa viktima në njerëz, në humbje jetësh, nga protestuesit dhe nga forcat e rendit…!

Merret me mend se shmangia e viktimave njerëzore varet, përcaktohet, pritet… nga Rama-qeveria, e cila për të ruajtur fronet e pushtetit, mund të shkaktojë viktima me duart dhe armët e policëve, forcave speciale e të “misionarëve” të përzgjedhur dhe të angazhuar për këtë qëllim, me apo pa uniformë…! Nga protestues të shumtë u pa qartë se më shumë molotovë u hodhën mbi kokat e tyre nga godinat qeveritare se sa hodhën disa prej tyre në drejtim të forcave policore e speciale në mbrojtje të tyre. Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, në konferencën për mediat më 11 shkurt 2026, lidhur me protestën e PD-së dhe opozitës, ndoshta nga alergjia personale që ka për PDnë, opozitën antikomuniste e antisocialiste, sidomos ndaj Berishës individualisht, nuk e kontrolloi veten dhe u bë qesharake.

Pasi minimizoi pjesëmarrjen në protestën e 10 shkurtit, “harroi” se shumica e shqiptarëve dhe e kryeqytetasve e kanë parë atë protestë me sytë e veta ose nga transmetimet ‘live’ dhe pas përfundimit, në kronika të zgjeruara në emisione televizive lajmesh. Prandaj, pjesëmarrjen e saktë mund ta vlerësojnë me sytë e veta të ballit e jo të një ministreje të një qeverisjeje, që ka 81 vjet që mashtron paturpësisht shqiptarët dhe ndërkombëtarët për “parajsën shqiptare”, edhe duke tejfryrë shifrat e “fitoreve” të veta dhe duke tejzvogëluar ato të vendeve “të kampit imperialist dhe kapitalist”!? Po kështu, ministrja Koçiu, “harroi” të kujtonte se protestat e partisë së saj të zemrës, votës, pagës, përfitimeve të tjera… në vitet kur ka qenë në opozitë, sidomos më 1997, më 21 janar 2021… kanë qenë shumë më të dhunshme dhe me dëmtime shumë më të mëdha për forcat e rendit dhe ato speciale, në godinat qeveritare, në mjedise tregtare dhe shërbimesh, në trotuare dhe në rrugë…!

Edhe më shumë qesharake, ministrja Koçiu u bë kur kërcënoi liderin e PD-së dhe shtabin organizues dhe drejtues të protestës, ngjashëm si më 1991 paraardhësi dhe bashkëkrahinasi i saj, Gramoz Ruçi protestuesit në Shkodër, Kavajë, Tiranë… Kulmi u arrit kur ajo i dha opozitës “recetën” se si mund të bëhen protestat e ardhshme, domethënë “protestat paqësore”, që nënkuptohet, duhet vetëm sa t’i gudulisin në këmbët e froneve Edi Ramën me shoqe e shokë! Duke u larguar nga ministrja Koçiu si individ dhe institucion apo dikaster, nga qeveria kërkohet që të merret shumë më tepër me vetveten si parti e si qeverisje. Së pari, do t’i bënte vetëm të mira vetes dhe vendit, nëse arrin të kuptojë dhe pranojë se e ka mbushur kupën e gjëmave mbi këtë popull dhe kupën e korrupsionit, për multimilionarizimin apo sheikizimin e tyre; të bizneseve me copa dhe interesa kombëtare; të skandaleve dhe orgjive politike e morale allasoros e allaepstein…! Është për keqardhje dhe turp, jo vetëm për atë çka mbetur akoma PS, që jo pak kabinete dhe zyra pushtetarësh të lartë e të mesëm janë bërë si suita e dhoma gjumi apo hotelesh, me WC moderne dhe vaska të gjëra!? Apo, si salla kazinosh dhe pazaresh të pistë dhe antikombëtarë, për disa pushtetarë dhe partiakë të lartë “rilindas” apo edramistë…!

Domethënë, apo më shqip, pasi janë pasuruar për të paktën 1000 vjet, të kuptojnë dhe pranojnë se ka ardhur ora apo dita, që të bindin njëri-tjetrin dhe ekipet politikë dhe qeverisës se duhet të pranojnë dorëheqjen pa shkaktuar dhunë, dëme të mëdha materiale dhe viktima në jetë njerëzish, si me shembull më të keq e më të freskët, në Iran, me dhjetëra mijëra viktima…! Është e pashmangshme se gjaku i këtyre protestuesve do t’i përmbysë shpejt apo pak më vonë sundimtarët anakronikë e katilë të këtij vendi aziatik, me tradita të pasura për veten dhe me kontribute të shquara për mbarë botën! Duke mos e quajtur të nevojshme të kujtojmë rastet e shumta të dorëheqjeve në 10 vitet e fundit, me apo fare pa protesta në shumë vende, në të gjithë kontinentet, përsëri, kujtesa e tyre, qoftë edhe e mjegullt, ndihmon të arrihet në bindjen se edhe Edi Rama me shoqe dhe shokë nuk do të jenë as të parët e as të fundit në traditën e dorëheqjes në mënyrë paqësore!

Gjithashtu, dorëheqja e tyre nuk do të jetë as fundi i partisë, Shqipërisë dhe i botës…! Është thjesht dhe krejt një traditë e moçme demokratike, botërore dhe shqiptare! Edhe një akt apo veprim, që shpreh emancipim demokratik, intelektual, qytetar…! Sa më shpejt e sa më lehtë të vijë kjo ditë, aq më mirë do të jetë për Shqipërinë, shumicën e shqiptarëve, përfshirë edhe shumicën e socialistëve të thjeshtë! Sepse, edhe këta, prej 12 vitesh, ashtu si dhe opozitarët dhe qytetarët jo partiakë, jetojnë me paga e pensione allashqiptare dhe me çmime 50-100% më të larta se në Gjermani dhe vende të tjerë…! Edhe më keq: me cilësi të ulët apo të rrezikshme nga përbërësit me doza të larta aflatoksine, hormonesh, vajrash… Nënkuptueshëm: shumica e shqiptarëve janë me sytë nga Surreli, Uashingtoni dhe Brukseli, në pritje të ankthshme të një veprimi dhe vetëdetyrimi të shumëvonuar, si dorëheqja e kabinetit Edi Rama, jo e imponuar nga ndikimi i njëkohshëm i protestave dhe i presioneve nga Uashingtoni dhe Brukseli! Ndryshe nga sa i është dukur ministres Albana Koçiu, edhe më 10 shkurt 2026, sheshi para Kryeministrisë u mbush plot!

Problemi dhe pyetja e vjetër është: a u janë mbushur mendjet plot Berishës me shoqe e shokë si dhe shumicës së protestuesve se Edi Rama me çeta apo banda nuk ikin nga fronet e pushtetit dhe nuk i dorëzojnë thesaret me miliona euro korrupsioni dhe biznesesh me copa Shqipërie dhe interesa kombëtare, me fjalime dhe ca molotovë, sa për ca flakë dhe re tymi, më shumë për t’i hedhur hi syve… vetvetit dhe pa ia fut tmerrin deri në palcë, “mbretit”? Domethënë, protestuesit e lodhur e të zhgënjyer, me të drejtë, mund t’u kenë thënë njerëzve të tyre në shtëpi ose shokëve e miqve të nesërmen, të pasnesërmen… nëpër kafene: “E mbushëm sheshin përsëri, por Edi Rama mbeti po si mbret në Kryeministri, pa u parashikuar me saktësi deri kur, nga Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij…”. Nga ana e tyre, PD-Berisha dhe liderët e partive të tjera të opozitës, jo krejt pa të drejtë apo jo krejt subjektivisht mund ta vlerësojnë këtë protestë, kapur te masiviteti, agresiviteti apo radikalizmi në fjalime dhe disa veprime e akte si dhe nga jehona e gjerë në mediat ndërkombëtare, si të suksesshme dhe si fitore të frontit opozitar! Nënkuptohet, sipas një tradite dhe mendësie mbi 35-vjeçare se kush mendon dhe shprehet ndryshe, kush e interpreton si një manifestim të radhës, sa për të shtuar listën e protestave, që nuk ia prishi qejfet e mbrëmjes dhe gjumin Edi Ramës, Linda Ballukut dhe tufës së tyre partiake dhe qeveritare, “është anti-PD”, “antiberishian”, sorosian, edramist…! Fatkeqësisht, edhe në messhkurt 2026, kritikat, edhe kur shumica janë objektive, dashamirëse, konstruktive, të dobishme… në gjirin e saj apo në media, për kryesinë e PD dhe për Berishën si kryetar quhen si të dëmshme, sepse nuk janë në “kohën e duhur”!? Por, këta harrojnë se “këshilla”, avazi, refreni… “nuk është koha e duhur për kritika të PD dhe Berishës”, për gabime në veprime dhe qëndrime me rëndësi, sidomos për kritika me qëllim të vetëm t’i bëhet mirë asaj si forcë politike dhe shumicës së shqiptarëve e të vendit. Kanë 35 vjet që dëgjohen, zbatohen, duke dëmtuar të parën dhe më shumë vetë PD-në, katandisur prej të paktën 10 vitesh në gjendje kritike. Pas saj e jo më pak janë dëmtuar edhe ushtritë e anëtarësive dhe të votuesve të saj.

Natyrshëm, këtyre demokratëve alergjikë ndaj kritikave mund t’u drejtojmë pyetjen: kur do të vijë “koha e duhur”? Pas humbjes së radhës më 2029? Apo pas vdekjes së Berishës, që si njeri e pastë sa më të largët, edhe pas 100 viteve? Gjithashtu, gjykoj se shumica e shqiptarëve demokratë, me apo tesera të PD-së, nuk mendojnë dhe nuk duan që pas ikjes, me dorëheqje të vullnetshme ose të detyruar, të kësaj qeverie të vetëdjegur e matufepsur, qysh në moshat 40-60 vjeç, të vijë një qeveri “më e mplakur”, jo si moshë, por nga strategjia, përbërja, vizioni, veset, zakonet…! Edhe me njolla të freskëta e të pafshishme shpejt dhe lehtë nga moçalet e sorosianizmit, të tenderave, koncesioneve, lejeve të ndërtimit dhe të flirteve biznesore dhe politike të llojeve, ngjyrave dhe erërave të ndryshme… E vështirë me i gjet “të virgjër” në këtë vend, shndërruar si në një “shtëpi publike” për kurvëri politike, partiake, biznesesh, milionash, përftimesh të shumëllojshëm. Por, jo krejt e pamundur!

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura