Festivali i Filmit të të Drejtave të Njeriut shënon sot ditën e tij të tretë. Në programin e ditës së sotshme parashikohet shfaqja e disa filmave artistikë e dokumentarë. Një ndër ta është “Heshtja e artë”, me regji dhe skenar të Maria Jose R. Fenollera. Liria e Fjalës “dërgon një regjisor të filmave B, të torturuar nga e kaluara e tij, në qoshet e largëta të botës për të takuar katër artistë të kërcënuar (një balerin nga Palestina, një piktor nga Kuba, një këngëtar nga Tibeti dhe një poet nga Zimbabve), jetët e pabesueshme të të cilëve e frymëzojnë për të transformuar filmat e tij të vjetër absurdë në histori për vende, ku liria dhe paqja janë vetëm një përrallë për të cilat njerëzit ëndërrojnë. “Reporteri”, me regji të Eric Daniel Metzgar, është një dokumentar me metrazh të gjatë për Nicholas Kristof, reporteri dy herë fitues i çmimit “Pulitzer” për “New York Times”, i cili pothuajse i vetëm vendosi krizën në Darfur në hartën e botës. Filmi e vë shikuesin në vendin e Kristofit, duke zbuluar njeriun dhe metodat e tij, si dhe pse raportimi i vërtetë është jetik për demokracinë, botën, vetëdijen dhe kapacitetin tonë për të qenë një forcë për të mirën. “Aktualitet: Të burgosurit politikë në Burma” është një tjetër film dokumentar me regji të Santhar Aung, i xhiruar fshehurazi në Burma, filmi zbulon historitë dhe sakrificat e njerëzve “të zakonshëm” me guxim të jashtëzakonshëm, dhe udhëheqësit që i frymëzojnë ata. Ngjarje po kaq mbresëlënëse ofrojnë edhe “Wagah”, “Koreja e Veriut; Një ditë në jetë” apo “Nostalgji për dritën”.
Ekspozitë me portrete nga Dhimitër Shuteriqi
Në këtë pak muaj jetë ka mbledhur rreth vetes kryesisht artistë të rinj të të gjitha fushave. Ka pasur edhe artistë, të cilët s’mund t’i quajmë më “të rinj”, të cilët janë frymëzuar aq shumë nga ambientet e galerisë, dikur magazinë, saqë kanë ngritur enkas një ekspozitë atje. Kësaj here, ai që vjen, jo vetëm që i përket një brezi tjetër, por edhe një gjinie tjetër. Ndoshta prandaj organizatorët e kanë parë këtë galeri eksperimentale, si vendin më të mirë, ku mund të ekspozojë edhe Dhimitër Shuteriqi, i cili tashmë ka vite që nuk jeton më. Në datën 5 tetor, në orën 19:00, “Tirana Ekspres” paraqet një ekspozitë me portrete nga Dhimitër Shuteriqi. Ekspozita është ngritur në bashkëpunim mes drejtuesve të kësaj galerie dhe studiuesit Moikom Zeqo.
“Dhimitër Shuteriqi, studiues dhe shkrimtar i shquar, spikat edhe me dimensionin figurativ. Gjithë jetën e bëri një ditar të vizatimeve, skicave, krokive, portreteve, peizazheve për të regjistruar imagjinatën e emocioneve dhe grishjet e përditshmërisë së realitetit. Ky ditar vizual është i çuditshëm, konkret, një plotëri e personalitetit të tij. Vizatimet e Shuteriqit janë vetë biografia e tij, kështu vijat grafike strukturojnë idetë, sqimën, kulturën e madhe, substancën e jetës”, shkruan studiuesi Moikom Zeqo. Ekspozita do të qëndrojë hapur deri më 15 tetor.











