TIRANE- “Politika penale qe kerkon vetem 2 vjet burgim, ndaj agresoreve te jetes se qytetareve eshte e papranueshme”. Ne kete perfundim mberrin Ministria e Drejtësisë, pas inspektimit te dosjes se procedimit te Kostandin Xhuvanit, duke kerkuar nisjen e procedimit disiplinor për Prokurorin e çështjes konkrete dhe drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës.
Xhuvani, u denua me dy vjet burg për vrasjen me armë zjarri të një 26-vjeçari në Qytetin Studenti në Tiranë. Ai u deklarua fajtor për veprat penale të “vrasjes së kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” në dëm të shtetasit Alfed Musabelliu dhe për “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”.
Raporti per inspektimin
Ministri i Drejtësisë, z. Eduard Halimi në vijim të deklaratës së bërë në 24/11/2011 mbi inspektimin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Penal Tiranë lidhur me procedimin penal nr. 597 i vitit 13.02.2011, sot në datë 23/12/2011 i ka dërguar Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi dhe Prokurores së Përgjithshme.znj. Ina Rama përfundimet e këtij inspektimi.
Raporti i inspektimit bazuar në nenin 56/4 të Ligjit nr. 8737, datë 12.2.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, është përqendruar në njohjen e ecurisë së çështjes në përputhje me rekomandimet vjetore të dhëna nga Këshilli i Ministrave për luftën kundër kriminalitetit; respektimin e parimeve të drejtësisë, barazisë dhe ligjshmërisë së veprimtarisë së prokurorit në marrëdhëniet e tij me subjektet e tjera të procedimit penal; ecurinë e politikës penale dhe në veçanti politikën e dënimit të ndjekur nga organi i prokurorisë në rastin konkret,.
Ministri i ka kërkuar Presidentit të Republikës dhe Prokurores së Përgjithshme qe ne baze te nenit 149 te Kushtetutes, te ushtrojne kompetencave të tyre për inicimin e procedimit disiplinor për Prokurorin e çështjes konkrete dhe drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës.
Ne letren e tij, Ministri i drejtesise, thekson se siguria publike dhe jeta e qytetarëve janë absolutisht parimet më të rëndësishme të cilat duhet të sigurojnë sundimin e ligjit në vend. Barazia e njejte para ligjit per te gjitha subjektet, dhe ndjekja e se njejtes politike penale, jane parime fondamentale te parashikuara shprehimisht si themele te Kushtetutes.
Ministri i Drejtësisë mban në konsideratë faktin që kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës ndonëse nuk mund të ndikojnë në ndryshimin e vendimeve të dhëna nga sistemi i drejtësisë janë me rëndësi të jashtëzakonshme, parësore dhe me autoritetin e mjaftueshëm për të vënë përpara përgjegjësisë prokurorët që abuzojnë me ligjin në masë të tillë që godasin në mënyrë agresive dhe të drejtpërdrejtë sigurinë publike të qytetarëve dhe integritetin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi.
Ne letren e tij derguar Prokurores se Pergjithshme, Ministri thekson. se mbrojta e jetës së individit ashtu sic parashikon nenin 21 i Kushtetutes, është detyrë themelore e të gjithëve , veçanërisht e autoriteteve publike dhe kërkon domosdoshmërisht sigurine publike për qytetarët e ketij vendi. Siguria publike cenohet rëndë në rast se politika penale ndaj agresoreve të jetës së qytetarëve ushtrohet në mënyrë selektive nga Prokuroria , të cilës Kushtetuta në nenin 148 ia ka besuar këtë funksion për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimit të akuzës në gjykim. Nje politike penale qe kerkon vetem 2 vjet burgim, ndaj agresoreve te jetes se qytetareve eshte e papranueshme.
Ministri në mbështetje të nenit 35 të ligjit 9877 datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe nenit 31 të ligjit nr. 8811, datë 17.05.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, të ndryshuar, i ka dërguar raportin edhe gjyqtarit të çështjes , duke i dhënë të drejtën të paraqese pretendimet e tij lidhur me konstatimet procedurale të gjetura gjatë procesit gjyqësor, duke mbajtur parasysh modelin e sistemit gjyqësor ekzistues në Shqipëri si dhe tagrin e plotë të Prokurorisë si përfaqësuese e akuzës penale dhe politikes penale në emër të shtetit sipas nenin 148 të Kushtetutës.
© Panorama.al











