Rasti “Islami” dhe modeli i ri i joqeverisjes

Dec 23, 2011 | 10:35

SYBI HIDA

Me lehtësinë e një akti të rëndomtë, i njoftuar për publikun nga sekretari i Grupit të PS, Kastriot Islami u përjashtua nga Partia Socialiste. Që në krye duhet thënë se nuk është prej gjërave të lehta për një deputet të shumicës të shkruajë për mënyrën se si i merr vendimet opozita.  Shëmtia e mënyrës se si u mor ky vendim, e neveritshmja e arsyeve të përdorura dhe shkulmet e inatit janë të mjafta për ta parë përjashtimin e z. Islami si një shqetësim shumë më të madh sesa një vendim i keq i PS.
Në thelb të marksizmit qëndron besimi se e keqja vjen nga grup i caktuar shoqëror apo nga një klasë e caktuar dhe se zgjidhja gjendet vetëm tek asgjësimi i saj. Të gjithë e dimë, e gjithë bota e ka parë se çfarë tmerresh ka prodhuar kjo bindje, se çfarë monstrash gëlonin në mendjet e njerëzve që u bënë bartës të këtij besimi dhe sa barbari u kthye në vuajtje njerëzish. Është e qartë se sot PS nuk ka mundësinë të arrijë në këtë pikë, por mënyra se si u përjashtua z. Islami, ishte si ajo që përshkruan Lenini në “Letër shokëve bolshevikë 1922”. Që prej shtatorit Edi Rama vendosi të shfaqë një pamje të ndryshuar pas dy vitesh bojkoti dhe grevash, djegie gomash dhe ngrehje tendash e çadrash.  Në fakt, ka qenë e njëjta luftë me mjete të tjera, ka qenë një trajektore e ndryshme, por me synim të njëjtat koordinata dhe e ngjizur nga e njëjta lëndë. Nuk është ndonjë hata të largosh një deputet nga grupi parlamentar nëse pikëpamjet e tij, veprimet e tij dhe aspirata e tij është më afër një partie tjetër apo është më afër një qëndrimi tjetër. Është e ligë të largosh një deputet për mospjesëmarrje në një votim të dekretit të Presidentit për një institucion kushtetues. Partia Socialiste as ka qenë fare për dy vjet në Parlament, deputetë të Partisë Socialiste kanë votuar pro anëtarëve të qeverisë të paktën në dy raste në mandatin e kaluar. Deputetët të partisë socilaiste nuk morën pjesë në votim për buxhetin, në ligjin e ligjeve. Arsyetimi këtë herë, në përjashtimin e Islamit, ishte se ishte vendosur një datë zero, një datë pas së cilës nuk lejohej më të thyhej vendimi i Grupit. Kjo është qesharake dhe është si vendimet që janë marrë në vitin 1945 nga gjykatat popullore, të cilat pushkatuan njerëz dhe bënë tmerre pa ligj penal dhe më pas u tha që ajo kaloi nuk do të ndodhë më. Partia Socialiste, në një farë mënyre ka instaluar atë që quhet e drejtë e përkohshme, një nocion i së drejtës sovjetike, i prodhuar nga ajo shkollë mendimi. Rasti i z. Islami nuk është një gjë e izoluar. Gjatë këtyre muajve Edi Rama zbuloi një botë re, atë të rrjeteve të internetit dhe nga atje nisi të komentojë gjithçka, të flasë për buxhetin, për borxhin, për emërimet, për librat, për administrimin e burgjeve, për rolin e grave, për të drejtat e gjahtarëve, për motin, për reshjet e shiut, për çfarë do gjëje që i del para robit të Zotit. Foli për një program të ri të PS dhe fjala popull i varfër dhe heqje taksash kishin inflacionin më të madh. Ishte pa dyshim një përpjekje e dobët, një përpjekje për të fshehur pas fjalëve populiste një opozitë të paaftë dhe të pazonjën të debatojë për zhvillimet në vend. Huazoi gjuhën e marksistëve, atyre qindrave që protestojnë në Nju Jork apo Londër, në Romë apo Los Anxhelos duke folur që ne jemi 99% dhe qeveria është vetëm për 1%.
PS ishte e sigurt që ky propozim, për heqjen e TVSH, do të hidhej poshtë, pasi edhe ekspertët e saj janë të bindur që reduktimi i TVSH nuk do të çojë në ulje të çmimeve dhe që përfituesit e këtij ndryshimi nuk janë shtresat në nevojë, por mashtrimi. Në qoftë se PS do të ishte serioze në mbështetje të politikave ekonomike dhe pro rritjes së punësimit, ajo do t’i ishte përgjigjur kërkesës që ka bërë Kryeministri dhe ministri i Financave për të filluar punën për reformën e pensioneve apo reforma të tjera të nevojshme për zhvillim ekonomik afatgjatë. Pra, PS kërkon të mashtrojë qytetarët për të blerë vota me slogane bolshevike si ne jemi për popullin, ne ju themi atë që ju dëshironi, … pastaj ju japim çfarë dëshirojmë ne.  Përjashtimi i z. Islami dhe propozimet për heqje TVSH-je nuk ndryshojnë nga greva e tyre e urisë në bulevard. Janë e njëjta pamje me të njëjtin mediokritet, por edhe me të njëjtin inat.
*Deputet i PD

© Panorama.al

Te lidhura