Qendra për Çështje të Informimit Publik, ÇIP, publikon sot raportin vjetor “Transparenca e Botimeve Zyrtare në Republikën e Shqipërisë”. Në këtë raport kalohen në skaner institucionet e shtetit shqiptar, që nga ministritë, Kuvendi dhe gjykatat e vendit. Ky është raporti i tretë që kjo qendër përgatit pas monitorimit të institucioneve. Risia e raportit 2010 është se në të përfshihet edhe një vlerësim i detajuar i nivelit të botueshmërisë së akteve gjatë periudhës 5-vjeçare, 2006-2010. Një vlerësim i tillë për aksesin në legjislacion në RSH realizohet për herë të parë dhe është unik. Ai bazohet në gjetjet e raporteve të transparencës së botimeve zyrtare për 5 vitet e fundit. ÇIP ka përllogaritur edhe nivelin e zbatueshmërisë së ligjit nga vetë institucionet që nxjerrin akte. Raporti bëhet publik në një kohë kur qeveria shqiptare i është bashkuar edhe nismave globale që synojnë rritjen e transparencës në procesin vendimmarrës, sikurse është edhe Partneriteti për Qeverinë e Hapur (Open Government Partnership). OGP, së cilës Shqipëria iu bashkua më 2 gusht 2011, bazohet në Iniciativën për Qeverisje të Hapur të Presidentit të SHBA, Obama, lançuar ditën e tij të parë në detyrë, më 20 janar 2009, për ta bërë qeverinë transparente, pjesëmarrëse dhe bashkëpunuese.
Gjetjet e monitorimit
. Kuvendi, gjatë vitit 2010, janë botuar në Fletore Zyrtare të gjitha ligjet e miratuara
. Aktet ndërkombëtare, gjatë 2010-s, janë botuar në “FZ” të gjitha tekstet shqip të marrëveshjeve ndërkombëtare që ka ratifikuar me ligj Kuvendi i Shqipërisë
. Në Fletoren Zyrtare 2010 janë botuar të gjitha (6) aktet normative me fuqinë e ligjit të KM
. Këshilli i Ministrave, gjatë vitit 2010 nuk janë botuar në Fletoren Zyrtare të paktën 25 VKM (me natyrë përfundimtare)
. Nga të paktën 71 VKM “për miratim në parim”, 17 janë dërguar për botim në Fletoren Zyrtare 2010
. Gjatë vitit 2010 janë botuar në Fletoren Zyrtare të gjitha udhëzimet e Këshillit të Ministrave
. Ministria e Financave, në Fletore Zyrtare 2010, nuk janë botuar të paktën 14 udhëzime të MF ose 30% e totalit
. Ministria e Arsimit, në Fletoren Zyrtare 2010 nuk janë botuar të paktën 14 udhëzime të MASH ose 37% e totalit
. Ministria e Transporteve, në Fletoren Zyrtare 2010 nuk janë botuar të paktën 6 udhëzime të MPPTT ose 21% e totalit
. Ministria e Mjedisit, në Fletoren Zyrtare 2010 nuk është botuar të paktën 1 udhëzim i MMPAU ose 14% e totalit
. Ministria e Bujqësisë, në Fletoren Zyrtare 2010 nuk janë botuar të paktën 18 udhëzime të MBUMK ose 95% e totalit
. Ministria e Brendshme, u identifikuan të paktën 3 udhëzime të pabotuara në Fletoren Zyrtare 2010
. Gjykata e Lartë, i vetmi vendim unifikues në 2010-n është botuar në Fletoren Zyrtare me rreth 4 muaj vonesë nga afati që përcakton ligji 8588











