TIRANE – Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në raportin vjetor për vitin 2011, kritikon strukturat e Policisë së Shtetit, duke i kushtuar vëmendje të veçantë Policinë Rrugore. Nga inspektimet e kryera në disa qarqe, inspektorët e SHKB-së kanë konstatuar shkelje të rënda të efektivave të Qarkullimit, por edhe burokraci e vonesa në depozitimin e mandateve të pagesave të gjobave. “Vihet re një tendencë e punonjësve të Policisë Rrugore për të vënë gjoba për shkeljet e lehta, thjesht për efekte statistikore, duke toleruar shkeljet e rënda. Operatorët e hedhjes së gjobave kanë dinamikë të ngjeshur duke vonuar ofrimin e shpejtë të shërbimit ndaj qytetarëve”, thuhet në raportin vjetor të SHKB. Por, duhet theksuar se ky përfundim është arritur pas inspektimit të Njësisë së Policisë Rrugore Korçë, Elbasan, Vlorë, Kukës dhe Lezhë. Objekti i inspektimit në njësitë rajonale të qarkullimit për qytetet e mësipërme ka qenë “Vlerësimi i kryerjes së detyrave të Policisë Rrugore”. Pas përfundimit të inspektimeve në terren, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka renditur në raport shkeljet e konstatuara e më pas edhe rekomandimet për përmirësimin e punës së Policisë Rrugore. Në konstatimet e SHKB-së, pas inspektimeve të kryera, vërejtja e parë lidhet me nivelin jo të duhur të strukturave të Policisë Rrugore me strukturat e tjera të Policisë në nivel vendor. Sipas raportit, është konstatuar se mbajtja dhe administrimi i dokumentacionit nuk bëhej në përputhje me urdhrin ‘Për dokumentacionin që duhet të mbahet dhe administrohet nga personeli i Policisë Rrugore’. Nuk zbatohen me përpikëri kërkesat e Kodit Rrugor dhe kërkesat e udhëzimit të ministrit të Brendshëm, ‘Për mënyrën e evidentimit dhe shqyrtimit të kundravajtjeve administrative’. Nuk ka shërbime të mjaftueshme për kontrollin e akseve kryesore gjatë natës, si dhe vjelja e gjobave është në nivele të ulëta. Në raport thuhet se në qarqet Korçë, Elbasan, Vlorë, Kukës dhe Lezhë, është konstatuar një numër relativisht i lartë aksidentesh. Gjithashtu është vërejtur se mungon bashkëpunimi me komunitetin, median dhe autoritetet vendore në lidhje me edukimin dhe sensibilizimin e qytetarëve për zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas SHKB-së, bashkëpunimi me shërbimin postar dhe filialet e bankave të kontraktuara për arkëtimet e gjobave nuk është në nivelin e duhur. Konstatohet se mandat-arkëtimet e pagesave të gjobave në filialet e bankave dhe shërbimin postar nuk dorëzoheshin brenda ditës në njësinë rrugore. Kjo krijonte probleme për qytetarët, sepse rezultonin debitorë në sistem edhe pasi kishin paguar gjobën në filialet e bankave ose në shërbimin postar. Në raport thuhet se është vënë re një tendencë e punonjësve të Policisë Rrugore për të vënë gjoba për shkeljet e lehta thjesht për efekte statistikore, duke toleruar shkeljet e rënda. Ndërsa punonjësit e Policisë Rrugore kanë mangësi në veshje dhe mjete të nevojshme për pune (radio, radar, teste alkooli). Në strukturat vendore periferike, kjo mungesë është shqetësuese. e.d











