Hamdi Salihi mund ta zgjedhë ekipin e ri që në merkaton e janarit. Drejtuesit e Rapidit të Vjenës janë të gatshëm të bisedojnë me klubet e interesuara për shërbimet e sulmuesit shqiptar. Salihi ka përfunduar në pankinë gjatë pjesës më të madhe të sezonit, ndaj ai me 99.99 për qind do largohet nga kjo skuadër. “Nëse arrin ndonjë ofertë e kënaqshme, mund të largohet. Madje, ne po mendojmë që të pranojmë edhe ndonjë ofertë që nuk është financiarisht në nivelet që kemi kërkuar në fillim për Salihin”, ka thënë trajneri i austriakëve, Piter Shotel. Kjo tregon edhe një herë që tekniku nuk e llogarit më sulmuesin shqiptar në skuadër, ndaj kërkon ta largojë para se atij t’i përfundojë kontrata në fund të këtij sezoni dhe më pas të largohet me parametër zero.











