Rania e Jordanisë: Në rrjetet sociale nuk jam mbretëreshë

Dec 4, 2011 | 12:15

Vajza nga e gjithë bota presin një shans të vetëm për t’u bërë nëna, punonjëse apo drejtuese. Nga India në Argjentinë, nga Kina në Afrikën e Jugut, ajo është mbretëresha më e dashur e Lindjes së Mesme, e cila i ndihmon të emancipohen. Përveçse është ambasadorja e UNICEF, është nëna e katër fëmijëve, një eksperiencë që vlen më shumë se gjithçka tjetër. Rania e Jordanisë tregon angazhimin e saj në luftën kundër varfërisë, marrëdhënien me rrjetet sociale dhe njerëzit që kanë ndikuar më shumë në jetën e saj.

Ka lindur në Kuvajt nga prindër palestinezë, me origjinë nga Tulkarem, vend të cilin do ta linte për të vazhduar shkollën për menaxhim biznesi në Universitetin Amerikan në Kajro. E diplomuar në vitin 1991, e bukura Rania e Jordanisë, mbretëreshë edhe nga klasi e eleganca, do të punonte në grupin financiar të Citibank para se të punësohej nga zyra jordaneze e Apple Computer. Në vitin 1993 takon princin e Jordanisë, Abdullah II dhe brenda pak muajsh çifti shpall fejesën. Martesa u celebrua në të njëjtin vit. Gjashtë vjet më vonë, me ngjitjen në fron të bashkëshortit të saj, Rania shpallet mbretëreshë: epilogu i një përralle që edhe sot i bën njerëzit të ëndërrojnë. Nënë e katër fëmijëve nga 17 në 5 vjeç (Husayn, Imam, Salma e Hashim), Rania vendos të marrë pjesë në iniciativat për përmirësimin e arsimimit të fëmijëve jo vetëm në Jordani, por dhe në të gjitha vendet arabe, një punë që tashmë njihet në mbarë botën. Rania ka qenë e para që u shpall avokate e UNICEF-It në 2007 dhe është presidente nderi e Ungei nga 2009. “Termi “Bota e tretë” nuk më pëlqen, sepse jemi të gjithë në një botë të vetme dhe njerëzit duhet ta dinë që pjesa më e madhe e njerëzimit po vuan”, thotë ajo për revistën italiane “A”.

Jeni një nga përfaqësueset më autoritare të UNICEF-It. Përse e pranuat këtë detyrë?
UNICEF zhvillon një punë të jashtëzakonshme në favor të fëmijëve në gjithë botën, shpesh në kushte shumë të vështira. Përpjekjet e tyre të guximshme jo vetëm shpëtojnë jetë njerëzore, por ofrojnë shpresë. Kështu, çka më ka tërhequr në këtë organizatë, ka qenë puna e vazhdueshme për edukimin e çdo fëmije. Gjithmonë kam besuar në fuqinë e edukimit për të përballuar sfidat globale. Në Indi, ashtu si edhe në Amerikën e Jugut e në Jordaninë time, edukim do të thotë të mbrosh fëmijët nga sëmundjet, duke u ofruar atyre një rrugë arratie nga varfëria. Kam takuar shumë fëmijë dhe kam parë me sytë e mi aftësitë e tyre për të përballuar vështirësitë më të mëdha ekzistenciale. Por kjo s’do të thotë t’i lëmë të jetojnë në varfëri dhe në mjerim. Nëse duhet të ndihemi më të motivuar për të luftuar për të drejtat e tyre, duhet t’u japim fëmijëve mundësinë e zgjedhjes. Atë çka meriton çdo fëmijë.
Sa i rëndësishëm është edukimi i vajzave?
Shpesh mendojmë për vajzat si qenie delikate e të brishta. Nuk arrijmë të shohim se cila mund të jetë zgjidhja e problemeve më komplekse që shqetësojnë botën. Ato janë zgjidhja. Teoritë e zhvillimit dhe eksperienca konkrete kanë demonstruar që arsimimi i vajzave mund të transformojë shoqërinë. Është e mjaftueshme që një vajzë të studiojë një vit më shumë, sepse mundësitë për të humbur jetën gjatë lindjes ulen me 50% dhe përfitimet do të jenë 20% më shumë. Si një grua e mësuar do të shpenzojë më shumë për arsimimin dhe kujdesin sanitar të fëmijëve të saj dhe do të ndërpresë rrethin vicioz të varfërisë. Përfitimet e arsimimit femëror përhapen si njolla vaji. Sa më shumë rritet numri i vajzave të arsimuara, aq më shumë zvogëlohet numri i vdekshmërisë, fertilitetit dhe mundësitë e HIV-AIDS dhe përmirësohet të ushqyerit foshnjor. Përfitimet janë edhe në anën ekonomike. Është e mjaftueshme rritja e vetëm një pike në përqindje në numrin e grave që marrin një arsimim dytësor që të sjellë rritjen e të ardhurave për frymë me 0,3 për qind. Mund të duket një ndryshim i vogël, por për një vend si India kjo përkthehet në më shumë se 5 miliardë dollarë në vit! Le të investojmë mbi vajzat dhe t’i lëmë ato të bëjnë pjesën tjetër.
Faqja juaj në Facebook u pëlqen 795.195 personave, jeni shumë aktive edhe në Twitter dhe keni një rubrikë fikse në YouTube. Cilat janë avantazhet e komunikimit në rrjet?
Interneti dhe në veçanti rrjetet sociale janë një formë normale e komunikimit të botës moderne. Është një platformë e nevojshme për të ndarë gjëra, si për të informuar miqtë me lajme mbi punët përkatëse, apo për t’i njohur me çështje që i kemi për zemër. Media sociale mund të ofrojë ide dhe opinione të ndryshme. Me shumë gjasë, të flasësh personalisht me një mbretëreshë mund të jetë e sikletshme, çka nuk ndodh në rrjet, ku këto frikëra shpërndahen. Njerëzit ndihen më të lirshëm të më thonë atë që mendojnë. Një liri kjo që ndihmon në përgjithësi ndërgjegjësimin, dialogun, përpjekjen dhe gjetjen e zgjidhjeve për çështje të rëndësishme, si në rastin e arsimimit të vajzave.
Është dikush në të shkuarën apo në të tashmen, që ka qenë për ju burim frymëzimi apo model jete?
Besoj se kam qenë shumë me fat: në jetën time kam takuar shumë njerëz që më kanë frymëzuar, si për luftërat personale që kanë fituar, por edhe për karizmin dhe intelektin e tyre. Nelson Mandela ka qenë një burim i vërtetë frymëzimi. Nuk do ta harroj kurrë ndjesinë e të ulurit pranë tij në Madiba dhe biseda me të. Para se të thuash qoftë dhe një fjalë të vetme, ke ndjesinë e një energjie shumë të fortë. Guximi dhe hiri i tij të bëjnë të aftë të jesh një forcë e së mirës. Të tjerë persona që kanë ndikuar, por jo të famshëm, që më kanë lënë shenjë janë vajza të reja si Musu nga Liberia, që ka humbur krahun në një sulm me raketa gjatë luftës civile dhe pavarësisht kësaj do të vazhdojë shkollën për mjekësi, sepse një mjek i ka shpëtuar jetën. Është Khadija në Marok, që ka punuar me orë të tëra në një bodrum pa ajër duke punuar tapetë. E rrihnin nëse ndalonte ose bënte një gabim. Është shpëtuar nga një asistent social dhe mundi të vazhdojë shkollën. Së fundi mund të them se më frymëzojnë mësuesit. Mësimdhënia është profesioni më fisnik. Këta njerëz janë rojtarët dhe drejtuesit e vërtetë të fëmijëve tanë, ushqejnë liderët politikë të së nesërmes të vendeve tona. Me pak fjalë, kanë fuqinë të krijojnë të ardhmen tonë.

© Panorama.al

Te lidhura