
Ramiz Alia shfaqet në Fier dy ditë para zgjedhjeve vendore, në krah të kryebashkiakut socialist Baftjar Zeqaj, në ceremoninë e inaugurimit të bustit të patriotit Tonç Kilica.Ish-presidenti i parë pluralist nuk ka dashur të flasë për çështjen e ditës, atë të 8 majit, por ka shprehur konsideratë për Presidentin Topi. “Presidenti aktual, Bamir Topi, është një luftëtar besnik, i cili njeh dhe zbaton Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Alia, i pyetur në lidhje me pasardhësin e tij dy dekada më vonë. Ish-presidenti ka refuzuar të përgjigjet për politikën dhe çështjen e zgjedhjeve, duke u përqendruar tek ceremonia e djeshme. Ai e ka ndjekur të gjithë aktivitetin si dhe ka vendosur kurora me lule në monumentin e Kilicës. “Dua të përgëzoj në mënyrë të veçantë Baftjarin, i cili ka një sy dhe mendje të mprehët, që vëzhgon deri në historinë e thellë duke nderuar emra të tillë si ai i Tonçi Kilicës. Unë dua që jo vetëm Tonçi, por edhe shumë figura të tilla që kanë dhënë kontribut për lirinë e vendit dhe pavarësinë e saj, duhet të nderohen”, ka deklaruar Aliaj. Ndonëse një iniciativë e Bashkisë së Fierit, në ceremoninë e djeshme ishin të pranishëm dhe përfaqësues vendorë të mazhorancës, siç është prefekti i qarkut. Gjatë saj u fol gjatë për veprën e madhe patriotike që Kilica la pas. Tonç Kilica, së bashku me një grup patriotësh të tjerë, më 29 nëntor të vitit 1912 realizoi aktin e ngritjes simbolike të flamurit në Fier, në shenjë solidarizimi me qeverinë e Vlorës. Patrioti Tonç Kilica ishte mik dhe bashkëpunëtor i Ismail Qemalit. Po ashtu merita e Kilicës është se, gjatë kryengritjes së vitit 1911-1912, bëri lidhjet midis zonave kryengritëse të Jugut të Shqipërisë me Fierin, si qendër të kryengritjes antiturke për Toskërinë. Busti i Kilicës i punuar në gur u realizua nga skulptori Haxhi Kalluci, ku nuk mungoi ndihma e piktorit Vilson Kilica, nipi i patriotit, si dhe shumë arkitektëve të tjerë. Përveç bustit me portretin e Tonç Kilicës, skulptori Haxhi Kalluci ka mundur të gdhendë edhe tekstin e përshëndetjes që kryetari i Bashkisë së Fierit ia dërgonte Ismail Qemalit më 28 nëntor 1912. “Iniciativa për këtë vepër ka si qëllim ngritjen e vlerave historike të kësaj ngjarjeje të madhe për shqiptarinë. Fieri ka nevojë për vepra të tilla, aq më shumë për vlerat që mbartin këto vepra”, u shpreh kryebashkiaku Baftjar Zeqaj. Ramiz Alia njihet si mik i ngushtë i skulptorit Kalluci dhe kryebashkiakut Zeqaj, ndërsa është mik familjeje me piktorin Vilson Kilica, nipin e Tonç Kilicës. Ka qenë kjo një nga arsyet që Alia ishte pjesëmarrës në këtë eveniment për Fierin.
FIER/ MAJLINDA RAMA











