Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama denoncoi edhe njëhere përpjekjet e mazhorancës për të manipuluar fitoren në Tiranë, ndërsa shtoi se Partia Demokratike po tenton të fshehë humbjen.
“Po lëvizin furgon e makina, që mbajnë brenda materiale me anë të të cilave synohet të deformohet një rezultat të cilin ju siguroj se nuk do të mund ta cënojnë në asnjë votë”- tha Rama.
Gjatë një konference për shtyp ku prezantoi fituesin e bashkisë Rrëshen, Rama sulmoi koalicionin e maazhorancës.
“Fuqi e një koalicioni të gjerë, ndoshta më i gjëri në historinë pluralizmit, bashkuar për të grabitur bashkinë e Tiranës, është një fuqi që është shprehur përmes kthimit të makinës shtetërore në makinë elektorale, përmes parasë, shantazheve të pafalshme mbi çdo njeri, të lidhur me një mënyrë ose një tjetër me shtetin, ëhstë një fuqi e cila ka bërë gjithçka ka mundur, por një gjë është e qartë. Fuqia e kësaj fuqie ka mbaruar”- theksoi kryesocialisti.
Sipas liderit të opozitës fitorja për Tiranën është në kutitë e votimi, dhe sipas tij populli nuk duhet të shqetësohet pasi “nuk ka forcë mbi këtë truall që cënon forcën e tij”
Ajo që po ndodh tani, sipas kryesocialistit është thjesht dhe vetëm shpërfaqja e gjithë atij shëmtimi që e ka shoqëruar këtë fushatë pas ekraneve dhe që tashmë ka dalë në ekran,në një përpjekje të fundit përpara vulosjes së rezultatit.
© Panorama.al











