Rama:Fitore e pastër.Zgjuar deri në votën e fundit

May 9, 2011 | 15:11

TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama, në garë për mandatin e katërt ka deklaruar nga selia rozë fitore të sigurt në këto zgjedhje, duke u bërë apel komisionerëve të qëndrojnë syhapur deri në votën e fundit, në respekt të vullnetit të shqiptarëve.

“Apel komisionerëve. Rezistoni, rezistoni, rezistoni, pavarësisht lodhjes dhe mos lejoni të preket asnjë votë e asnjë subjekti politik. Cdo parti sado e vogël duhet të ndihet e qetë, ashtu si cdo shqiptar të ndihet i respektuar prej nesh për cdo votë”- ka thënë Rama.

Ai ka deklaruar prerë se PS-ja i ka fituar zgjegdjet, qartë dhe pastër. “Jemi përgatitur dy vjet për këtë ditë të bukur dhe jemi të përgatitur të zbrapsim cdo orvajtje për të deformuar rezultatin”- ka shtuar më tej ai.

Rama ka njoftuar surprizën e radhës, fitoren e një zonje në Burrel, i cili në katër vitet e ardhshme do drejtohet nga një kryetare bashkie.

Sipas Ramës, rezultatet që vijnë janë të gëzueshme, por gjerdani i fitoreve do vazhdojë të zgjatet.

“Jemi në rrugën e fitores bindëshëm edhe në qytete të tjera që do të jenë surpriza të vërteta të këtyre zgjedhjeve. Së fundmi, apeli im për cdo socialist e qytetar është; në këmbë deri në votën e fundit, zgjuar deri në votën e fundit, me mendje dhe zemër te fitorja deri në votën e fundit”.

 

© Panorama.al

Te lidhura