“It’s coming home”, këndojnë tifozët anglezë. Futbolli po kthehet në shtëpi. Këtë herë ata besojnë vërtet.

Kanë kaluar plot 60 vite që nga triumfi i fundit i Anglisë në një turne madhor, që prej Botërorit të fi tuar në shtëpi në vitin 1966, por tani optimizmi është më i madh se kurrë. Shpresat mbështeten te një emër, Herri Kejn. Sulmuesi realizoi 61 gola këtë sezon me Bajern Mynih dhe shtoi edhe 6 të tjerë me kombëtaren angleze.
Por jo vetëm kaq. Anglia e ndërtuar nga Tomas Tuhel për Botërorin 2026 konsiderohet një nga skuadrat më të talentuara në historinë e saj. Mjafton të përmenden emrat e Fill Foden, Kol Palmer dhe Herri Meguajer, të cilët madje nuk janë mes zgjedhjeve kryesore, për të kuptuar thellësinë e këtij grupi. Në shumicën dërrmuese të 47 kombëtareve të tjera pjesëmarrëse në Botëror, ata do të ishin yjet absolutë. Besimi vjen edhe nga fakti se kësaj skuadre i mungon vetëm një gjë, trofeu.
Anglia ka luajtur dy finalet e fundit të Kampionatit Europian, duke humbur në vitin 2021 ndaj Italisë dhe tre vite më vonë ndaj Spanjës. Për tifozët anglezë, çdo rezultat tjetër përveç ngritjes së Kupës së Botës më 20 korrik do të konsiderohej dështim.
“E nisim këtë turne me pritshmëri shumë të larta dhe nuk fshihemi. Ndihem më mirë se kurrë dhe mezi pres të fillojmë”, deklaroi Kejn. Edhe grupi nuk duket i frikshëm për Tre Luanët, të cilët do të përballen me Kroacinë, Ganën dhe Panamanë.
Kejn, arma kryesore e Anglisë
Kapiteni mbetet padyshim ylli i madh i kësaj skuadre. Më 28 korrik ai do të festojë 33-vjetorin dhe ëndrra e tij është t’i bëjë vetes dhuratën më të bukur në avancë: të ngrejë Kupën e Botës në qiell nëntë ditë më parë. Një sukses i tillë do ta ngrinte Kejn në panteonin e legjendave dhe mund ta kthente edhe në kandidat serioz për Topin e Artë, pas sezonit të jashtëzakonshëm me Bajernin. Në Gjermani ai është bërë një sulmues edhe më vdekjeprurës, më i pjekur dhe më i vetëdijshëm për vlerat e tij krahasuar me kohën kur grumbullonte gola, por jo trofe, te Totenhemi.
Megjithatë ekziston një problem, Anglia duket tepër e varur nga Kejn. Statistikat janë të qarta. Në epokën Tuhel, 35.7% e golave të kombëtares janë shënuar nga ai (10 nga 28), ndërsa në ndeshjet zyrtare kjo përqindje shkon në 45%. Me 79 gola, Kejn është golashënuesi më i mirë në historinë e Anglisë, shumë përpara Uejn Runit, i cili ndalet në 53 realizime. Por në një Botëror nevojiten alternativa. Aktualisht, Kejn është i vetmi lojtar ofensiv për të cilin Tuhel ka siguri të plotë.
Bukajo Saka vjen pas një sezoni të mbushur me dëmtime te Arsenali. Antoni Gordon, blerja e re e Barcelonës, do të luajë Botërorin e parë në karrierë dhe duhet të dëshmojë veten në këtë nivel. Markus Rashford vazhdon të jetë i paqëndrueshëm, ndërsa Oli Uatkins dhe Ivan Tonej, alternativat e Kejn në qendër të sulmit, nuk arrijnë të ofrojnë të njëjtin nivel.
Dilema e madhe: Kush do të jetë numri 10?
Pyetja që Tuhel duhet të zgjidhë para debutimit me Kroacinë është e qartë: Kush do të luajë si numër 10? Dy kandidatët kryesorë janë Xhud Belingham dhe Morgan Roxhers. Belingham mbetet talenti më i madh i skuadrës dhe një nga futbollistët më të fortë në botë. Por Roxhers vjen pas sezonit më të mirë të karrierës me Aston Vilën, duke fi tuar edhe çmimin e lojtarit më të mirë në Europa League. Në fi toren 1-0 ndaj Zelandës së Re, të vendosur nga Kejn, Belingham dha sinjale më pozitive, por Roxhers vazhdon të ketë besimin e trajnerit.
Nuk përjashtohet as mundësia që të luajnë së bashku, por Tuhel nuk preferon t’i vendosë futbollistët jashtë pozicionit natyral, ndaj në ndeshjen me Kroacinë pritet të ketë vend vetëm për një “numër 10”. “Kemi 14-15 titullarë të mundshëm në këtë skuadër dhe si Jude ashtu edhe Morgan janë pjesë e tyre”, tha trajneri gjerman. Pikat e forta dhe dobësitë Vetë Tuhel konsiderohet një nga asetet më të mëdha të Anglisë, edhe pse ky është Botërori i tij i parë si trajner i një kombëtareje. Një tjetër siguri quhet Deklan Rajs. Mesfushori i Arsenalit, i emëruar zëvendëskapiten, vjen pas një sezoni fantastik dhe konsiderohet ndër më të mirët në botë në rolin e tij.
Anglia është një skuadër e mbushur me talent, e ndërtuar për të qenë e rrezikshme edhe në goditjet standarde. Asgjë nuk është lënë rastësisë, madje edhe përgatitjet në vapën dhe lagështinë e Floridës janë menduar për t’i mësuar lojtarët me kushtet klimatike që do të hasin në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, mbrojtja mbetet pika më e dobët e ekipit, mungon një zëvendësues i denjë për Kejn dhe shumë lojtarë të repartit ofensiv kanë ende diçka për të provuar. Por këtë herë Anglia nuk fshihet më pas justifikimeve. Tre Luanët kanë udhëtuar drejt SHBA-së me një objektiv të vetëm: të fi tojnë Kupën e Botës. Presioni që dikur ishte armiku i tyre më i madh, tani është kthyer në shoqëruesin e përhershëm të rrugëtimit. Bashkë me vapën, ëndrrat dhe këngën e pandërprerë të tifozëve anglezë. “It’s coming home”, ndoshta këtë herë më shumë se kurrë.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











