Rama: Zgjedhje të reja pas lokaleve

Mar 8, 2011 | 9:17

KORÇE- Kryetari socialist Edi Rama kërkoi nga Pogradeci dhe Korça fitoren e zgjedhjeve të 8 majit.Duke i cilësuar si politike zgjedhjet e 8 majit, Rama tha se fitorja e tyre do të ishte kushte për të kërkuar zgjedhje të parakohshme. “Në rast se fitohen zgjedhjet e 8 majit, kjo do të jetë një  shans i mirë që të kalohet në zgjedhje të parakohshme”, u shpreh Rama dje në takimin me anëtarë dhe simpatizantë socialistë të zhvilluar në    teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës. Gjatë fjalës së tij, si në Pogradec ashtu dhe në Korçë, kreu socialist ka përgëzuar dhe vlerësuar punën e bërë në drejtim të bashkive respektive nga krerët e tyre, Artan Shkëmbi dhe Niko Peleshi, duke konfirmuar në këtë mënyrë dhe rikandidimin e tyre. Kryesocialisti ka vënë theksin në rëndësinë që duhet të tregohet në përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkish dhe komunash, në mënyrë që ata të jenë të gjithëpranuar, duke shmangur në këtë mënyrë çdo qejfmbetje në radhët e socialistëve dhe të opozitës së bashkuar.
Një tjetër pikë e rëndësishme në fjalën e Ramës, ishte dhe çështja e kandidatëve të pavarur që shfaqen në çdo zgjedhje, si lokale, ashtu dhe të përgjithshme. “Të mendohen mirë emrat që do të zgjedhim për të na përfaqësuar në këto zgjedhje, me qëllim shmangien e kandidatëve të pavarur që do të çonin ujë në mullirin e Berishës”, u shpreh Rama në Korçë. Rama më pas e vuri theksin tek serioziteti që duhet të ketë kjo fushatë, duke kërkuar një mobilizim total tek të gjithë dhe të lënë mënjanë hatërmbetjet. Me dyer të mbyllura mësohet se kreu socialist ka dëgjuar sensibilitetet e ndryshme lidhur me disa emra që përfliten për kryetarë komunash në qarkun e Korçës, një pjesë e të cilave janë kontestuar, ndërsa nga kryesocialisti mësohet se PS-ja është ende në proces konsultimesh dhe asnjë emër nuk është përcaktuar përfundimisht, sipas tij. Para mbështetësve të Partisë Socialiste, fjala e Ramës ka vijuar me problematikën që paraqet maxhoranaca aktuale. Sipas tij, korrupsioni i kësaj maxhorance po gërryen ekonominë e vendit, ndërsa jeta e shqiptarëve po bëhet gjithnjë e më e vështirë e gjithnjë e më e shtrenjtë. Kryesocialisti akuzoi qeverinë dhe deklaroi se PS-ja do të vazhdojë protestat, pasi vetëm kështu ky vend, sipas tij, mund të gjejë paqe nga ky regjim që Rama e quajti vrastar.

 

“Do të vazhdojmë protestat dhe do të hyjmë në zgjedhje. Vetëm kështu do të mund të largojmë regjimin vrastar të sotëm. Do hyjmë në zgjedhje për largimin e Saliut. Partia Socialiste, ne të gjithë do të jemi në shërbim të këtij vendi. Shqipëria është tokë e tradhtuar nga politikanët tanë. Prandaj më datë 15 mars le të mblidhemi të gjithë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në kryeqytet, pasi ne jemi e vetmja shpresë në këtë vend. Saliu duhet dhe do të largohet që ky popull të arrijë të zgjedhë i lirë. Politika e vjetër duhet të marrë fund. Vetëm duke i dhënë fund asaj, ne do të mundim varfërinë dhe papunësinë. Partia Socialiste është ajo që do të arrijë t’i japë vendit tonë një qeverisje më të mirë, një qeverisje më të drejtë dhe më demokratike”, vijoi më tej në fjalën e tij kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.   Gëzim Ashimi

PSE

Socialistët Europianë shprehën shqetësimin e tyre për situatën politike në vend dhe zhvillimin e zgjedhjeve lokale të 8 majit, duke kërkuar që Europa të ushtrojë presion mbi qeverinë shqiptare për të garantuar zgjedhje të drejta. Shqetësimi është përcjellë në takimet që lideri socialist zhvilloi gjatë Samitit të Partive Europiane Socialiste të mbajtur në Greqi. Në këto takime, Rama theksoi nevojën urgjente për gjetjen e një zgjidhjeje imediate, ndërsa informoi për ngjarjet më 21 janar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku 4 persona humbën jetën, si dhe sulmet e maxhorancës ndaj drejtësisë.

© Panorama.al

Te lidhura