Rama: Votoni paktin qytetar

May 5, 2011 | 11:17

Kryetari i Partisë Socialiste mbylli fushatën zgjedhore në Elbasan, Durrës e Kavajë. Edi Rama prezantoi dje pasdite në Elbasan paktin e Aleancës për të Ardhmen me qytetarët.Pasi prezantoi kandidatin e PS-së si fituesin e këtyre zgjedhjeve, Qazim Sejdini, Rama ka deklaruar se ky pakt do të sjellë zhvillim ekonomik dhe social për të gjitha zonat e vendit. “Dje, bashkë me Qazimin, u angazhuam për një pakt qytetar, që është angazhimi ynë për 4 vitet e ardhshme, që do të ndryshojnë rrënjësisht Elbasanin, Tiranën, Korçën, Fierin dhe ato qytete që më 8 maj do të çlirohen me votë”, u shpreh Rama. Duke dhënë detaje të paktit, Rama tha se jeta e shqiptarëve do të ndryshojë me zbatimin pikë për pikë të tij. “Pakti ynë parashikon lehtësimin fiskal për çdo biznes, nxjerrjen e të rinjve nga papunësia dhe futja e tyre në rrugën e punës qytetare. Do të angazhohemi për zhvillimin e tyre profesional, për një jetë më të mirë dhe më të sigurt. Gjithashtu, ne do t’i heqim të gjitha tatimet e qeverisë mbi biznesin e vogël dhe do të bëjmë zero TVSH-në për ilaçet, bukën qumështin dhe vezën”, ka saktësuar Rama. Prioritet tjetër, sipas kreut të PS-së, do të jetë ndihma për të pastrehët, për të sapolindurit, si dhe bursa e ekselencës për studentët e shkëlqyer. “50% të qirasë së të gjithë atyre që kanë nevojë për një strehë do ta garantojmë ne, ashtu sikurse do të garantojmë kredi për të gjithë të pastrehët. Ndihma për fëmijët në nevojë do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Për çdo bebe që lind do të ketë një çek, për të gjithë nxënësit e shkëlqyer do të ketë bursë ekselence. Të gjithë së bashku të ndërtojmë një plan të zhvillimit ekonomik e social, që të zgjidhë edhe çështjen e pronësisë mbi tokën”, ka premtuar Rama.

Ndërsa nga ana tjetër, ka vijuar ai, është rruga qorre e kusarisë dhe matrapazllëkut, “të cilën Elbasani nuk mund ta pranojë, duke refuzuar Saliun e Tiranës dhe Saliun e Elbasanit”.
Pas Elbasanit, Rama ndaloi në qytetin e Kavajës, ku mbylli fushatën me një miting në qendër të qytetit. Nga qyteti i Durrësit, kryesocialisti kërkoi t’i jepet votëbesim kryebashkiakut aktual Vangjush Dako edhe më 8 maj, si e vetmja alternativë për zhvillimin e qytetit bregdetar. “Dera e hapur e Bashkisë së Durrësit është dera e asaj qytetarie që kemi vënë në themel të qeverisjes sonë, që na ndan nga rruga tjetër, e cila hajdutërinë e ka vendosur në qendër. Unë vij sot i mbushur me krenari për zgjedhjen që kemi bërë 4 vite më parë”, u shpreh Rama. Sipas kryesocialistit, durrsakët nuk mund të votojnë kandidatin e Saliut që i fyen ata me gënjeshtra e bën gafa të tilla siç është ajo e përmirësimit të cilësisë së diellit, tha Rama. “Gënjeshtra e Xhaferrajt është fyerje për Durrësin. Si mund të pranohet kandidati i Saliut, që nga njëra anë gënjen për varrin e Ismail Qemalit, sepse nuk mjafton fakti që nuk e di ku e ka varrin, po u thotë qytetarëve se si ministër Kulture po bën negociata për të sjellë eshtrat e tij këtu. Kjo është fyerje për inteligjencën e këtij vendi. Çfarë mund të presësh nga një kandidat që thotë ‘unë do të përmirësoj cilësinë e diellit’!? Prandaj, më 8 maj lëreni Ferdin të ngrohet në diell dhe investoni për Dakon”, u shpreh Rama. Sipas tij, “ata që kërkojnë votën të kenë minimalisht respekt për historinë”, theksoi më tej kryesocialisti.

Rama prezanton 385 apartamente sociale

Bashkia e Tiranës përfundoi 385 apartamente në banesat sociale ku do të strehohen familje të pastreha, kryesisht ato në nevojë, por në to ende nuk mund të banohet për shkak të vendimit që duhet të marrë Këshilli Bashkiak. I pranishëm mes banorëve që pritet të banojnë në këto banesa, Edi Rama tha se në mandatin e ardhshëm do të ndërtohen 1000 apartamente të tjera, sipas një politike të integruar të Bashkisë së Tiranës për të strehuar familjet në nevojë. “Do të kemi një politikë strehimi ku njerëzve në nevojë, atyre që kërkojnë një strehë dhe e kanë të pamundur ta paguajnë, do t’u mbulohet 50 për qind e qirasë, ose t’u jepen kredi me interes të ulët për ta pasur apartamentin në një kohë të arsyeshme”, tha Rama. Kreu i Bashkisë së Tiranës ka vizituar qendrën sociale ndërtuar në këtë kompleks, duke theksuar ndërtimin e hapësirave publike, kopshtin, çerdhen, hapësirat e gjelbra apo edhe Shtëpinë e Librit. Katet e para të banesave sociale do të shërbejnë për të nxitur punësimin e të rinjve.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura