Rama: Vendi po zhvillohet kuturu, duhet plan kombëtar

Dec 22, 2011 | 11:04

Dje gjatë takimit për programin e PS

“Sot më shumë se asnjëherë duhet një politikë e re”

Kryetari i PS, Edi Rama, kërkoi dje nisjen nga puna për hartimin e planit kombëtar. Në një takim të zhvilluar në Hotel Tirana International me drejtuesit e 21 grupeve të punës që do të detajojnë programin e PS të miratuar nga Kongresi i nëntorit, Rama kërkoi nisjen e një dialogu dhe bashkëbisedimi me qytetarët për të shkruar këtë program bazuar në problematikat e qytetarëve. “Kur PS të hyjë në zgjedhje, qytetarët duhet të kenë një program të qartë. Rruga e programit tonë ka nisur me ambicie dhe do të jetë një proces i gjatë e i detajuar”, u shpreh Rama. Kreu i PS ka theksuar se shumica dërrmuese e shqiptarëve mendojnë sot se vendi po shkon në drejtimin e gabuar, gjë që sipas tij, bën të domosdoshme një politikë të re. “Shqipëria sot është një katrahurë territoriale. Organizimi i saj po shthuret dhe organizmi i saj po batërdiset nga zhvillimi kuturu. Ky zhvillim pa vizion dhe as projekt kombëtar po bën kërdinë mbi pasuritë tona natyrore, potencialet tona bujqësore e turistike, trashëgiminë tonë kulturore dhe historike. Plani i përgjithshëm kombëtar duhet të nisë tani dhe duhet të konceptohet gjatë rrugës së programit. Le ta evoluojmë tërë ekspertizën e vendit për ndihmë. Dhe le ta ndajmë me njerëzit e zakonshëm në çdo qark të Shqipërisë, si edhe në hartimin e këtij plani brenda dy viteve të para të qeverisjes, duke nisur punën tani me ta edhe me të gjitha ata”, u shpreh Rama. Kryesocialisti kërkoi kontributin e qytetarëve në detajimin e këtij programi, duke vënë në dispozicion dhe një komunikim interaktiv në faqen elektronike të PS. “Unë dua të dëgjoj dhe jo vetëm të udhëheq. Ne duhet të dëgjojmë dhe jo vetëm të udhëheqim. Të dëgjojmë njerëzit sy më sy gjatë takimeve të rrugës së programit dhe të bëjmë të mundur që ata të na takojnë edhe përmes rrugëve të teknologjisë së re. Përmes faqeve të hapura elektronike ku njerëzit mund të më shkruajnë mua dhe secilit prej jush, sepse ky nuk është rasti dhe kjo nuk është koha kur ju dhe unë mund të themi ja çfarë duhet bërë për vendin tonë, por ky është momenti kur njerëzve që duan ndryshimin dua t’u them hapur. Unë e di çfarë besoj, e di për çfarë luftoj, e di edhe pse ky vend po shkon në drejtimin e gabuar”, u shpreh Rama. Sipas tij, kursi i ri politik i PS është vazhdim i bashkëbisedimeve të mëparshme të kësaj parti me qytetarët. “Kjo është një rrugë e re politikëbërjeje, nuk është krejt e panjohur për ne. E nisëm tre vjet më parë me ‘Dialogun me Shqipërinë’ për një politikë të re për Shqipërinë. Eksperienca dramatike e manipulimit të zgjedhjeve në vitin 2009 e ndërpreu brutalisht atë dhe na futi në llogoren e rezistencës opozitare ndaj politikës së vjetër të së shkuarës.
Sot jemi rikthyer në rrugën e re me një kurs të ri politik, me edhe më shumë pasion dhe bindje se sot më shumë se asnjëherë duhet një politikë e re për Shqipërinë”, u shpreh Rama. Gjatë takimit të djeshëm, drejtuesit e grupeve të programit, të ndara sipas tematikave, hidhen idetë e tyre se si do të punojnë për detajimin e tij me ndihmën dhe kontributin e ekspertëve, por dhe të qytetarëve.

Grupet e punës për detajimin e programit
Eduard Shalsi, për planin e përgjithshëm kombëtar
Arbër Mazniku, për punësimin
Ledi Shamku, për arsimin
Kosta Bajraba, për çështjet sociale
Klodjana Spahiu, për shërbimin kombëtar shëndetësor
Merita Qato, për çështjen e pronës
Adriana Berberi, për politikat fiskale
Andis Harasani, për energjinë
Ilir Zela, për telekomunikacionin
Artan Lame, për infrastrukturën, turizmin dhe mjedisin
Ilir Gjoni, për rendin publik
Shega Ligori, për shtetin e së drejtës
Agron Duka, për zhvillimin rural
Petrit Ago, për sipërmarrjen në fshat
Artan Shkëmbi, për autonominë vendore
Keti Grazhdari, për të përndjekurit
Iris Luarasi, për mediat
Kiço Londo, për menaxhimin e kulturës
Elisa Spiropali, për politikat rinore
Fidel Ylli, për sportin
Marko Bello, për shërbimin diplomatik

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura