Kryesocialisti Rama akuzoi dje Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, se po tenton të manipulojë rezultatin zgjedhor.Në një komunikim me mediat, Rama i kërkoi kryeministrit Berisha të tërhiqet nga veprime të tilla që do të përkeqësonin klimën politike në vend. “Po tentohet të përmbyset rezultati i zgjedhjeve në Tiranë, me një vendim kryekëput të paligjshëm, një akt dhune që kërcënon vetë stabilitetin e vendit. Apeli im për Saliun është të ndalet këtu dhe të mos imponojë një shkelje ligjore që nxjerr nga kontrolli procesin dhe minon themelet e bashkëjetesës demokratike në këtë vend”, u shpreh Rama. Sipas tij, nëse KQZ vazhdon me këtë sjellje, do të ketë reagim popullor. “E pa çdo sy dhe e dëgjoi çdo vesh numërimin e votave në Tiranë. Ne fituam dhe disponojmë të 485 procesverbalet për çdo votë të numëruar në çdo kuti votimi të kryeqytetit. KQZ-ja ka detyrimin ligjor, që thjesht të shpallë rezultatin mbështetur mbi procesverbalet. S’kemi pasur kurrë ndonjë iluzion se kjo KQZ mund të sillet ndonjëherë normalisht me të drejtat ligjore të opozitës. Por kjo që po ndodh sot, kalon çdo cak të arsyes dhe kërcënon kufirin e fundmë të durimit të popullit, që votoi rezultatin e njohur botërisht”, u shpreh Rama.
Kryesocialisti shprehu gatishmërinë për të dhënë kontribut për të ndërtuar një klimë të re politike në vend, ndërsa i krahasoi veprimet e KQZ-së të ngjashme me kohë të shkuara. “Shqipëria sot ka nevojë për ekuilibër, qetësi, siguri në rrugën e saj dhe shqiptarëve politika u detyrohet respekt për votën e tyre, punë për zgjidhjen e problemeve të tyre, vizion për të ardhmen e tyre.
Ne jemi gati të japim kontributin tonë me respekt, punë e vizion për Shqipërinë e të gjithëve, ndërkohë që çka po ndodh në KQZ sot mban erën e keqe të historive të shkuara që s’mund dhe s’duhet të përsëriten”, u shpreh Rama. Kryesocialisti i kërkoi Komisionit Qendror të shpallë rezultatin për Tiranën, të mbështetur mbi procesverbalet e KZAZ-ve. “Kemi qenë të qartë këto ditë në shprehjen e vullnetit tonë për të parë përpara, duke ofruar kontributin tonë për një klimë të re politike, por nëse vihemi sot nga KQZ-ja përpara mbrapshtisë së një fakti të kryer në shkelje të ligjit, s’ka pikë dyshimi se do të reagojmë me të gjithë fuqinë e të drejtës që ka sot me vete populli mbarë. Nxjerrja e rezultatit mbi bazën e 485 procesverbaleve të 485 qendrave të votimit në Tiranë, është kërkesë e ligjit, është kërkesë e qytetarëve, është kërkesë e komunitetit ndërkombëtar e shprehur qartë sot. Ne presim me durim që kjo të ndodhë dhe i siguroj qytetarët se s’ka forcë që vjedh forcërisht rezultatin tonë fitues në Tiranë”, u shpreh Rama, gjatë daljes së djeshme para mediave nga selia rozë.
PD: Rama ka frikë nga numërimi i çdo vote
Partia Demokratike iu përgjigj dje deklaratave të Edi Ramës lidhur me verifikimin e votave të zgjedhjeve të 8 majit. “Është bërë e qartë sot nga veprimet e Edi Ramës se, nëse të gjitha votat numërohen sipas një procesi të ligjshëm, ai do të kërkojë revoltë. Është bërë e qartë nga veprimet e Edi Ramës se, nëse të gjitha votat numërohen sipas një procesi të ligjshëm, ai nuk fiton. Është bërë e qartë nga veprimet e Edi Ramës se, duke bllokuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ai në mënyrë të dëshpëruar kërkon të anashkalojë procesin e ligjshëm për përfitimet e tij personale”, u shpreh Jorida Tabaku, zv.ministre e Integrimin dhe kandidatja e parë në listën e këshilltarëve të Tiranës për Partinë Demokratike”, u shpreh Tabaku.
Aristir Lumezi
© Panorama.al











