Kryesocialisti Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve të dalin në rrugë dhe të mbështesin kauzën e PS për mbrojtjen e votës. Duke folur për vendimin e marrë dje nga KQZ për vlerësimin e votave të hedhura gabim në kutitë e tjera si të vlefshme, Rama tha se po shkelet rëndë ligji dhe demokracia në këtë vend.”Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, unë e kam bërë zgjedhjen time. Të gjithë në këmbë! Të gjithë në rrugë! Të gjithë në kërkim të së drejtës që kemi me vete dhe me fuqinë e së vërtetës që mbrojmë. Duke i falënderuar edhe njëherë miqtë e partnerët ndërkombëtare për gjithë sa bënë deri këtu, sidomos gjatë numërimit në Tiranë, u them modestish dhe sinqerisht, si qytetar i këtij vendi, si prind që dëshiron që fëmijët e tij të jetojnë në një Shqipëri demokratike, ku çdo qytetar gëzon liri e të drejta kushtetuese të panegociueshme, si kryetar i Partisë Socialiste dhe opozitës shqiptare: Mos e lini sot Shqipërinë të bjerë në humnerën teposhtë”, u shpreh Rama dje pasdite nga selia rozë. Kjo deklaratë e Ramës erdhi pas mbledhjes së Grupit Parlamentar socialist dhe një takimi që ai zhvilloi me kryetarët socialistë të bashkive në të gjithë vendin. Sipas tij, manipulimi i procesit, që ka si autor Kryeministrin, ka filluar që më 8 maj, kur Berisha ka kërkuar, sipas tij, që PS të pranojë rezultatin.
“Në kryeqytet ekziston një diferencë e madhe votash mes nesh dhe rivalit tonë. Saliu kërkoi që në fillim të numërimit që unë të pranoja rezultatin. Kohë të tëra, para 8 majit dhe ditën e votimit, të gjithë e dinin që unë isha i gatshëm ta pranoja rezultatin. Por vota e popullit na ndan dhe më 8 maj doli fitorja jonë dhe humbja e Saliut”, u shpreh Rama.
Lideri i opozitës e ka akuzuar Kryeministrin se përmes KQZ-së po realizon një “revansh antiligjor” për të sunduar vendin me regjimin e tij. “Saliu zgjodhi mospranimin e rezultatit dhe një revansh antiligjor. S’ka më keq për një vend që meriton më shumë. Vendi sundohet nga një politikë e pafytyrë, që është kthyer në një regjim. Me drejtimin e Saliut, KQZ është kthyer nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Komisionin Qendror të vjedhjeve”, u shpreh Rama. Kryesocialisti u shpreh se kryeministri Berisha, përmes përdorimit të votave, sipas tij të pavlefshme, po përmbys në mënyrë të dhunshme rezultatin e zgjedhjeve duke i imponuar regjimin e tij shoqërisë shqiptare.
“KQZ, në shkelje të ligjit, vodhi rezultatin dhe hapi ferrin për të drejtat e njeriut dhe qytetarit. Kanë qenë vota të pavlefshme dhe pikë. Kutitë nuk mund të hapeshin. Kjo përmbysje e dhunshme cenon stabilitetin e shoqërisë, që nuk do t’i përkasë oborrit të kësaj qeverie. Demokracia shqiptare po përpëlitet. Qytetarët ndodhen përpara një sistemi të tërë dhune, padrejtësie dhe korrupsioni”, ka shtuar Rama. Sipas tij, “në vend të pranimit të rezultatit transparent, të nxjerrë botërisht nga kutitë e zgjedhjeve në Tiranë, si edhe të hapjes së një faze të re politike për mirëkuptimin me opozitën, në të mirë të Shqipërisë e të çdo shqiptari, Saliu zgjodhi mospranimin e rezultatit dhe një revansh antiligjor që sot ka revoltuar mbarë Shqipërinë. Sa keq!”.
ARISTIR LUMEZI











