Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama në vazhdim të vizitës së tij në Maqedoni u takua edhe me kreun e PDSH-së Menduh Thaçi.
Pas kanë shkëmbyr librat me njëri- tjetrin, të dy bashkëbiseduesit janë shprehur të gatshëm që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Jam i bindur se këto marrëdhënie duhet të intensifikohen dhe rrugët e komunikimit duhet të shtohen me një kontakt të vazhdueshëm pasi dua të rikonfirmoj se Partia Socialiste e ndjen të domosdoshme të ketë një prani dhe një komunikim më intensiv me gjithë faktorët shqiptarë në rajon për të dhënë mbështetje edhe më të madhe për të gjitha çështjet e hapura dhe për çuar përpara proceset e integrimit dhe për t’u bërë pjesë e familjeve evropiane dhe për të mësuar nga eksperiencat e njëri tjetrit”, tha Rama pas takimit me Thaçin.
Nga ana tjetër kreu i PDSH-së është shprehur se partia që ai drejton është konstruktive por dita ditës ky konstruktivitet nuk gjen hapësirë.
“Është nder dhe kënaqësi të takosh liderin e Partisë Socialiste. Është parti me ndikim edhe tek shqiptarët e Maqedonisë, por edhe në rajon. Biseduam për çështje të brendshme të shqiptarëve të Maqedonisë, mundësinë e bashkëpunimit mes forcave politike shqiptare drejt një qëllimi madhor – integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Sigurisht se do të vazhdojnë kontaktet. Ne kemi nevojë për kontakte të këtilla edhe pse të dy partitë jemi më të vjetra, njëra në Shqipëri dhe tjetra në Maqedoni dhe me më shumë eksperiencë. Sigurisht se pata mundësi që vet zoti Rama të ma dorëzojë librin dhe e garantoj se do ta lexoj, nuk jam nga ata që nuk i lexojnë librat dhe do të vazhdojmë me këtë bashkëpunim”, ka thënë Thaçi.
© Panorama.al











