TIRANE- Delegacioni i Parlamentit Europian, i kryesuar nga Eduard Kukan u takuan sot edhe me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama.
Selia rozë njofton se gjatë takimit të dy palët kanë shkëmbyer pikëpamjet e tyre, lidhur me ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, parë nga këndvështrimi i gjetjeve dhe rekomandimeve të Komisionit Europian, konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Europian dhe rezolutave të Parlamentit Europian mbi Shqipërinë.”
Rama ka garantuar delegacionin e Parlamentit Europian mbi vullnetin e palëkundur të opozitës shqiptare për të ushtruar të gjithë përgjegjësitë në funksion të përmbushjes së 12 prioriteteve të identifikuara nga Bashkimi Europian në lidhje me aplikimin e vendit tonë për anëtarësim në BE.
Në emër të delegacionit të Parlamentit Europian, Kukan ka përshëndetur hapat e ndërmarrë nga Partia Socialiste në drejtim të fillimit të punës për reformën zgjedhore, reformën parlamentare, shqyrtimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar si edhe procesin e nisur tashmë për përzgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Në njoftimin e PS-së, thuhet gjithashtu se anëtarët e delegacionit shprehën keqardhjen e tyre dhe u distancuan nga deklaratat e fundit të kreut të grupit parlamentar EPP, Joseph Daul, në adresë të Kryetarit të Partisë Socialiste dhe opozitës shqiptare.
Tema të tjera në qendër të bisedës kanë qenë manipulimet e vëna re gjatë procesit të fundit zgjedhor, nivelin e lartë të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, reformën në drejtësi etj.
© Panorama.al











