“Rama ta marrë seriozisht situatën, të dëgjojë qytetarët”- Të Gjelbrit Evropianë mbështesin protestën, Vula Tsetsi: Test për demokracinë! Nuk mbyllet kapitulli 27 pa u zgjidhur Zverneci

Jul 1, 2026 | 14:18

Ndërkombëtarët po mbështesin çdo ditë dhe më shumë protestën e qytetarëve shqiptarë në Tiranë, që vijon prej 32 ditësh.

vula tsetsi

Bashkëkryetarja e të Gjelbërve Evropianë, Vula Tsetsi, i bën thirrje kryeministrit Edi Rama që të dëgjojë kërkesat e protestuesve që kanë dalë në rrugë.

E shoqëruar nga eurodeputetë në vizitën e saj në Shqipëri, Tsetsi thekson mbështetjen e saj për protestën qytetare në Shqipëri.

Në një intervistë dhënë për “News 24”, ajo thekson se protesta është një test për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Shqipëri. Sipas saj, Komisioni Evropian duhet të jetë shumë i qartë në qëndrimet mbi çfarë po ndodh në Shqipëri.

Në këndvështrimin e saj, sundimi i ligjit është thelbësor për procesin e integrimit evropian. Vula Tstetsi nënvizon se “liria e medias është një termometër i demokracisë”

Intervista VulaTsetsi, Bashkëkryetare e të Gjelbërve Evropianë:

Zonja Tsetsi, prej 4 javësh në Tiranë po zhvillohen protesta qytetare që kanë tërhequr edhe vëmendjen ndërkombëtare. Si e shihni ju këtë mobilizim popullor, a do ta ndiqni nga afër? Çfarë mesazhi mendoni se po përcjell ai?

Vula Tsetsi: Si bashkë-kryetare e të Gjelbërve Evropianë, së bashku me disa eurodeputetë të Partisë së të Gjelbërve erdhëm në Shqipëri për të marrë pjesë në protestë. Ne besoj se ky është një sinjal shumë i rëndësishëm për demokracinë dhe përgjegjësisë. Qytetarët kanë dalë në rrugë sepse duan të mbrojnë natyrën, por duan të mbrojnë zbatimin e ligjit. Prandaj, për ne çfarë po ndodh në rajon së bashku me zbatimin e ligjit, është e njëjta gjë. Kësisoj ne erdhëm të dëgjojmë, erdhëm të kuptojmë dhe ne erdhëm me qëllimin që të kthehemi në Bruksel për të bërë ndërhyrjet tona në nivele të ndryshme.

Protesta në Shqipëri lindi si reagim kundër projektit në Zvërnec, por kaloi shumë shpejt në kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë. A e shihni këtë si një krizë më të gjerë të besimit ndaj institucioneve?

Vula Tsetsi: Sigurisht që ky është një moment krize dhe të mungesës së besimit. Ne, sigurisht nuk jemi këtu për të gjykuar proceset demokratike dhe kryeministrin e zgjedhur. Por ne jemi këtu për të bërë një thirrje vërtetë të qartë, se çfarë po ndodh në rrugë pas 30 vitesh, duhet marrë shumë seriozisht nga Edi Rama, por gjithashtu edhe nga Komisioni Evropian. Prandaj është shumë e rëndësishme jo thjesht të thuhet se nuk është problemi im, ndërhyrje të huaja, ata duan të shkatërrojnë vendin tim, sipas kryeministrit. Por duhet përpjekje të kuptojë se përse qytetarët kanë dalë në rrugë dhe përse ata janë shumë të zhgënjyer. Nga ajo që kemi kuptuar deri tani, vërtetë nuk ka konsultim publik, nuk ka transparencë, nuk ka përgjegjësi. Prandaj ky është një moment që kryeministri të dëgjojë gjithë këta njerëz që kanë dalë në rrugë dhe të përpiqet të ndërtojë përsëri besim.

Parlamenti Evropian ka shprehur shqetësime për zhvillimet në zonat e mbrojtura natyrore në Shqipëri, për të cilin është shprehur shqetësim edhe në rezolutën e fundit të tij për Shqipërinë. A mendoni se projekti i Zvërnecit është në përputhje me standardet europiane të mbrojtjes së mjedisit dhe Kapitullin 27 të negociatave?

Vula Tsetsi: Sigurisht po flasim për një zonë që është vërtetë e mbrojtur. Është një parajsë për flamingot dhe po ashtu është një parajsë për zogjtë. Është një zonë që qartësisht duhet të mbrohet. Nuk ka asnjë mënyrë për të mbyllur asnjë kapitull, kapitullin 27, pa zgjidhur këtë çështje. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se është e lehtë të thuhet, le të vazhdojmë punën si zakonisht dhe pastaj të flasim për rishikimin e ligjit të 2024-ës dhe të shohim se çfarë do të ndodhë. Unë mendoj se kjo situatë me protestën ka shkaktuar shumë vëmendje jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Bashkimin Evropian dhe përtej. Pra ky është një test për demokracinë dhe zbatimin e ligjit. Kështu që unë nuk mendoj se do të përfundoj pa pasoja të qarta, sa i takon Kapitullit 27, por edhe sa i takon perspektivës e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Sa të rëndësishme janë transparenca dhe dialogu me qytetarët në raste të tilla, për një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian?

Vula Tsetsi: Në jemi shumë në favor të së ardhmes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në jemi shumë në favor për dëgjimin e zërit të qytetarëve që kërkojnë reforma. Sa i takon perspektivës evropiane reformat janë të nevojshme dhe për pasojë nuk duhet të injorohen. Ne i marrim ato shumë shumë seriozisht. Gjithashtu dua të them si parti politike evropiane, ne i bëjmë një thirrje jo vetëm kryeministrit Rama, por edhe familjes së tij politike, Socialdemokratëve, të cilës ai i përket, si anëtar i asociuar, ata duhet ta ndihmojnë të kuptojë se demokracia dhe përgjegjësia nuk është “a la carte” – sipas zgjedhjes, por është në zemër të vlerave të integrimit evropian.

Pas 30 ditësh protestë e qëndresë popullore, cili duhet të jetë sipas jush reagimi i kryeministrit Rama dhe qeverisë? A jeni njohur me reagimet e deritanishme të tij dhe nëse po, si i vlerësoni ato?

Ne kemi ndjekur me shumë vëmendje nga afër çfarë qeveria ka thënë. Ne kemi ndjekur nga afër se si ka reaguar Komisioni Evropian. Mendoj se kryeministri Rama është pozicionuar shumë në mbrojtje, por gjithashtu jo transparent mbi ekzakt se çfarë po ndodh. Kjo krijon një mungesë besimi të madhe tek qytetarët dhe jam e bindur se ky mobilizim do të vazhdojë nëse kjo mungesë besimi do të vijojë të ekzistojë. Gjithashtu po ndjekim shumë nga afër faktin se Komisioni Evropian është i druajtur, është i heshtur me idenë “le të shohim”. Jo, Komisioni Evropian është roja e traktateve. Komisioni Evropian duhet të jetë shumë i qartë se çfarë po ndodh në këtë vend, sa i takon zonave të ndjeshme ekologjike, nuk pranohet. Prandaj do të jetë një vonesë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Pra nuk është “punë si zakonisht”.

Shqipëria ka hapur kapituj të negociatave me Bashkimin Europian. Si e vlerësoni ritmin e deritanishëm të procesit dhe a do të pësojë ngecje në kushtet e protestës që është paralajmëruar se nuk do të ndalojë pa largimin e Ramës?

Dua të përsëris se për ne, perspektiva e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Vendi juaj është vendi me besimin më të madh kur flitet për projektin evropian. Më shumë se 90% e qytetarëve duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Kjo është unike në Ballkan. Prandaj zëri i popullit nuk mund të injorohet. Nuk mund të injorohet këtu, nuk të injorohet në Bruksel.

Në procesin e anëtarësimit në BE, sfida në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sundim i ligjit dhe pavarësia e sistemit të drejtësisë, mbeten sfidat kryesore. Sa shqetësuese janë për Bashkimin Europian raportimet e vazhdueshme për korrupsionin, klimën e vështirë për biznesin dhe mungesën e kontrollit e balancës së pushteteve në Shqipëri?

Mendoj se i takon eurodeputetëve tanë të shkojnë më thellë çështjes së korrupsionit. Ajo që ka rëndësi është se ka një hetim të pavarur dhe mendoj se kjo pavarësi është shumë e rëndësishme në këtë vend, sepse të gjitha problemet duhet të nxirren në dritë. Dua të them se Po, ka disa fusha ku është bërë përparim. Por mendoj se kur flitet për besim, kur flitet për transparencë, kur flitet për përgjegjësi, ka ende shumë për të bërë.

Në Shqipëri udhëheq një qeveri, 2 ish-zëvendëskryeministrat e së cilës akuzohen dhe hetohen për korrupsion, pastrim parash, shumë kryetarë bashkish dhe zyrtarë të tjerë po ashtu. A ka shqetësim në Parlamentin Evropian për një situatë të tillë?

Sigurisht që ka dhe në raporte të ndryshme janë ngritur këto çështje dhe dua të them se është e rëndësishme që Zëvendëskryeministrat dhe zyrtarë të tjerë politikë janë përgjegjës. Prandaj çdo gjë që do të sjellë hapje, përfshirë këtu edhe heqjen e imunitetit është e rëndësishme, sepse nëse dikush nuk ka probleme duhet të jetë tërësisht i hapur për tu gjykuar. Mendoj se është një sinjal vërtetë i rëndësishëm. Është një sinjal shqetësues, por një sinjal i rëndësishëm që këto probleme potenciale duhet të vihen në dritë. Prandaj le të kthehemi tek protestat në rrugë. Nuk janë vetëm për mjedisin. Këto janë për demokracinë dhe janë për zbatimin e ligjit.

Parlamenti Evropian jo pak herë ka ngritur shqetësime edhe për lirinë e medias. Ju po jepni intervistë në një televizion të rëndësishëm informativ dhe kritik me qeverinë, i cili 1 vit më parë u mbyll arbitrarisht dhe gazetarët u nxorën me dhunë nga mjediset e punës. Si e vlerësoni këtë zhvillim?

Liria e medias është një termometër i demokracisë. Nuk ka mundësi të kesh një shtet dhe qeveri demokratike pa hapësirë ​​frymëmarrjeje pa një media të lirë. Prandaj është e papranueshme që ka pasur presione dhe se ka pasur mënyra për të mbyllur ose për të frikësuar gazetarët. Ju kemi probleme me paditë, që është vërtetë një problem, sepse njerëzit kanë frikë se në qoftë se flasin hapur, do të jenë subjekt i organeve të drejtësisë dhe nuk do të kenë mundësi të paguajnë të gjitha paratë për të ndjekur çështjen e tyre. Është në detyrën e institucioneve, Komisionit Evropian që të ndjekin nga shumë afër se çfarë po ndodh në vend, sepse pa liri të medias nuk ka demokraci dhe nuk ka anëtarësim në Bashkimin Evropian.

A mendoni se çështjet e lirisë së medias mund të ndikojnë në ecurinë e integrimit evropian?

Sigurisht që Po! Sikundër shpjegova më herët, media është termometër i demokracisë. Nuk ka asnjë mënyrë të injorohet se në qoftë se media nuk është e lirë, populli nuk është i lirë dhe qytetarët nuk janë të mirë informuar. Prandaj kjo rrezikon të krijojë më shumë presion. Dhe Komisioni Europian nuk mund të heqë dorë nga kjo dhe nuk do të heqin dorë, sepse është pjesë e kritereve të Kopenhagës, është pjesë e kapitujve negociues kur flitet për demokracinë dhe përgjegjësinë. Ata duhet të bëjnë presion për përmirësime.

Pas kësaj vizite në Shqipëri dhe takimeve që do zhvilloni, çfarë mesazhi do përcillni në Parlamentin Evropian?

Për ne, si familje politike është e rëndësishme të dëgjojmë dhe të kuptojmë se çfarë po ndodh këtu. Tu tregojmë qytetarëve që jemi afër tyre dhe se shpresojmë vërtetë që Shqipëria do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Mesazhi im për kryeministrin Rama se duhet të dëgjojë se çfarë po ndodh në mënyrë që të punojë së bashku me qytetarët dhe jo kundër qytetarëve. Mesazhi im drejtuar familjes politike të cilës i përkas, socialdemokratëve, është se ata duhet të bëjnë vërtetë presion që kjo situatë të mos vazhdojë kështu dhe se ka një hapësirë ​​frymëmarrjeje dhe se duhet mbrojtje të natyrës në këtë vend. Sa na takon ne, ju mund të mbështeteni tek ne, sepse ky “Revolucion i Flamingove” është një moment demokracie. Është thirrja e këtyre njerëzve, të cilët thonë: “kemi nevojë për ndihmën tuaj”. Mendoj se sa i takon institucioneve evropiane dhe eurodeputetëve tanë, të paktën s ana takon ne, keni mbështetjen tonë 100%.

© Panorama.al

Te lidhura