Kryeministri Edi Rama, ka reaguar sërish përmes një postimi në rrjetet sociale ndaj kundërshtimeve për projektligjin që lidhet me shitjen e tokave bujqësore te shtetasit e huaj, duke sulmuar një tjetër aktivist të protestës që ka kundërshtuar nismën.
Rama ka sulmuar aktivistin Klajdi Bello, i cili në protestat masive që vijojnë prej më shumë se tri javësh në Tiranë, ka deklaruar se projektligji cenon drejtpërsëdrejti territorialitetin dhe Sovranitetin Kombëtar.
Ndërkohë, për kryeministrin kjo nuk është e vërtetë dhe e ka cilësuar të riun si një “patriot që nuk lexon dot një ligj me 10 nene”. Sipas tij, pretendimet për cenim të sovranitetit kombëtar nuk qëndrojnë, pasi projektligji është pjesë e procesit të negociatave për integrimin në Bashkimin Europian.
“Paj Zotin shikojeni se kush do ju shpëtojë nga unë, një patriot që nuk lexon dot një ligj me 10 nene dhe shkruan: ‘Këta gjakprishur, vijojnë me projekt ligje që vendosin në shitje tokën e shqiptarëve për pushtuesit shqipfolës e të huaj, duke cënuar drejtpërsëdrejti territorialitetin dhe Sovranitetin Kombëtar…’”, shkruan Rama. “Në fakt, ky është një nga projekt-ligjet e procesit të negociatave, i cili siç mund ta lexoni hyn në fuqi 7 vjet pas hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian”, deklaron kryeministri.
Rama shton se pas anëtarësimit në BE, rregullat për pronësinë e tokës do të jenë të njëjta me vendet e tjera anëtare, e madje, për kryeministrin, “me hyrjen në BE Shqipëria do jetë e madhe sa BE-ja”.
Rama reagim në Facebook: PO NUK BAN KURR HAJËR SHQIPNIJA, N’SE PADIJA DHE KRENIJA DO TË SHKOJNË NJIT SI TRUPI E HIJA, SHKROI GJERGJ FISHTA
Paj Zotin shikojeni se kush do ju shpëtojë nga unë, një patriot që nuk lexon dot një ligj me 10 nene dhe shkruan:
“…Këta gjakprishur, vijojnë me projekt ligje që vendosin në shitje tokën e shqiptarëve për pushtuesit shqipfolës e të huaj, duke cënuar drejtpërsëdrejti territorialitetin dhe Sovranitetin Kombëtar.
Nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që të kaloj ky ligj antikombëtar, përndryshe përshkallëzim, deri në mos bindje civile.
Sot edhe më shumë.
Deri në frymën e fundit…”
Në fakt, ky është një nga projekt-ligjet e procesit të negociatave, i cili siç mund ta lexoni hyn në fuqi 7 vjet pas hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian, kur toka mund t’u shitet pushtuesve europianë në Shqipëri, njësoj siç mund të blihet nga pushtuesit shqiptarë në Europë, sepse me hyrjen në BE Shqipëria do jetë e madhe sa BE-ja dhe BE-ja do jetë e vogël sa Shqipëria.
© Panorama.al












