Programi i ri i socialistëve, ngrihen 21 grupe pune

Dec 21, 2011 | 17:39

Partia Socialiste ka prezantuar sot rrugën që do të ndiqet drejt realizmit të plotë të programit të saj politik.

Në fjalën e tij kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama u shpreh se ky do të jetë një program i politikës së re, pasi sipas tij sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për një politikë të re.

“Sot dua tu kërkoj ndihmë të gjithë atyre që kanë diçka për të thënë për çdonjërën nga temat e programit.  Unë dua të dëgjoj shqiptarët e zakonshëm dhe jo vetëm ekspertët, edhe përtej kufijve, Greqi e Itali në të gjitha trevat tona”- tha Rama.

Më tej kreu socialist shtoi se janë ngritur 21 grupe pune për të detajuar më tej programin.

“Kjo politikë ka dështuar, po falimenton Shqipërinë. Tu japim njerëzve më shumë besim. Shqipëria është një katrahurë territoriale. Zhvillim pa vizion, dhe pa projekt kombëtar po bën kërdinë në çdo fushë. Plani i Përgjithshëm Kombëtar duhet të nisë tani.  Sfidën e hartimit të këtij plani ta ndajmë me njerëzit e zakonshëm.”- vazhdoi më tej kreu socialist.

Duke theksuar se grupi i punës i ngritur nga PS-ja, do të bëjë të mundur daljen nga katrahura, Rama tha se me anë të programit të PS-së, do të shërojmë plagët e rënda territoriale dhe si do ta kthejmë territorin në një hapësirë të re zhvillimi.

© Panorama.al

Te lidhura