
“Dramat e së shkuarës dhe hatërmbetjet në PS nuk janë arsye për të mos u bashkuar për të ardhmen”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, bëri thirrje dje për të lënë mënjanë sherret brenda së majtës në emër të një projekti që ai e pagëzoi “Rilindja shqiptare”. Sipas tij, kjo nuk është një kohë normale për Shqipërinë, për shkak të krizës ekonomike. “Dramat e së shkuarës brenda familjes së madhe të së majtës apo grindjet dhe hatërmbetjet e së djeshmes në gjirin e Partisë Socialiste, s’mund të përbëjnë kurrsesi një arsye të mirë për të mos e marrë në dorë të gjithë bashkë të ardhmen dhe për të mos bërë atë që na takon përpara se sa Saliu ta çojë Shqipërinë në humnerën tragjike të një krize financiare. Kjo nuk është një kohë normale për Shqipërinë. Themelet e financave tona publike dhe tërë ngrehina e ekonomisë shqiptare janë në rrezik”, tha Rama. Sipas tij, “programi ynë është pikërisht vullneti ynë për të marrë lidershipin moral në këtë luftë, duke vendosur veten tonë në dispozicion të plotë të shpresave e të halleve të atdheut të një milion të papunëve dhe duke i lënë mënjanë të gjitha grindjet e sherret për hesape mirëfilli politike. Sot s’ka vend për to. As brenda partisë. As midis partive. Madje as me kundërshtarin politik, me të cilin kurrë nuk do të na bashkojnë vizioni dhe idetë për Shqipërinë që duam, po asnjëherë mospëlqimi i thellë personal nuk do të na pengojë të dialogojmë në emër të interesit madhor të kombit dhe shtetit që përfaqësojmë”.
Rama e ka quajtur programin e ri të forcës së tij politike si një dokument i tri gjeneratave: themeluesve, atyre që ngritën vendin nga gërmadhat e vitit 1997 dhe prurjeve të reja. Në fjalimin e tij në Kongresin e PS-së, Rama foli rreth 80 minuta për përmbajtjen e programit me të cilin opozita do të kërkojë mandatin qeverisës në zgjedhjet e vitit 2013. “Ky është një program që do ta quaja të përvojës së madhe e të ideve të reja të shumë njerëzve. Nga ata me eksperiencë të gjatë tek ata me pasion rinor. Ky është programi i të tria gjeneratave të Partisë Socialiste. Është programi i atyre që e themeluan këtë familje politike. Është programi i atyre që e ngritën Shqipërinë nga gërmadhat e vitit ’97. Është programi i atyre që u bënë pjesë e kësaj partie në shekullin e ri. Ky është programi i reflektimeve të thella. I vullneteve të bashkuara për t’i dhënë shoqërisë një shtysë të re përpara. I kurajës për të rikrijuar vetveten, siç i takon një partie të madhe si organizëm i gjallë që jeton me kohën”, u shpreh kreu i PS-së në fjalimin e tij. Ai theksoi se programi që iu paraqit delegatëve për miratim i bën ballë krizës ekonomike dhe keqqeverisjes së vendit.
E treta, e vërteta
Edi Rama foli gjithashtu edhe për akuzat e ardhura nga maxhoranca për bllokimin e integrimit të vendit, por u ndal edhe te zgjedhjet e vitit 2009 dhe ato 2011. Sipas tij, dy herë shumica ia vodhi votat opozitës, por kjo nuk do të ndodhë për herë të tretë. “Na keni vjedhur dy herë votat. Një herë natën, dy vjet më parë, dhe një herë ditën për diell në mes të kryeqytetit, në sytë e gjithë botës për turpin e të gjithëve. Po nuk do të ketë një herë të tretë! Dhe e dini pse? Sepse tanimë edhe demokratët e thjeshtë, ata që i kanë dhënë shpirt e zemër Partisë Demokratike, e kanë kuptuar që ju nuk jeni as e djathta shqiptare dhe as një qeveri për Shqipërinë e tyre. Ju jeni vetëm një kastë grabitqare. Dhe si e tillë do të trajtoheni nga populli i majtë e i djathtë, kur hera e tretë të jetë hera e së vërtetës së të gjithë atyre që nën qeverisjen tuaj jetojnë sot shumë më keq se më parë”, theksoi Rama.
Liria në PS
Sipas tij, ky është fillimi i një rruge të re për ta ngarkuar PS-në me misionin e shpëtimit të vendit nga kriza ekonomike shpartalluese, siç e quajti Rama. Duke u ndalur te debatet e brendshme, kreu i socialistëve tha se PS-ja nuk vuan sot nga mungesa e lirisë. Sipas tij, “as nga mungesa e demokracisë apo debatit brenda saj. Partia Socialiste nuk vuan as nga mungesa e harmonisë mes brezave apo nga mungesa e punës në ekip. S’ka dyshim se liria mund të punojë akoma më mirë edhe brenda nesh. Por s’mund të mos jemi krenarë që kjo është e vetmja parti shqiptare ku liria punon. Le të bashkohemi tërësisht për t’i dhënë edhe më shumë cilësi lirisë brenda partisë”. “Të bësh ngjasime mes Partisë Socialiste dhe kazermës së Saliut në aspektin e lirisë është njësoj si të thuash se trëndafili dhe kaktusi janë e njëjta gjë. E kjo i shkon për shtat kaktusit, jo trëndafilit. Sigurisht, demokracia mund të funksionojë edhe më mirë, edhe brenda nesh. Por s’mund të mos e themi me kokën lart se kjo është e vetmja parti shqiptare që kryetarin dhe Kongresin e zgjedh me votën e drejtpërdrejtë të gjithë anëtarësisë së saj”, theksoi më tej kreu i opozitës. Sipas Ramës, të thuash sot që s’ka debat të lirë dhe demokraci brenda PS-së, është njësoj sikur të thuash që të mos i besojnë kësaj partie. Lideri i opozitës u ndal gjithashtu edhe te fenomeni i vënë re së fundi, kalimi i votave nga e majta në të djathtë në zgjedhjet e këshillave të qarqeve, pas zgjedhjeve lokale. “Sot, Partia Socialiste ka vërtet një problem për të zgjidhur me veten. Dhe për ta zgjidhur pa humbur kohë, me përkushtimin e të gjithëve dhe me përjashtimin e askujt. Ky problem është etika e përfaqësimit në të gjitha nivelet, nga deputetët te kryetarët e partisë, në territore e deri te kryetarët e organizatave. Gjithkush është i lirë të thotë atë që mendon. Po askush s’ka të drejtë të përdorë mandatin e përfaqësimit në varësi të asaj që përfiton ose nuk përfiton për vete. Është koha e një kthese të fortë etike për një moral të lartë përfaqësimi të interesave të Partisë Socialiste dhe të popullit shqiptar”, u shpreh Rama.
Pikat kryesore te Fjalimit te Ramës
.Ky është fillimi i një rruge të re, për ta kthyer programin e ri në një frymë të re besimi te njerëzit e rraskapitur nga ekonomia në krizë. Drejtësia në krizë. Demokracia në krizë. Ky është fillimi i një rruge të re, për ta futur politikën në çdo shtëpi jo me erën e dasive të së shkuarës, po me fuqinë e propozimeve për të ardhmen. Ky është fillimi i një rruge të re për ta ngarkuar Partinë Socialiste me misionin e shpëtimit të vendit nga humnera e një krize ekonomike shpartalluese.
.Partia Socialiste nuk vuan as nga mungesa e harmonisë mes brezave apo nga mungesa e punës në ekip. S’ka dyshim se liria mund të punojë akoma më mirë edhe brenda nesh. Por s’mund të mos jemi krenarë që kjo është e vetmja parti shqiptare ku liria punon. Le të bashkohemi tërësisht për t’i dhënë edhe më shumë cilësi lirisë brenda partisë.
.Sot Partia Socialiste e ka vërtet një problem për të zgjidhur me veten. Dhe për ta zgjidhur pa humbur kohë, me përkushtimin e të gjithëve dhe me përjashtimin e askujt. Ky problem është etika e përfaqësimit në të gjitha nivelet, nga deputetët te kryetarët e partisë në territore e deri te kryetarët e organizatave. Gjithkush është i lirë të thotë atë që mendon. Po askush s’ka të drejtë të përdorë mandatin e përfaqësimit në varësi të asaj që përfiton ose nuk përfiton për vete.
.Ky është një program që do ta quaja të përvojës së madhe e të ideve të reja të shumë njerëzve. Nga ata me eksperiencë të gjatë tek ata me pasion rinor. Ky është programi i të tria gjeneratave të Partisë Socialiste. Është programi i atyre që e themeluan këtë familje politike. Është programi i atyre që e ngritën Shqipërinë nga gërmadhat e vitit ’97. Është programi i atyre që u bënë pjesë e kësaj partie në shekullin e ri. Ky është programi i reflektimeve të thella. I vullneteve të bashkuara për t’i dhënë shoqërisë një shtysë të re përpara. I kurajës për të rikrijuar vetveten, siç i takon një partie të madhe si organizëm i gjallë që jeton me kohën.
.Na keni vjedhur dy herë votat. Një herë natën, dy vjet më parë, dhe një herë ditën për diell, në mes të kryeqytetit, në sytë e gjithë botës, për turpin e të gjithëve. Po nuk do të ketë një herë të tretë! Dhe e dini pse? Sepse tanimë edhe demokratët e thjeshtë, ata që i kanë dhënë shpirt e zemër Partisë Demokratike, e kanë kuptuar që ju nuk jeni as e djathta shqiptare dhe as një qeveri për Shqipërinë e tyre. Ju jeni vetëm një kastë grabitqare. Dhe si e tillë do të trajtoheni nga populli i majtë e i djathtë, kur hera e tretë të jetë hera e së vërtetës së të gjithë atyre që nën qeverisjen tuaj jetojnë sot shumë më keq se më parë.
.Programi ynë për një rilindje shqiptare më detyron një kërkesë ndjese ndaj atyre që deri dje i kemi quajtur, si gjithë të tjerët edhe ne, ish-pronarë. Që të ketë një rilindje shqiptare s’mund të ketë pronarë legjitimë që quhen ish-pronarë dhe sorollaten prej njëzet vjetësh në kalvarin e një përndjekjeje të ftohtë pas përndjekjes së përgjakshme të dyzetepesë viteve diktaturë. Pronarë dhe pikë. Dikush në Asamblenë Kombëtare tha ç’punë kemi ne me ish-pronarët e me të përndjekurit politikë që do vdesin duke i shkuar pas Saliut si lypsarë, po për ne s’do votojnë kurrë? Gabim. Për ne sot çështja e pronës nuk është një çështje elektorale, po një çështje përgjegjësie kombëtare që marrim përsipër ta zgjidhim me këtë program dhe me këtë koalicion.
Kodheli: 75 mijë vende pune çdo vit
Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli, tha në fjalën e saj në Kongresin e PS-së, se objektiv është krijimi i 75 mijë vendeve pune çdo vit. “Ne jemi kundër taksës së sheshtë. Ne do të vendosim taksimin progresiv. Ne duam një Shqipëri ku kush fiton më pak, të taksohet më pak dhe kush fiton më shumë, të taksohet më shumë. Ne do të krijojmë 75 mijë vende të reja pune për çdo vit të mandatit tonë të parë qeverisës. 300 mijë vende të reja pune në 4 vjet”, tha Kodheli. Sipas saj, “ata marrin 20% taksë për çdo kafshatë bukë. Ne do ta heqim taksën e bukës. Ata marrin 20% taksë për çdo gotë qumësht. Ne do ta heqim taksën e qumështit. Ata marrin 20% taksë për çdo kokërr vezë. Ne do ta heqim taksën e vezës. Ata marrin 10% taksë për çdo aspirinë. Ne do ta heqim taksën e ilaçeve”.
Leskaj: Kompensim të përndjekurve
Sipas deputetes së PS-së, Valentina Leskaj, qëndrimi i kësaj force politike është për dhënien sa më shpejt të dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve politikë. “Socialistët vlerësojnë me nderim edhe vuajtjet e sakrificat e të përndjekurve politikë të regjimit komunist. Angazhimi ynë është për t’i dhënë fund hipokrizisë dhe abuzimit me të përndjekurit politikë me një skemë të re të shpërblimeve”, tha Leskaj. “Brenda vitit të parë ne do t’i kompensojmë me dëmshpërblim të gjithë të përndjekurit mbi 75 vjeç. Programi ynë synon t’i japë fund pabarazive serioze ndërmjet rajoneve të ndryshme të Shqipërisë. Ne kemi një politikë të qartë për legalizimet, të cilat do t’i përfundojmë në kuadrin e zgjidhjes finale të çështjes së pronës”.
Bushati: Reformim shërbimit diplomatik
Sipas deputetit Ditmir Bushati, shërbimi diplomatik, i cili po kalon një nga periudhat më të errëta të tij për shkak të politizimit të skajshëm, do të reformohet. “Ne do të ndërtojmë një shërbim diplomatik brenda binarëve të ligjit, duke respektuar e promovuar sistemin e karrierës në shërbim të shtetit e qytetarëve, e jo pushtetit. Njëkohësisht, do të rishikojmë praninë diplomatike në botë, bazuar mbi interesat politike, ekonomike dhe kulturore të vendit”, tha Bushati. “Shqipëria është vendi me fluksin më të lartë migrator në Europë. Jashtë vendit tonë jeton mbi 30% e popullsisë ose rreth 40% e popullsisë aktive. Pavarësisht kontributit të tyre të pazëvendësueshëm në ekonominë e vendit, është i njohur raporti inekzistent ndërmjet qeverisë dhe emigracionit”.
Tahiri: Do çmontojmë korrupsionin
Duke prezantuar një pjesë të programit të PS-së, Sajmir Tahiri u ndal te lufta ndaj korrupsionit, duke thënë se “ne socialistët jemi të gatshëm t’i japim fund kësaj situate dramatike duke çmontuar nga rrënjët sistemin e korrupsionit, si dhe duke vendosur konkurrencën e ndershme dhe interesin publik në themel të qeverisjes sonë. Do të shqyrtojmë imtësisht çdo praktikë korruptive dhe do të kërkojmë me këmbëngulje drejtësi për çdo shkelës të ligjit”. Sipas tij, “do të ndërpresim menjëherë çdo formë dhune e presioni ndaj medias së pavarur, do t’i japim fund çdo forme të favorizimit shtetëror për media të caktuara, do të ndalojmë rreptësisht çdo formë piraterie televizive dhe do të transformojmë rrënjësisht Radio Televizionin Shqiptar nga një media e propagandës qeveritare, në një instrument të shërbimit publik”.
Majko: Programi ynë, gati për të bashkëpunuar me parti të djathta
Anëtari i Kryesisë socialiste, Pandeli Majko, aludoi dje një bashkëpunim me parti të djathta që janë kundër Sali Berishës. Në një fjalë të thjeshtë dhe pa letër, Majko tha se programi i PS tashmë është i përshtatshëm për një bashkëpunim dhe me parti të djathta. “Me këtë program ne sot vendosim pikat mbi ‘i’. Por nuk është vetëm ky problemi. Kam përshtypjen se me këtë program për mënyrën se si ne kemi marrë pozicionim nga pronarët që sot janë shtresa më e paprivilegjuar në Shqipëri dhe me të përndjekurit, ne ndjehemi sot të pakontraktuar për të qeverisur nesër dhe me qeveri të djathta. Do të thotë se deri dje ne e kemi pasur këtë kontraktim, imagjinoni pa këto ndryshime sa të kontraktuar ne do të ishim kur nesër, një parti e djathtë, e cila nuk do të ishte dakord me Sali Berishën, por do të ofronte votat për të qeverisur së bashku me ne, do të na kërkonte çështjen e pronave, çështjen e të përndjekurve e çështje të tjera më pas. Pra këto ndryshime duhen parë edhe si shenjë e një pragmatizmi politik, i cili ka të bëjë me evolucionin tonë, por do të ketë të bëjë nesër dhe me krijimin e një koalicioni sa më efikas për të ndryshuar, sepse hapi i fundit është matematika”, u shpreh Majko duke aluduar hapur se dera e PS tashmë është e hapur me çdo të djathtë që do ta çojë PS në pushtet. Majko vërejti ndryshimin e madh që ka ndodhur në PS lidhur me qasjen e saj ndaj ish-të përndjekurve apo ish-pronarëve, të cilët vite më parë nuk guxonte t’i përfshinte në programin e saj.
Ngjela: Ulja e taksave nuk ul gjithnjë çmimet
Kreu i Partisë Drejtësi dhe Ligj, Spartak Ngjela, hodhi kritika ndaj programit të ri të PS, duke mos qenë dakord me politikën fiskale të tij. “Unë e pashë programin tuaj dhe doja të thosha se jo gjithmonë ulja e taksave apo heqja e tyre sjell ulje të çmimeve dhe ndikon në jetën e qytetarëve. Por ju keni opsionet tuaja të majta dhe unë do ta respektoj. Por ne duhet të kapim thelbin e krizës sonë. Kriza jonë aktuale është te prodhimi. Shqipëria është një vend që vetëm tregton dhe nuk prodhon. Politikat ekonomike dhe ato fiskale duhet të stimulojnë prodhimin, duke bërë që kapitali tregtar të kthehet në kapital prodhues”, u shpreh Ngjela. Kreu i PDrLi e akuzoi Kryeministrin Berisha se nuk i përket së majtës. “Nuk është normale që një i djathtë përshëndet një kongres të një partie të majtë. Por kjo ndodh kur përpara kemi një regjim fashist. Kryeministri ynë nuk është i djathtë, sepse të djathtët janë me pavijon”, u shpreh Ngjela dje në Kongresin e PS-së.
Reagimi i PD
Partia Demokratike reagoi dje duke e quajtur një “terapi grupi” Kongresin e PS-së. Në një deklaratë për shtyp, deputeti i PD-së, Gerti Bogdani, tha se “në këtë trill, z.Berisha ndërton rrugë vetëm për veten e tij, edhe pse z.Rama shkel në të njëjtat rrugë për të shkuar në pronat e tij në Qeparo, në breg të detit, apo në klimën malore të Dardhës. Në këtë trill, djali i z. Rama udhëton për të studiuar në Paris si shpërblim për arsimimin e dobët të përftuar në institucionet e shkatërruara, sipas tij, të arsimit në Shqipëri. Në këtë trill, z. Rama ëndërron që problemet t’i zgjidhë retorika boshe, dhe jo puna e palodhur”.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











