Kryesocialisti Edi Rama i kërkoi dje faktorit ndërkombëtar të garantojnë demokracinë në vend, ndërsa përsëriti se opozita nuk do të tërhiqet nga rruga e protestave.Në dy deklarata që bëri dje, një në përgjigje të kryeministrit Berisha, Rama i kërkoi Kryeministrit të heqë dorë nga ndërhyrja që po i bën KQZ-së. “Thërrasim përsëri sot në ndihmë komunitetin e miqve dhe partnerëve të pazëvendësueshëm të popullit shqiptar, Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian, OSBE-në dhe çdo mik e partner tjetër që të mos i lënë vetëm Shqipërinë e shqiptarët në këto orë dramatike”, u shpreh Rama. Sipas liderit opozitar, Sali Berisha duhet t’i japë fund numërimit të kutive të kontestuara në KQZ, apo maskaradës së KQZ-së, siç e quajti ai. Rama paralajmëroi se PS nuk do ta njohë rezultatin për Tiranën, pasi KQZ-ja po e manipulon atë. “Saliu foli përçart, duke përforcuar maskaradën e KQZ-së. Në emër të interesave të larta të vendit, i thërras Saliut: ndaloje këtë maskaradë që e ke orkestruar ti përpara se të jetë shumë vonë. Opozita jo vetëm nuk do ta lejojë rezultatin për Tiranën, por nuk do të njohë më as qeverisë tënde. Ndaloje këtë turp që fyen çdo familje shqiptare”, tha Rama. Sipas liderit të opozitës, veprimet e KQZ-së dhe të Saliut për të manipuluar votat në tavolinë po thellojnë krizën në vend dhe po minojnë integrimin europian. “Nuk ka pikë dyshimi se Saliu po thellon krizën dhe e bën atë përgjegjësin kryesor për koston që po i shkakton integrimit të vendit. Saliu nuk e tremb dot popullin shqiptar, pasi ishte ai që i rrëmbeu rezultatin si hajdut pulash në tavolinë”, u shpreh Rama. Kryetari i PS citoi në deklaratën e tij se, “populli do të protestojë çdo ditë e më shumë për të zmbrapsur terrorin e dhunës”. “E siguroj Saliun se nuk kanë vdekur njerëzit e lirë. Saliu ka për t’i pasur përballë. Sa për ato kërcënimet për përgjigjen e merituar që do t’u japë atyre që gjoja po ushtrojnë dhunë, e siguroj se Saliu mund të trembë vetëm të tremburit, po jo opozitën shqiptare, të cilën do ta ketë përballë më të vendosur se kurrë në mbrojtje të lirisë së votës, të së drejtës së numërimit të ndershëm të votës, të fitores së marrë me votë, që duhet ta harrojë se do ta kthejë në mandat për të qeverisur qetësisht Tiranën, duke e rrëmbyer si hajdut pulash në tavolinë. Ne jemi fitimtarët e mëdhenj të 8 majit”, u shpreh Rama. Sipas tij, opozita nuk ushtron dhunë, por është ajo e dhunuara e këtij pushteti. “Ne s’bëjmë dhunë, ne jemi sot të dhunuarit që do të ngrihemi në këmbë, përditë e më të shumtë, si një trup i vetëm, për ta zmbrapsur njëherë e mirë pushtetin e dhunës dhe varrosur përgjithmonë frikën që një dallkauk oriental ka kallur në shpirtrat e gjindjes duke u përpjekur ta bëjë moçal jetën shoqërore të këtij vendi, ku e siguroj se nuk kanë vdekur njerëzit e lirë e të fortë. Ata janë shumë dhe Saliu ka për t’i pasur përballë me një të atillë vendosmëri e këmbëngulje për të drejtën e shkelur, sa atij farë burri shteti nuk ia rrok dot mendja e shthurur”, u shpreh kryesocialisti.
Vizita
Kryesocialisti Edi Rama shprehu dje keqardhjen për anulimin e vizitës së Presidentit të Komisionit Europian, Barroso, në Tiranë. “Shprehim keqardhje të madhe për anulimin e vizitës në Shqipëri të Presidentit të Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso. Ky është një sinjal aspak ogurmirë për Shqipërinë, por edhe një reagim kuptimplotë i Bashkimit Europian në kushtet kur vendi ynë po përjeton dhimbjet e dështimit dramatik të procesit zgjedhor të 8 majit”, u shpreh Rama.
Internacionalja
Internacionalja Socialiste reagoi dje për zhvillimet e fundit në Shqipëri. Veprimin e KQZ-së për të numëruar edhe votat e hedhura në kutitë e gabuara, Internacionalja Socialiste e cilëson si një veprim antidemokratik me qëllim manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve. “Ndryshimi i rezultatit fillestar është tejet shqetësues, duke e futur edhe njëherë në rrezik legjitimitetin e votës në Shqipëri dhe njëkohësisht rrit klimën e tensionuar në vend”, theksohet në deklaratë.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











