Kreu i Partisë Socialiste, duke iu referuar një raporti të papublikuar ende të OSBE/ODHIR mbi procesin zgjedhor të 8 majit, tha se ai vërtetoi se KQZ i ndryshoi rregullat e lojës tri ditë pas shpalljes së rezultatit duke përmbysur rezultatin.”Përshëndesim me respekt dhe mirënjohje OSBE/ODHIR për raportin e sotëm që tregon qartë se në aspektin ligjor KQZ ka ndryshuar rregullat e lojës 3 ditë pas rezultatit. Ndryshim ka ardhur pas kërkesës së Saliut. Pasi i ka trajnuar komisionerët që të konsideronin votat e hedhura në kutitë e gabuara, nën trysninë e Saliut, Komisioni i Vjedhjeve ka shkatërruar procesin duke e quajtur vjedhësin fitues”, u shpreh Rama gjatë një dalje për mediat në orët e vona të mbrëmjes. Duke falenderuar ndërkombëtarët për mbështetjen e tyre kreu socialist deklaroi se opozita do marrë hakun që i takon ndërkohë që konfirmoi se për këtë gjë do të ndjekin rrugën e revoltës dhe atë ligjore. “Falenderoj trojkën e ambasadorëve për mbarëvajtjen e procesit që pasi ka habitur shqiptarët ka marrë dhenë në mediat e huaja. Ne do ta marrin hakun që na takon dhe do e marrim fitoren që na takon që Saliu do të na marrë në tavolinë”, u shpreh Rama duke kërkuar nga opozita që të rezistojë. Gjatë një komunikimi për mediat pasditen e djeshme, kreu socialist paralajmëroi se nuk do ta njohë qeverinë dhe as Parlamentin nëse Kryeministri nuk tërhiqet nga kapja dhe dhunimi i institucioneve. Këtë deklaratë Rama e bëri pas denoncimit të ushtrimit të dhunës ndaj dy protestuesve të PS-së, sipas tij, nga forcat policore. “Saliu, frymëzuesi i kësaj dhune, fatkeqësisht Kryeministër i këtij vendi, i cili ka marrë peng zgjedhjet e 8 majit në Tiranë dhe e ka kthyer KQZ-në në një bandë kusarësh që vjedhin votat sy më sy, para një populli të tërë që i sheh i skandalizuar, duhet ta ketë shumë të qartë se përmes dhunës institucionale e policore jo vetëm nuk na tremb, po na bind edhe më shumë në domosdoshmërinë e një rezistence qytetare të paepur deri në fund. Nëse ai nuk ndalet, ne nuk do ta njohim më qeverinë e tij. Ne nuk do ta njohim më Parlamentin e tij. Ne nuk do t’i njohim më institucionet e kapura për fyti prej tij”, u shpreh Rama. Kryesocialisti u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtare, e veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të mos i lënë vetëm shqiptarët në këtë rrugë që kryeministri Berisha po e shtyn vendin. “I sigurojmë Shtetet e Bashkuara se dhuna nuk është rruga jonë, por u kërkojmë në emër të qytetarëve të vjedhur haptazi gjithë këto ditë në votën e tyre dhe të dhunuar mbrëmë fizikisht në errësirën e natës, që të mos e lënë Shqipërinë vetëm në të tatëpjetën e rrezikshme ku po e shtyn orë pas ore Kryeministri i vendit përmes dhunës në KQZ e nëpër prita primitive si ajo e mbrëmshmja ndaj dy djemve të pafajshëm opozitarë”, u shpreh Rama.
Plagosen dy protestues të PS, hetim policëve
TIRANE – Policia e kryeqytetit deklaroi se ka arrestuar dy vëllezër të identifikuar si pjesë e grupit të personave që kanë kundërshtuar me dhunë forcat e rendit, gjatë tubimit përpara Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Vetëm disa orë pasi ishte kryer identifikimi i tyre nga pamjet filmike, gjatë orëve të natës duke gdhirë dita e djeshme, oficerët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës, arrestuan vëllezërit Urim Marku, 27 vjeç, punonjës i Bashkisë Tiranë, i dënuar më parë për “plagosje të rëndë me dashje” dhe Shpëtim Marku, 36 vjeç. Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Tiranës, mësohet se prangosja e tyre erdhi pasi ata, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, kanë kundërshtuar me dhunë dhe fyer punonjësit e policisë në krye të detyrës. Ata akuzohen se i kanë shtyrë dhe goditur me sende të forta forcat e policisë, me synim kalimin me dhunë të kordonit të policisë, i cili ishte vendosur në pjesën hyrëse të KQZ-së, me vendim të këtij Komisioni. Drejtuesit e Partisë Socialiste kanë akuzuar forcat e Policisë së Tiranës, si autorë të plagosjes së dy vëllezërve, Urim dhe Shpëtim Marku, të cilët aktualisht ndodhen në Spitalin Ushtarak, ku edhe janë vizituar nga kryesocialisti Edi Rama, i cili është shprehur se ata u rrahën barbarisht nga policia. Pas këtyre pretendimeve të ngritura nga PS, ka reaguar Policia e Tiranës. “Në lidhje me njoftimin e bërë ditën e djeshme, ku, gjatë përplasjes fizike me forcat e policisë, janë dëmtuar dy shtetas dhe po ashtu edhe punonjësit e policisë, nga drejtuesit e Policisë së Tiranë po kryhen verifikimet e nevojshme për sqarimin e faktit nëse punonjësit e policisë kanë kryer shkelje të disiplinës sipas përcaktimeve të bëra në rregulloren e Disiplinës së Policisë së Shtetit”, deklaroi dje Policia. Gjithashtu, burime zyrtare sqaruan se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka filluar hetimet për veprimet e punonjësve të policisë përgjatë ushtrimit të detyrës, si dhe sqarimin e mëtejshëm të rrethanave nëse ka elementë për veprime të dhunshme të punonjësve të policisë. Policia e Tiranës njofton se në spitalin “Nënë Tereza” janë të shtruar duke marrë ndihmë mjekësore, 12 punonjës policie, mes të cilëve edhe zv.drejtori i Policisë së kryeqytetit, të dëmtuar gjatë tubimit para KQZ. e.d
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











