Rama: Rezultati s’përmbyset në tavolinë

May 17, 2011 | 10:41
Rama me të zgjedhurit vendorë socialistë

Kryetari socialist, Edi Rama, e cilësoi historik rezultatin e 8 majit në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë për koalicionin e majtë.Por, sipas kreut të PS-së, fitorja e arritur s’mund të përmbyset në tavolinë. “Pas një beteje që ka mbaruar në fushën e vëzhguar nga miliona sy shqiptarësh dhe nga të gjithë sytë e përqendruar të komunitetit ndërkombëtar, kurrë, askush nuk mund ta përmbysë rezultatin në tavolinë përmes rrugësh qorre që vetëm do ta futnin vendin në një tatëpjetë shumë të rrezikshme. E ardhmja, jo e shkuara, e nesërmja, jo e djeshmja, çfarë na bashkon, jo çfarë na ndan, mirëkuptimi, jo sherri, vendi ynë i përbashkët, jo sinoret e politikës së vjetër, duhet të ndriçojnë sot arsyen e kujtdo që merret me politikë”, u shpreh Rama. Kryesocialisti e bëri këtë deklaratë pas takimit që zhvilloi në selinë rozë me kryetarët e bashkive dhe komunave të fituara nga Partia Socialiste. Për Edi Ramën, duke parë nga e ardhmja, opozita është e gatshme të ofrojnë kontribut për të zhvilluar reformat e domosdoshme dhe për zgjedhjet e ardhshme. “Tanimë jemi gati të ofrojmë pa asnjë rezervë kontributin tonë për ta kthyer këtë faqe të shëmtuar, përmes një reforme të thellë që do të garantojë zgjedhje përfundimisht të lira dhe të ndershme. Fitorja e zgjedhjeve, aq më tepër një fitore e madhe si kjo e jona më 8 maj, duhet kuptuar vetëm si një shumëfishim përgjegjësish dhe angazhimesh. Ne jemi gati t’i mbajmë të gjitha përgjegjësitë dhe t’i përmbushim të gjitha angazhimet me të gjitha energjinë e jashtëzakonshme që na ka dhënë mbështetja spektakolare e shqiptarëve nga Veriu në Jug dhe të gjitha idetë dhe planet për të ardhmen për çdo komunitet që do të qeverisim sot e për të gjithë Shqipërinë që, pa asnjë dyshim, do të qeverisim nesër”, u shpreh Rama. Për kreun aktual të Bashkisë së Tiranës, i cili kandidoi për një mandat të katërt, rezultati i 8 majit është dhe një mundësi reflektimi ndaj mesazhit që jep vota e qytetarëve.
“Ne i fituam këto zgjedhje pas një beteje thellësisht të pabarabartë, ku fuqia e popullit u provua të ishte më e madhe se stërfuqia e pushtetit të frikës, parasë, medias proqeveritare dhe një sistemi të tërë deformimesh të votës. Kjo fitore është për ne një fitore historike, e cila pikërisht sepse është e jashtëzakonshme duhet të na shërbejë jo vetëm si burim frymëzimi, por edhe si burim reflektimi për mënyrën se si do ta përshkojmë rrugën e hapur të së ardhmes”, u shpreh Rama. Sipas kryesocialistit, koalicioni i majtë ka tashmë një pakt me qytetarët. “Pakti ynë qytetar është një pakt për të gjithë e me të gjithë qytetarët, pa dallim, pavarësisht se si quhen, nga vijnë, ku besojnë, çfarë mendojnë, si shprehen apo për kë votojnë. Çdo pikë e paktit tonë qytetar është sot një detyrë shtëpie për çdo të zgjedhur të Aleancës për të Ardhmen më 8 maj; si dhe një angazhim i patjetërsueshëm, prioritar, i politikës së Partisë Socialiste në Parlament, në këshillat vendorë dhe kudo ku do të debatohet për jetën e njerëzve të zakonshëm”, u shpreh Rama.

Takimi

Kryetarët e rinj të bashkive dhe komunave të fituara nga socialistët patën dje në selinë rozë një takim me Edi Ramën. Pasi ka ndarë me ta përgëzimet për fitoren, Rama u ka folur atyre rreth zgjedhjeve të Tiranës dhe përpjekjeve, sipas tij, që po bën e djathta për të kontestuar rezultatin dhe madje për ta ndërruar në tavolinë duke u shprehur se PS nuk do ta lejojë në asnjë rast këtë.

Këshilli Bashkiak i Tiranës, PS 16 mijë vota më shumë se PD

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përllogarit votat për Këshillin Bashkiak të Tiranës kur kanë mbetur ende edhe 16 kuti votimi për t’u numëruar. Partia Socialiste mbetet partia më e votuar në kryeqytet, me 100 344 vota. E dyta vjen Partia Demokratike, me 74 081 vota. Një rezultat të mirë ka arritur edhe LSI, e cila ka marrë deri tani 20 353 vota. Partia e katërt në Tiranë është Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, me 6 911 vota, ndërsa PR e pesta, me 4 334 vota. Më pas vijnë parti si LZHK, Partia Lëvizja e Legalitetit dhe Demokracia Sociale.

Votat për Këshill Bashkiak

PS     100 344 vota
PD    74 081 vota
LSI    20 353 vota
PDIU     6 911 vota
PR     4 334 vota
LZHK    3 670 vota
PLL    3 059 vota
PDS    2 885 vota
PSV91    2 498 vota
PSD     2 036 vota
PDK     1690 vota
AD    1 620 vota
G99     1 602 vota
ABK    1 486 vota
PBK    1 092 vota
PBLD    882 vota
PLD      855 vota
PDBMSH     712 vota
PGJ      707 vota
LDSH     685 vota
PAASH     652 vota
PBKD      607 vota
PDM-re     503 vota
PBPP      499 vota
PDRE       494 vota
AEK        452 vota
PKSH     436 vota
PPRSH     426 vota
PPAK      364 vota
PRD       270 vota
PAP    245 vota
PAD     193 vota
PADS      192 vota
POSH      167 vota
PK         77 vota

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura