Kryesocialisti Rama i quajti spektakolare fitoret e koalicionit të majtë në disa bashki.Në një konferencë për shtyp rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, ai i quajti spektakolare fitoret e koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, shumica e të cilave, siç tha Rama, i janë marrë keqqeverisjes së të djathtës. “Fitoret e sotme ishin spektakolare. Gjerdani i fitoreve është zgjatur dhe vazhdon të zgjatet. Falënderoj sot publikisht të gjithë fituesit. Fushë-Kruja, fitorja më e fundit me rezultat spektakolar, fitore e vështirë në Divjakë, Këlcyrën e Memaliajn që i marrim në dorëzim nga rivalët e dështuar të PD-së. Më tej, me Gramshin, një bashki që deri në momentin që flasim është mbajtur pa sukses nga PD. Me Urën Vajgurore dhe Poliçan. Rimarrim Ballshin, rikthehemi me entuziazëm dhe besim të madh se do të bëjmë shumë për Tepelenën e marrë peng nga Saliu. Rikonfirmohemi në Ersekë, një mandat pas shumë vitesh në Krumë. Do të mundohemi të nxjerrim nga agonia Sarandën. Rikthehemi në Përmet me një djalë të ri, që do të shërbejë. Sigurisht, i gëzohemi fitores së bujshme në Himarë. Pritet fitorja edhe në Kavajë. E vetmja rrugë po na bashkon edhe me ta. Mund ta quajmë të sigurt dhe fitoren në Orikum, rikonfirmojmë besimin edhe për Pogradecin, një fitore të shkëlqyer edhe në Lushnjë do marrim. Nuk diskutojmë Korçën, pavarësisht disa korçarëve të paudhë në krah të Saliut. Pas 20 vitesh ndasie na bashkuan edhe me Laçin, arritëm të shtrinim ndikimin tonë”, tha Rama. Kryetari socialist shprehu edhe shqetësimin e numërimit me hapa të ngadaltë të votave në Tiranë e Durrës, fenomen ky i denoncuar edhe nga deputetët e PS-së. Sipas Ramës, kjo është një tjetër përpjekje e Saliut për të ndalur ritmin e lokomotivës së fitoreve, Tiranës. “Rrethimi i Tiranës dhe Durrësit nga njerëz të dëshpëruar që synojnë të godasin në zemër të vendit, as më shumë e as më pak lokomotivën e fitores, që është e do të mbetet Tirana. U bëj apel atyre që po i shkojnë pas rrethimit të pamundur të Saliut, që ta ndihmojnë të ftillohet. Më 8 maj mësoi se nuk mund ta tërheqë prej hunde qytetarin”, u shpreh lideri i opozitës. Në këtë konferencë për shtyp ai shoqërohej edhe nga kandidatja femër për Bashkinë e Burrelit, Adelina Farrici, e cila, sipas Ramës, është një shembull i shkëlqyer për të gjitha gratë që ia ka dalë të mundë një kundërshtar burrë dhe “të marrë mbështetjen që na ka kënaqur e befasuar”. Vetë Farrici, fitoren e saj ua dedikon bashkëqytetarëve të saj që e votëbesuan, ndërsa premtoi se nuk do t’i zhgënjejë ata. “Unë vij këtu pas një muaji të lodhshëm, por me besim. Unë u sigurova qytetarëve të mi se vota e tyre nuk do të prekej dhe se ata do të votonin të lirë. Qyteti im i vogël tregoi që është qytet evropian, që beson te vlerat e njerëzve”, tha ajo.
Apeli
Më herët, rreth orës 15:00, kryesocialisti u kërkoi grupeve të numërimit të mos tolerojnë për asnjë moment ruajtjen e votës. Kreu i PS-së shprehu mirënjohjen e komisionerëve të PS-së në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, që iu nënshtruan trajnimit duke ruajtur konfidencialitetin dhe duke respektuar germë për germë të gjithë planin “antimanipulim”. “Beteja vazhdon, është radha e numëruesve të tregojnë vendosmërinë që treguan komisionerët. Mos lejoni të preket asnjë votë”, u shpreh Rama. “Ne i kemi fituar zgjedhjet qartë dhe saktë”, nënvizoi më tej Rama, duke rifalënderuar edhe një herë të gjithë qytetarët që ditën e djeshme votuan masivisht, duke dhënë një mbështetje të qartë për Partinë Socialiste, Aleancën për të Ardhmen dhe kandidatët tanë.
“Jemi përgatitur dy vjet për këtë ditë të bukur. Kemi qenë dhe jemi për të zmbrapsur çdo orvatje për të shtrembëruar rezultatet”, theksoi më tej Rama, i cili, duke iu drejtuar mbështetësve të tij në selinë rozë, tha se “lista e fitoreve po zgjatet” dhe paralajmëroi fitore në disa qytete të tjera “që do të jenë surprizë për të tjerë”.
Kodheli: Po sabotohet numërimi
Partia Socialiste akuzoi KQZ se po nxjerr rezultate të deformuara, ndërsa u bëri thirrje vëzhguesve të huaj të zgjasin misionin e tyre deri në përfundim të procesit të numërimit në Tiranë. “I kërkojmë OSBE/ODHIR-it që të zgjasë misionin e vëzhguesve afatshkurtër deri në përfundimin e procesit të numërimit për Bashkinë e Tiranës, për të parandaluar kësisoj sabotimin final të një procesi zgjedhor që tanimë, pa frikë, mund të quhet ndër më të dështuarit përsa u përket standardeve demokratike dhe europiane të zgjedhjeve”, u shpreh deputetja Mimi Kodheli në një konferencë për shtyp dje në mbrëmje.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











