Rama: PS do përfshijë votën e emigrantëve

Dec 19, 2011 | 15:50

Kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë takimit që zhvilloi me emigrantë shqiptarë në Selanik të Greqisë, u shpreh se partia që ai drejton kërkon të aktivizojë votën e tyre për të bërë ndryshimin e madh në Shqipëri. “Ju keni një potencial shumë të madh demokratik, brenda gjithë bashkësisë suaj, pa të cilin Shqipëria nuk e bën dot kapërcimin e madh që ne dëshirojmë, që ju e dëshironi dhe që është i domosdoshëm për ta bërë Shqipërinë vendin ku të gjithë të kenë shtëpinë e tyre të dytë në kuptimin më të mirë të fjalës, pavarësisht se jetojnë në Shqipëri sot, apo nuk jetojnë në Shqipëri sot. Pavarësisht nëse do të vijnë në Shqipëri mot, apo s’do vijnë në Shqipëri mot”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij. Vota e emigrantëve është pjesë e rëndësishme e programit të ri të socialistëve. Rama e ka cilësuar atë si një imperativ për PS-në. Në Programin e PS-së, është shprehur lideri i opozitës, secili prej shqiptarëve që jetojnë në emigracion mund të japë kontributin e tij, pasi platforma politike e prezantuar në Kongresin e 5 nëntorit ka ende nevojë për ide dhe kontribute. “Besoj se ne së bashku e ndajmë bindjen që në rast se Shqipëria do të ishte tjetër, shteti shqiptar do të ishte tjetër dhe mënyra sesi do të funksiononte shoqëria dhe vendi ynë brenda dhe jashtë do të ishte tjetër, secili nga ata që me një pasaportë shqiptare jetojnë jashtë do të shiheshin me një sy tjetër. Ju e mbani mend sesi jeni parë në fillim. Në rast se sot shiheni shumë më ndryshe sesi jeni parë në fillim, kjo është merita juaj, nuk është merita e shtetit shqiptar. Shteti shqiptar në 20 vjet nuk ka bërë asgjë të ngjashme me atë që keni bërë ju”, u shpreh Rama. Sipas tij, “ajo që ne mund të bëjmë është ajo që mund ta bëjmë së bashku. Mund ta bëjmë së bashku duke dëgjuar prej jush, duke kuptuar prej jush, duke e bërë pjesë të programit tonë atë që bën sens si shqetësimi i përbashkët i juaji”. “Ju besoj e keni ndjekur që ne kemi shkruar një program të ri. Në atë program kemi një pjesë të posaçme për emigrantët. Është hera e parë që një program partie ka një dedikim të posaçëm për emigrantët. Por është vetëm hapi i parë dhe ai nuk është një program i përfunduar, është thjesht baza e një rrugë që ne duam ta bëjmë së bashku deri në zgjedhje”, u shpreh Rama.

© Panorama.al

Te lidhura