Rama: Prishja e parkut “Rinia”, si pasojë e tensionit Nano-Meta

Nov 14, 2011 | 8:46

Pjesë nga libri “Kurban”: Ç’kam thënë për Metën, jo e vërteta e fundit për të. “Futja e ruspave, mesazh force që Iliri i jepte Fatosit”

Edhe prishja e parkut “Rinia”, të cilin e kisha kërkuar disa herë në bisedat e mia me kryeministrin Ilir Meta, duke marrë gjithnjë përgjigjen, “Lëre parkun, s’na duhen tani konflikte me njerëzit, ke plot punë të tjera për të bërë!”, erdhi si pasojë e një shpërthimi të tensionit të brendshëm mes tij e Fatosit. Fatosi ishte klient i përnatshëm i një lokali të quajtur “Lady Diana” në këndin mes bulevardit e Ministrisë së Mbrojtjes, pronari i lokalit, Gaz Demi, njihej si mik i ngushtë me kryetarin e PS-së, tradicionalisht njeri i familjes, në kuptimin më të mirë të fjalës, që mes peripecive e pasojave në kohën e sundimit autokratik të Saliut kishte bërë shqiptarin e pazakonshëm duke i qëndruar pranë udhëheqësit të opozitës gjatë gjithë viteve të këqija të burgut. Futja e ruspave në park ishte mesazhi i forcës që Iliri i dha Fatosit, duke e tronditur e turbulluar jo pak në fakt, por për mua u bë rasti i shumëpritur i fillimit të aksionit themelor që ngriti peshë zemrat e kryeqytetasve dhe vijëzoi thellë rrugën e ndryshimit që kisha në kokë…….
………. S’duhet të mendohet nga sa tregova, se Ilir Meta e ka penguar apo nuk e ka mbështetur erën e ndryshimit që filloi të frynte fort në Tiranë. Absolutisht jo. E kundërta. Ajo e tija në zyrën e kryeministrit ishte periudha e vetme e njëmbëdhjetë viteve të mia në krye të Bashkisë së Tiranës, kur Tirana ka pasur një vesh të vëmendshëm në atë zyrë ndaj çdo kërkese të Bashkisë, i gatshëm për t’u bërë pjesë e ndryshimit duke urdhëruar financime investimesh publike të konsiderueshme për kohën, i bindur në vetvete se kryeqyteti duhej të bënte kapërcimin e madh, aspak ziliqar asokohe për rritjen e hijes sime, që u kthye në makthin e atyre që e pasuan. Mes nesh kishte miqësi, një miqësi e krijuar natyrshëm dhe përgjithësisht e patrazuar nga paranoja e Ilirit, i cili aq sa duket në pamjen e jashtme një burrë i fortë, i vendosur, i palëkundur, aq është brenda vetes një fëmijë i pasigurt, i luhatur, i dhënë pas shërbëtorëve e i paaftë për të bashkëjetuar me sfidantët e mendimeve, dëshirave, tekave të veta, lehtësisht i manipulueshëm nga servilët që ia mbushin veshët me lavde për gjenialitetin e tij e me thashetheme dashakeqe për çdo njeri që shefi s’e ka për zemër dhe marrin në këmbim të besnikërisë shpërblimet bujare, për të cilat Ilir Meta ishte një mjeshtër i lindur, që në rrugëtimin e tij politik u bë një ngashënjyes i madh kokë më kokë njerëzish të të gjitha kategorive, nga deputetë, anëtarë forumesh qendrore a politikanë lokalë, te profesorë, doktorë shkencash, oficerë policie, biznesmenë, botues, gazetarë, të reja të dollandërdisura e të rinj naivë e ëndërrimtarë, e deri te kriminelë të rangut më të parë e rrugaçë të dorës më të fundit, me para, ofiqe a ndere materialisht të prekshme në radhë të parë, sigurisht, por jo domosdoshmërisht, edhe me premtime e betime që di t’i bëjë më një talent a shtirje të rrallë nuk e di, sepse i beson shumë sinqerisht vetë kur i thotë, pavarësisht se po aq sinqerisht e di fare mirë brenda vetes që s’do t’i mbajë kurrë.
Teoritë e konspiracionit, edhe ato me qesharakët, e intrigonin në çast Ilirin dhe prirja për të besuar gjithnjë gënjeshtrën më të madhe përpara së vërtetës më të thjeshtë, ishin qysh atëherë problemi që e fuste, siç e futi edhe më pas disa herë, në rrugëzgjidhjet e gabuara, ku shkatërroi me duart e tij shanse të mëdha për një politikan të ri karriere dhe hyri, thellë e më thellë, në një marrëdhënie varësie plotësisht të sëmurë me paranë e me pushtetin si gjenerator parash që riprodhojnë pushtet për të rigjeneruar para. Parë, në thelb, thellë brenda vetes, Ilir Meta ishte një djalë i mirë e mund të bëhej burrë i nderuar, sot i fikur prej stërmundimeve në të tatëpjetën e inercisë së tmerrshme, ku e mori me vete dalëngadalë emri që vuri fare i ri në shkretëtirën e mbetur te Partia e Punës pas migrimit të rinisë në krahun opozitar, pastaj mësimi i të gjitha hileve përpara çdo rregulli, siç e sintetizon paq Ndre Legisi, e më pas rrokopujë barra fatale e një pushteti për të cilin nuk ishte i përgatitur dhe që e lëshoi i turpëruar publikisht nën goditjet e paturpshme të Fatos Nanos, duke mos e gjetur dot më paskëtaj një arsye më të fortë sesa shkatërrimin e PS-së për të qëndruar në politikë dhe duke e kthyer politikën në arsyen e forcës, pasurimit, shantazhimit, njësimit me dreqin e të birin, pa ia dalë më të ndalonte për të marrë frymë e pa dashur t’ia dinte as për shtresat e njëpasnjëshme të pisllëkut a budallallëqeve që e frynë kacek, duke e ndihmuar të llokoçitej mbi sipërfaqen e llumit të pushtetit me çmimin e asfiksimit të atij djalit të mirë, harruar poshtë, në fundin e thellësisë së turbullt brenda vetes.
Sidoqoftë, e gjithë kjo është një pamje e krijuar në vite, nga afër e larg, nga brenda e jashtë, si bashkëpunëtor e kundërshtar, që ashtu siç nuk është e thënë të jetë më shumë sesa një e vërtetë thjesht imja, s’është as e thënë të mbetet e vërteta ime e fundit për Ilir Metën. Kjo botë është e bukur, sepse s’është e dhënë njëherë e përgjithnjë dhe historitë e mëkatarëve të vdekshëm, siç jemi të gjithë në mesin e vështirë të errësirës së mishit e dritës së shpirtit, që s’gjejnë kurrë rehat në ndërkalljen e mundimshme me njëra-tjetrën brenda njeriut, janë sa të pafundme, aq edhe pafundësisht të ndryshme. Kështu janë edhe fatet tona, të ndryshme jo vetëm mes tyre, po edhe brenda harkut të jetës së një njeriu të vetëm, errësira është gjithnjë më e madhe se drita në rrugën nga lindja në vdekje, rëniet janë përherë më shumë se ngritjet, zvarritja është gjithnjë më e gjatë se çastet e fluturimit, por s’mungon kurrë rasti që na jepet e rijepet për të rimarrë fluturimin, duke u nisur edhe nga aty ku s’ka më qiell e duket sikur s’ka më as shpresë. Çka pa farë dyshimi, koha s’ka për ta ndryshuar në mendjen time e s’do të ndryshojë as mendimin tim nëse kaloj ndonjëherë në këta rreshta vite më vonë është vlerësimi im pozitiv për mbështetjen e tij, në kohën kur Tirana nisi fluturimin nga aty ku s’shihej qielli e shpresa kalbej nën plehra. EDI RAMA

Rama kërcënon me gjyq “Gazetën Shqiptare”
Kreu socialist, Edi Rama, ka kërcënuar dje se do të padisë “Gazetën Shqiptare” për shkak të botimit të pjesëve nga libri i tij i ri, “Kurban”. Këtë njoftim Rama e bëri përmes rrugës së re të tij të komunikimit, Twitter, ku shprehet se gazeta ka masakruar librin e tij përmes botimit të disa pjesëve të tij. “I kërkova Arlinda Dudajt të bëjë padi për ‘Gazetën Shqiptare’ jo vetëm për vjedhje, po për masakrim të librit ‘Kurban’”, shprehet Rama. Në numrin e djeshëm, “Gazeta Shqiptare” kishte shkëputur për botim pjesë të “Kurban”, në të cilën Edi Rama jepte perceptimin e tij lidhur me ngjarje historike të ndodhura shumë vite më parë, gjatë pushtimit italian dhe ikjes së mbretit Zog nga Shqipëria. Titujt e nxjerrë nga “Gazeta Shqiptare” lidhur me këtë pasazh të librit, “Ahmet Zogu ishte hamshor, Geraldina, gjinj të bukur”, duket se e kanë shqetësuar Ramën, duke e cilësuar si masakrim të librit të tij. Më tej në Twitter, kreu socialist e konsideron të patolerueshëm botimin që pothuaj të gjitha gazetat i kanë bërë prej ditësh librit të tij, duke i bërë në të njëjtën kohë dhe një nga publicitetet më të mira, e krijuar radhë në Panair për të marrë librin e autograf nga autori gjithashtu. “I patolerueshëm shpërfytyrimi i librave përmes shfrytëzimit të teksteve pa lejen e shtëpive botuese”, vijon kryesocialisti më tej në komentin e tij në Twitter.

© Panorama.al

Te lidhura