Rama premtoi ulje të akcizë kur nafta të shkojë 220 lekë për litër, Berisha: Akt cinik dhe shpërfillje! PD ka gati paketën

Mar 24, 2026 | 13:04

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për mungesë serioziteti dhe përgjegjshmërie në lidhje me politikën e çmimeve të karburanteve në vend.

sali berisha

Sipas Berishës, Rama “ka mbetur në nivelin e batutave dhe mashtrimeve”, duke iu referuar premtimit të kryeministrit për të ndërhyrë në akcizën e naftës vetëm në rast se çmimi i saj tejkalon 220 lekë për litër.

Ai e cilësoi këtë qëndrim si “akt të papërgjegjshëm dhe cinik”, si dhe një shpërfillje ndaj qytetarëve shqiptarë.

“Rama ka ngelur ne nivelin e batutave e mashtrimeve dhe të premtimit të tij ultra cinik se do prek akcizën, kur nafta të tejkalojë 220 lekë për litër. Ky është një akt i papërgjegjshëm, është një akt cinik, është një shpërfillje e madhe për qytetarët shqiptarët”, tha kreu i PD.

Berisha bëri të ditur se Partia Demokratike ka përgatitur një paketë që synon uljen e barrës fiskale mbi karburantet

“PD ka gati paketën e programit të saj me të cilën ajo vendos mbi naftën të njëjtën ngarkesë fiskale që ka Maqedonia e Veriut dhe Kosova, ngarkesë e cila lejon këto dy vende që nuk nxjerrin asnjë litër naftë, të shesin naftën me çmim 60% më lirë se në Shqipëri. Kjo paketa do dorëzohet, ne e kemi paraqitur para shqiptarëve dhe garantoj se ajo do bëhet realitet me ardhjen në pushtet të kësaj partie”, u shpreh Sali Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura