Nën presion nga krahu i djathtë, Meloni shqyrton zgjedhje të parakohshme në Itali

Jun 23, 2026 | 16:55

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni po shqyrton mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, disa muaj përpara përfundimit të mandatit qeverisës, sipas raportimeve të “Bloomberg”.

meloni

Skenari që po diskutohet është zhvillimi i zgjedhjeve në prill të vitit 2027, në një përpjekje për të shmangur një rënie të mundshme të mbështetjes elektorale nëse procesi do të shtyhet më tej.

Sipas burimeve të cituara nga media, Meloni është e shqetësuar edhe për një situatë të mundshme ku një qeveri e dalë nga zgjedhjet në fund të vitit 2027 do të kishte pak kohë për të hartuar dhe miratuar buxhetin e shtetit përpara mbylljes së vitit.

Mësohet se kryeministrja italiane ka diskutuar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, së bashku me skenarë të tjerë politikë, edhe me zyrën e presidentit të Republikës, Sergio Mattarella, i cili ka kompetencën për shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve.

Sipas “Bloomberg”, Meloni ndodhet nën presion politik që prej muajit mars, pas humbjes në një referendum për reformën në drejtësi, zhvillim që u shoqërua edhe me largimin e tre zyrtarëve të qeverisë së saj.

Ndërkohë, një forcë e re e krahut të djathtë, “National Future”, ka shënuar rritje në sondazhe, duke e kritikuar Melonin se ka lëvizur drejt qëndrimeve më të moderuara dhe më qendrore.

Situata e re politike ka shtuar presionin mbi kryeministren italiane, e cila duhet të balancojë stabilitetin e koalicionit me sfidat që vijnë nga brenda kampit të djathtë.

© Panorama.al

Te lidhura