Partia Socialiste ka mbyllur fushatën e saj elektorale në qytetin e Korçës, ku kreu i saj, Edi Rama, mori pjesë në takimin që u zhvillua pasditen e së hënës në një nga bulevardet e këtij qyteti, në mbështetje të kandidatit Niko Peleshi.Duke përuruar me këtë rast rikonstruksionin e bulevardit “Republika”, ku u zhvillua dhe mitingu elektoral, Rama mbajti edhe fjalën e tij. “Pamë një rrugë që për shumë kohë ishte pengu i Saliut, por sot, edhe pse u mbajt peng, është transformuar tërësisht në një bulevard modern. Të gjithë Salinjtë i tremb e njëjta gjë, i tremb e bukura, i tremb qytetërimi, i tremb fuqia e ndryshimit që ne kemi sjellë në të gjithë Shqipërinë, kudo ku janë bërë transformime si në këtë bulevard në Korçë”, tha Rama. Ai shtoi se “rruga jonë është rruga e ecjes përpara me qytetarët, pa i ndarë në të majtë dhe në të djathtë, pa i ndarë sipas preferencës politike, ndërsa rruga e Saliut është një rrugë qorre, kuturu, ku rafsha, mos u vrafsha, ndërkohë që edhe çdo gjë që ai thotë nuk është as këtu, as atje”. Rama tha më tej se “Saliu duhet të përgjigjet para popullit se sa e ka ulur papunësinë, sa e ka ulur nivelin e varfërisë. Por ai nuk ka përgjigje, sepse papunësia nuk mbulohet dot me asfalt, nuk mbulohet me asfalt elektoral varfëria, asfalti elektoral nuk mbulon dot çmimet e larta që rriten çdo ditë”. Në fjalën e tij, Rama është ndalur edhe dhe te presionet ndaj administratës dhe blerja e votave për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve. Sipas tij, vota për koalicionin e majtë më 8 maj do të thotë zhbllokim të investimeve dhe ndërprerjen e presionit ndaj mësuesve dhe nëpunësve. “Sot, vizioni i Saliut dhe Salinjve të tij është modeli i uzurpimit. Vota e 8 majit nuk është një votë e majtë, por një investim i sigurt për të gjithë qytetarët, për fëmijët, të moshuarit, prindërit. Vota e 8 majit garanton Korçën dhe i thotë Salit: kurrë më, kurrë më me bllokime të investimeve, kurrë më me nëpunës e mësues që kërcënohen çdo ditë me bukën e gojës për t’u rreshtuar si ushtarë të partisë në pushtet. Shoqëria jonë duhet të reagojë me gjithë forcën e saj ndaj presioneve ndaj mësuesve. Që kurrë të mos ketë mësues që kërcënohen, mësues të survejuar, ka vetëm një rrugë: vota më 8 maj për Aleancën për të Ardhmen”, theksoi më tej Rama. Në të njëjtën kohë ai e akuzoi maxhorancën se po tenton të manipulojë zgjedhjet duke blerë votat përmes marrjes së kartave të identitetit të qytetarëve. “Me votën e 8 majit do të shkruajmë një faqe të re drejt ndryshimit të qyteteve dhe komunave, të ndryshimit të cilësisë së jetës, marrëdhëniet e shoqërisë me shtetin. Ka gjithfarë përpjekjesh për t’i shpëtuar ndëshkimit me votë më 8 maj për paudhësitë e këtyre kohëve, përpjekje për të blerë votën e për të dorëzuar kartën e identitetit me të dhënat persona për para, duke i bërë qytetarët të mbeten peng i atyre që i duan shqiptarët të varfër, të frikur, të dhunuar, se duan t’i varfërojnë dhe t’i sundojnë”, përfundoi Rama.
“Rrugën na e kishin bllokuar fotot e Berishës”
Deputeti socialist, Ben Blushi, shkel mbi posterat e Kryeministrit. Të paktën kështu ka deklaruar vetë ai, me të mbërritur në takimin elektoral të Korçës, ku kërkoi votat për kandidatin Niko Peleshi. “Dua të them se si erdhëm deri këtu, sepse sonte nuk ishte e lehtë për ne, për mua, për Nikon, për Edin, për Pandin, të vinim deri këtu. Na kishin bllokuar rrugën shokët e Saliut, të Aldos, të Ridvanit, këtu në Korçë. E di si e kishin bllokuar rrugën? E kishin mbushur rrugën me fotografitë e Saliut, të Ridvanit dhe të Aldos, duke na detyruar t’i shkelnim për të ardhur deri këtu. I shkelëm edhe Saliun, edhe Ridvanin, edhe Aldon”, theksoi Blushi, ndërsa rivalin e Peleshit, Andrea Mano, e ironizoi gjatë gjithë kohës si Sali Mano.
Papandreu takon Bollanon dhe Dulen
Në kuadrin e takimeve me anëtarët e Minoritetit Etnik Grek në Athinë, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule dhe kryetari i OMONIA-s, Vasil Bollano, patën një takim me Kryeministrin e Greqisë, Jorgos Papandreu. Zyra e shtypit e PBDNJ-së bën të ditur se “Dule dhe Bollano, krahas çështjes së të drejtave të Minoritetit Etnik Grek në Shqipëri, e informuan Papandreun si për klimën parazgjedhore në Shqipëri, ashtu dhe për aktivitetin dhe objektivat e PBDNJ-së në këto zgjedhje”. Dule dhe Bollano u takuan gjithashtu me nënkryetarin e opozitës, Dhimitris Avramopullos, por zyra e shtypit nuk jep detaje nga bashkëbisedimi.
GEZIM ASHIMI
© Panorama.al











