Rama: Nuk mund të bëhen zgjedhje të lira pas 21 janarit

Feb 25, 2011 | 13:41

Në një letër drejtuar Presidentit Topi, kryesocialisti Rama, në përgjigje të shqetësimit të Presidentit për situatën politike, shpreh gatishmëri për të biseduar në praninë e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës politike. “Pas 21 janarit ne jemi të bindur se në kushtet e sotme, zgjedhjet thjesht nuk mund të bëhen në rast se duam vërtet që ato të jenë një garë e lirë dhe e ndershme, jo një farsë edhe më e pagëlltitshme që do të nxisë precipitimin e mëtejshme të krizës”, shprehet Rama në letrën e tij. Letra e kryesocialistit vjen një ditë pas një letre që kreu i shtetit i drejtoi kryetarëve të të gjitha partive parlamentare, në përpjekje për t’u ulur në gjetjen e një zgjidhje, duke u treguar i gatshëm të luajë rolin e negociatorit mes palëve. Për kryesocialistin situata mund të ndryshojë, nëse ka vullnet politik. “Sigurisht që këto kushte mund të ndryshojnë. Këto kushte duhet të ndryshojnë e për sa na takon ne. Jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka mundemi, që ata të ndryshojnë padyshim me ndihmën e pazëvendësueshme të miqve e partnerëve të Shqipërisë. Në këtë kontekst ne besojmë se angazhimi së fundmi i komunitetit ndërkombëtar, përmes misionit të zotit Lajçak është një shans i mirë, të cilin palët nuk duhet ta humbasin bashkë me kohën që ikën”, shprehet Rama. Sipas liderit të opozitës, e vetmja zgjidhje e krizës është largimi i qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme. “Ju siguroj, se pa bërë asnjë hap prapa në kërkesën tonë legjitime e aksion opozitar të demonstratave paqësore për largimin e qeverisë dhe zgjedhje të reja, të lira e të ndershme, ne jemi gati të hedhim çdo hap të mundshëm përpara për të garantuar votën e çdo shqiptari në zgjedhjet e ardhshme vendore”, shprehet Rama. Ai thekson njëkohësisht se bojkoti i zgjedhjeve vendore nuk është opsion i opozitës, por se nuk do të lejohet që ato të jenë farsa e radhës. “Ju garantoj, se bojkoti i zgjedhjeve vendore nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë në asnjë rast një opsion i yni. Pas farsës elektorale të qershorit 2009, ne kemi qenë të bindur se nuk mund, s’duhet dhe s’do të lejojmë që zgjedhjet e radhës të jenë farsa e radhës”, shprehet Rama. Kreu socialist nënvizon bindjen e palëkundur të opozitës, se kriza politike është veçse “simptoma më kuptimplotë e një krize shumë më të rëndë sesa thjesht politike”. “Kjo është kriza e kapjes së shtetit për interesat e pushtetit, e cila përthyhet në një demokraci të kërcënuar në çdo aspekt, drejtësi të kompromentuar në çdo nivel të pushtetit gjyqësor, ekonomi të rrënuar nga korrupsioni e papunësia”, shkruan Rama në letrën e tij. Sipas tij, “brutaliteti që ushqen kapja e shtetit dhe në anën tjetër frika e pushtetit prej vetëdijësimit të popullit për nivelin marramendës të korrupsionit, ishin dy arsyet e qenësishme pse më 21 janar demonstrata paqësore e mbi njëqindmijë qytetarëve u provokua fatalist, duke degraduar në dhunën që kulmoi me katër të vrarë e shumë të plagosur prej pushkëve të Gardës Republikane”. Kryetari i PS-se vë theksin në hetimin e plotë dhe të paanshëm të kësaj ngjarjeje. “Mbështesim pa rezervë një hetim të plotë dhe të pavarur të Prokurorisë së Përgjithshme për zbardhjen e ngjarjes tragjike të 21 janarit dhe nxjerrjen e të gjitha përgjegjësive penale”, shprehet Rama në letrën drejtuar Kreut të Shtetit.

Rama, letër Presidentit Topi

n    Kriza aktuale është më shumë se krizë politike; është kriza e kapjes së shtetit për interesa të pushtetit.
n    Kapja e shtetit nga pushteti dhe frika e pushtetit prej vetëdijesimit të popullit për nivelin e korrupsionit, pësoi në degradimin e demonstratës paqësore të 21 janarit në dhunë dhe viktima
n    Aktet sporadike të dhunës së ushtruar nga demonstruesit e provokuar keqaz, janë tërësisht individuale dhe duhen hetuar e gjykuar një për një nga institucionet e pavarura.
n    Por vrasja e katër qytetarëve dhe plagosjet e dhjetëra të tjerëve jashtë perimetrit të godinave qeveritare, janë vepër kriminale, për të cilën nuk mjafton vetëm gjykimi nga gjykatat.
n    Kërkohet pa humbur kohë që edhe populli të japë gjykimin e vet për përgjegjësitë politike dhe morale ndaj atyre që na qeverisin me anë të votës, jo për zgjedhjet lokale, por votë për qeverinë e vet.
n    Shqipëria nuk mund të detyrohet ta kalojë 21 janarin si përmbytjen e radhës, apo skandalin korruptim të radhës.
n    Mbështesim pa rezervë një hetim të plotë dhe të pavarur të Prokurorisë së Përgjithshme për zbardhjen e ngjarjes tragjike të 21 janarit dhe nxjerrjen e të gjitha përgjegjësive penale
n    PS ju siguron se do të marrë pjesë aktive në jetën parlamentare, ndërsa bojkoti i zgjedhjeve vendore nuk ka qenë dhe s’do të jetë në asnjë rast opsioni i PS
n    Pas 21 janarit, në kushtet e sotme zgjedhjet s’mund të jenë një garë e lirë dhe e ndershme. Jemi të gatshëm që kjo situatë të ndryshojë me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.
n    Jemi gati të hedhim çdo hap të mundshëm për të garantuar votën e çdo shqiptari në zgjedhjet e ardhshme vendore, ndërkohë nuk do bëjmë asnjë hap prapa në organizimin e demonstratave
për largimin e qeverisë dhe organizimin e zgjedhjeve të reja

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura