“Rama nuk është më ‘Baba Zot’” – Aktivisti Andi Tepelena: Është diskretituar në sytë e shqiptarëve dhe botës! Ja çfarë pritet të ndodhë në shtator

Jul 12, 2026 | 10:52

Aktivisti Andi Tepelena theksoi se protestat kundër qeverisë kanë sjellë ndryshime në klimën politike dhe se në shtator pritet një zgjerim i kësaj lëvizjeje.

protesta andi tepelena

Në një intervistë për News24, Tepelena, pjesë e grupit organizator të protestave, u shpreh se një nga arritjet kryesore të revoltës 43-ditore është thyerja e frikës për të dalë në shesh.

Sipas tij, fakti që qytetarë me bindje të ndryshme politike po marrin pjesë në protesta dhe jehona ndërkombëtare kanë ndikuar në ndryshimin e perceptimit publik ndaj qeverisë. Aktivisti shtoi se Rama nuk është më një “Baba Zot” pasi është diskretituar në sy të qytetarëve.

“Sa i përket arritjeve të protestës, u vra frika e protestës, pak kohë më parë nuk protestohej për asgjë. U rizgjua shoqëria. Deri para një muaji të flisje me Ramën ishte i plotfuqishëm, ishte një ‘BabaZot’, ishte i plotfuqishëm sepse kishte hapur të gjithë hallkat. Sot është i diskretituar në sytë e shqiptarëve pasi të majtë e të djathtë vijnë çdo ditë në shesh, ndërsa mediat botërore hapen me tituj për atë që po ndodh në Shqipëri dhe korrupsionin e qeverisë.”, tha ai.

Tepelena theksoi se protesta do të vijojnë më të fuqishme në shtator dhe se organizatorët po punojnë për përfshirjen e grupeve të reja të interesit.

“Protesta është e qëndrueshme, nuk ka asgjë që të na trembë. Në shtator do të ketë organizim më të madh, jemi në kontakt me grupet e interesit dhe pedagogët e universiteteve. Po punojmë për zgjerimin e grupeve të interesit. Në shtator presim shumëfishim të protestës”, u shpreh ai.

© Panorama.al

Te lidhura