Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë promovimit të librit të tij “Kurban” në Shkup, ka komentuar edhe arrestimin e katër të rinjve shqiptarë ditën e festës së Pavarësisë, për shkak se vizatuan një hartë të Shqipërisë etnike në Tetovë. “Çdokush ka të drejtë të vizatojë harta. Mund të vizatojë edhe hartën e botës dhe të shkruajë ‘kjo është republika ime’ dhe çfarë të bëjnë, ta dërgojnë në Hagë dhe ta akuzojnë për krime kundër gjithë botës? Çfarë janë këta barbarë, primitivë? Kjo është e patolerueshme”, tha Rama. Gjatë qëndrimit dyditor në Shkup, Rama takoi kreun e PDSH, Menduh Thaçi dhe atë të BDI-së, Ali Ahmeti, me të cilët bisedoi rreth shtimit të kontakteve me partitë shqiptare në Maqedoni. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se Kurbani është një libër për të ardhmen. Gjatë kthimit nga Maqedonia, Rama ka bërë dje pasdite promovimin e librit të tij dhe në Korçë. “Ky është një libër për të ardhmen, nuk është një libër për të shkuarën dhe nuk është një libër kujtimesh. Është një lloj lakuriqësie që ka një brishtësi të vetën. Ju e dini që unë nuk e kam për herë të parë që zhvishem, por në këtë rast është zhveshje e një natyre tjetër”, u shpreh Rama në Korçë.











