Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel në kuadër të Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke përfaqësuar Shqipërinë.
Ai ka postuar së fundmi në rrjetin social Facebook edhe një foto nga takimi me nënpresidenten e Komisionit Evropian, Kaja Kallas.
Kallas është njëkohësisht edhe përfaqësuese e Lartë për Politikën e Jashtme të Unionit.
“Samiti BE – Ballkani Perëndimor! Bruksel, me Kaja Kallas, Zëvendëspresidente e Komisionit Europian”, shkruan shkurtimisht kreu i ekzekutivit, teksa rendit edhe një album të shkurtër fotografik.
Samiti synon të theksojë rëndësinë e marrëdhënieve politike dhe ekonomike midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik dhe nevojën për lidhje gjithnjë e më të forta midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri Rama ndodhet sot në Bruksel, për të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, me pjesëmarrjen e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve më të lartë të BE.
Në nisje të agjendës, sot Kryeministri Edi Rama u prit në një takim nga Presidenti i Këshillit të Europës Antonio Costa.
Kryeministri Rama do të marrë pjesë në seancën plenare “Thellimi i bashkëpunimit dhe avancimi i integrimit gradual, përfshirë “Roam like at home”, si dhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.” – të drejtuar nga Presidenti i Këshillit Europian Antonio Costa, me pjesëmarrjen e Presidentes së Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen, Përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë Kaja Kallas, si dhe Presidentes së Parlamentit Europian Roberta Metsola.
© Panorama.al












