“Dënuam Enverin dhe kërkuam lirimin e të burgosurve politikë”.
Partia Socialiste organizoi një takim me të rinjtë për të risjellë në vëmendje ngjarjet që çuan në Lëvizjen Studentore të dhjetorit 1990. Në një sallë të mbushur me të rinj, por dhe protagonistë të atyre ngjarjeve, të gjithë ata që morën fjalën, theksuan faktin se lëvizja studentore ishte paraprirë nga debate të gjata prej muajsh në Akademinë e Arteve me pedagogët dhe studentët, të cilët kërkonin dënimin e figurës së Enver Hoxhës dhe lirimin e ish-të burgosurve politikë. Moderator i takimit ishte sekretari i PS-së për Emigracionin dhe Rininë, Erjon Veliaj, ndërsa mikrofoni kalonte nga dora në dorë. Gjatë fjalës së tij, Edi Rama, i cili shoqërohej nga bashkëshortja Linda, akuzoi kreun e maxhorancës, Sali Berishën, se PD-ja nuk është më partia që u krijua me frymën e të gjithë shqiptarëve. “Sot jemi 20 vjet më vonë dhe nuk e di sesi dhe për çfarë rrethanash, por në fund të fundit, nuk ka gjë më interesante dhe më argëtuese sesa kur për atë që ishte dikur partia e tij, Saliu na thotë ajo është partia juaj, ndërkohë që ajo parti nuk ekziston më. Dhe ndërkohë që për atë që ishte partia jonë, Saliu thotë është partia ime. Është një paradoks i këtyre 20 viteve”, u shpreh Rama. Kryesocialisti duke risjellë ngjarjet e fillimviteve ’90 tha se fryma antiparti nisi që në 1989 në Akademinë e Arteve, ku ai ka qenë pedagog. “Kishte lindur ndërkohë një proces goxha i vështirë për t’u administruar nga ana e strukturave drejtuese dhe të institutit. Dhe ishte ngjizur një frymë antiparti, në qoftë se mund ta quajmë me këtë fjalë të hershme, dhe donin të gjithë të merrnin pjesë në mbledhjen e partisë. Kështu që u mblodh i gjithë Instituti dhe partia u detyrua të nxjerrë në skenë organizatën. Ky ishte viti ’89. Dhe për një vit me radhë këtu u akumulua një forcë e madhe opozitare, e cila funksiononte si një reaksion kulturor ndaj gjithë metodës së shkollës, të realizmit socialist, të komunikimit me pedagogët e kështu me radhë”, u shpreh Rama. Sipas tij, në këtë skenë u godit për herë të parë me zë diktatori Enver Hoxha dhe këtu në skenë doli për herë të parë në dritën e diellit një i burgosur politik. “Këto të dyja ndodhën këtu në këtë skenë pikërisht, sepse refleksionet u bënë hapësira alternative e asaj që u kthye në Partia Demokratike dhe në një strukturë që shumë shpejt filloi të fliste me zërin e të shkuarës, pavarësisht se mund të thoshte edhe gjëra të ndryshme nga ata që e përfaqësonin të shkuarën. Praktikisht, dy gjëra që Partia Demokratike nuk i bëri qysh në krye të herës dhe nuk donte t’i bënte, ishin goditja e Enver Hoxhës dhe lirimi i të burgosurve politikë”, u shpreh Rama. Të pranishëm të tjerë që morën fjalën ishin: Preç Zogaj, Ardian Klosi, Eduard Shalsi, Arben Meçe, Daut Gumeni, ndërsa këngëtari Altin Goci risolli në skenë këngë që studentët dhe pedagogët e Arteve këndonin në dhjetor 1990 në këtë sallë.
Protesta, incident me Tahirin
Deputeti socialist, Sajmir Tahiri, është fyer dhe kërcënuar nga disa të rinj teksa ishte në krye të një grupi të rinjsh të FRESSH-it në një protestë kundër qeverisë në Ditën Kombëtare të Rinisë. Tre të rinj, që nuk ishin dakord me këtë protestë në mes të rrugës, kanë penguar eurosocialistët, ndërsa gati sa nuk janë përplasur fizikisht me deputetin socialist. Kanë mjaftuar shtyrje dhe fyerje të rënda ndaj Tahirit dhe eurosocialistëve, ndërsa Policia e Shtetit që mbërriti në vendngjarje nuk ka bërë asnjë veprim ndaj kërcënuesve, por vetëm ka mbledhur pankartat e të rinjve që akuzonin dhe satirizonin ministrat e qeverisë. Në pankartat e tyre, të rinjtë e forumit eurosocialist paraqisnin premtimet e ministrave dhe realizimet e tyre. Ylli Pango, Sali Berisha, Arben Imami, Ilir Meta, Genc Ruli, Fatmir Mediu, Mesila Doda, ishin disa nga personazhet e pankartës së madhe të të rinjve, ku pasqyroheshin premtimet e tyre në dhjetor 1990 dhe se çfarë ishte bërë sot me këto premtime.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











