Kreu i PS reagon pas mbledhjes së Asamblesë: Askush s’është hequr nga askund
“Tjetër gjë se ai de fakto është distancuar larg nga PS” Mbushur gazetat sot me “çudira” nga mbledhja e Asamblesë Kombëtare. Fakt i njohur botërisht që çdo mbledhje forumesh në PS mbiprodhon “lajme”. Sepse në PS diskutohet lirisht. Gjithkush mendon dhe nuk ngurron ta thotë atë që mendon. Por çka asnjëherë nuk përputhet mes asaj që ndodh brenda mbledhjeve e fjalëve që qepen sipas qejfit e interesit të çdo gazete, është konteksti. Mbledhja e djeshme nuk ndryshonte në asgjë nga mbledhjet e zakonshme për ne, por sot ishin shkëputur krejt nga konteksti, jo vetëm fjalë të kërryera aty-këtu, po edhe vetë të dhënat e vendimmarrjes së mbledhjes. Anëtarët e Kryesisë së re janë deleguar si zakonisht për të koordinuar e monitoruar punën e partisë në gjithë territorin. Është bërë një ndarje e re dhe të gjithë kanë lëvizur nga zonat ku janë deputetë, sepse kështu e kemi parë më të arsyeshme. Për t’i dhënë një shtysë të re dhe energji të reja pozitive punës së përbashkët në çdo zonë. Gazetat janë ngutur të shkruajnë me germa të mëdha se “u hoq ky e ai që andej”. Jo, askush s’është hequr nga askund, të gjithë janë rivendosur në bazë të një plani pune të menduar e të dakordësuar bashkërisht. Ashtu sikundër s’ka pasur, siç është shkruar sot, as “rebelime” në kuptimin e keq të fjalës nga përfaqësues vendorë a grup deputetësh në Asamble, po vetëm opinione të shprehura lirisht në diskutimin e brendshëm. E si gjithmonë, në fund të diskutimit janë marrë edhe vendimet përkatëse, pa asnjë vështirësi a cenim të frymës demokratike e të angazhimit të gjithsecilit për të mirën e punës së përbashkët.
Kanë vrapuar edhe të lajmërojnë me të madhe “rikthimin” e Fatos Nanos në PS. Edhe ky një lajm i prodhuar jashtë kontekstit. Fatos Nano, si gjithë ata përfaqësues të PS-së që kanë pasur detyra të larta shtetërore, për shembull Rexhep Meidani, Servet Pëllumbi, Ylli Bufi, po edhe si ish-kryetar i PS, është anëtar ex officio i Asamblesë Kombëtare. Si i tillë ka qenë gjithnjë në listën e delegimeve në bazën e partisë të të gjithë anëtarëve të Asamblesë Kombëtare. Pra zyrtarisht, de jure, s’e ka larguar kush më parë dhe as s’e ka rikthyer kush dje. Tjetër gjë si kanë rrjedhur gjërat e çka zgjedhur të bëjë ai vetë de facto në gjithë këto vite, duke u distancuar larg nga PS-ja, po kjo s’ka të bëjë gjëkundi me mbledhjen e djeshme.
Sigurisht që pas këtyre titujve e skupeve të prodhuar nga hiçi, ka rëndom përveç nevojës për të shitur gazetën edhe një nevojë tjetër. Është nevoja e pushtetit për të cenuar frymën e brendshme të PS-së dhe imazhin e saj, duke krijuar edhe nga asgjëja diçka që të prishë shijen e publikut për PS-në, si një shtëpi ku s’ka ditë që të mos ketë sherr. Çka në fakt është krejt e pavërtetë. Siç janë të pavërtetë të tërë titujt e sotëm shkruar me të vërteta të nxjerra krejt jashtë kontekstit, për t’u kthyer qëllimisht në gënjeshtra. Gënjeshtra që shesin gazeta, duke joshur lexuesin me “sekrete” të dala nga mbledhja dhe duke bërë shërbimin e radhës për pushtetin, që shpresën e fundit të qëndrimit në këmbë ka baltosjen e PS-së e spostimin e vëmendjes së publikut të keq-qeverisur te “problemet” e PS-së edhe atëherë kur, si dje, mjafton thjesht që PS-ja të bëjë një mbledhje për të ngritur një mjegull mediatike nga asgjëja.
I shkrova këto radhë në respekt të të gjithë atyre qytetarëve që blejnë gazeta të joshur prej titujve që dalin nga mbledhjet e PS-së dhe pastaj farkëtohen në kudhrën e pushtetit për t’u kthyer në mjete të dizinformimit e të çoroditjes së publikut.
P.S. Kujt me gjasë do të kuturiset të kërrejë edhe që këtu për qëllime deformimi ndonjë titull për nesër, i kërkoj botimin e plotë të këtij shkrimi sqarues për lexuesit e keqpërdorur prej shumicës së botuesve të shtypit të përditshëm. *Titujt janë të redaksisë. Titulli i autorit: “Shumë zhurmë për asgjë” – EDI RAMA
Peticioni: Baza socialiste reagon për lëvizjet e Kryesisë
Peticione nga PS e Beratit: Braçe të mos ikë nga qarku ynë
Erjon Braçe
Drejtuesit e 12 njësive socialiste të qarkut të Beratit, në emër të socialistëve që ata drejtojnë si kryetarë partie, i kanë dërguar një peticion kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, ku kërkojnë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare Erjon Braçe të mos largohet si kandidat nga qarku i tyre. Në peticionin që është ende duke u firmosur, krerët e PS-së në njësitë vendore të këtij qarku vlerësojnë figurën e Braçes si deputet kontributin që ai ka dhënë në të gjitha fushatat zgjedhore, por dhe si nënkryetar i Grupit Parlamentar, për betejën e tij politike me maxhorancën.
Dy ditë më parë, pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, anëtari i Kryesisë socialiste, Erjon Braçe, kundërshtoi emërimin e tij nga Asambleja e PS-së në zonat zgjedhore të Devollit e Korçës. Nëpërmjet rrjetit të tij social “Facebook” thekson se nuk ka asnjë lidhje me zonat në të cilat është emëruar, dhe për këtë shkak ai e refuzon këtë detyrë që i është caktuar nga partia duke u qëndruar besnik zgjedhësve të Beratit. “Unë nuk jam i deleguar i Kryesisë së PS në disa KZAZ në Devoll e Korçës! Unë jam deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, në rrethin e Beratit! E gjitha në respekt të mandatit të marrë nga socialistët e populli në këtë rreth! Ju kam thënë: Unë nuk kam nevojë për ofiqe në parti apo kudo gjetkë! Për ofiqe nuk tradhtoj e nuk braktis asnjë socialist apo qytetar në të 11-të degët e PS-së apo njësitë administrative në Berat; tri degët e PS-së apo njësitë administrative në Kuçovë! Ky nuk ka qenë premtim parazgjedhor, por një qëndrim politik e moral, i ndërtuar e pjekur bashkë me secilin prej jush! Ky është borxhi që u kam unë socialistëve! Ofiqet le t’i mbajnë ata që rrojnë për to!”, deklaroi Braçe. Kryesia socialiste, në një mbledhje të shpejtë të dielën paradite, vendosi shpërndarjen e anëtarëve të saj në të gjitha qarqet e vendit për t’u marrë me punët e partisë dhe me detajimin e programit të ri të selisë rozë. Nga drejtues i punëve në qarkun e Beratit, Braçe është deleguar në qarkun e Korçës, së bashku me Ilir Beqjen, i cili mbulonte më parë qarkun e Shkodrës. d.xh
Isaraj: Nëse të gjithë do shkojnë, do shkoj edhe unë Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Isaraj, i cili është deleguar në qarkun e Gjirokastrës, tha dje se do të zbatojë vendimin e këtij forumi. “Unë jam i barabartë si gjithë anëtarët e tjerë të Kryesisë dhe nëse të gjithë do të shkojnë, do të shkoj edhe unë, nuk do ta thyej vendimin e Kryesisë. Por, nëse nuk shkohet, krijohen probleme dhe mbeten vende bosh. Nuk kam asgjë me qarkun e Gjirokastrës dhe gjirokastritët. Unë kam qenë dhe më parë në këtë qark dhe kam punuar, madje ruaj respektin më të mirë për socialistët dhe popullin e këtij qarku”, u shpreh Isaraj.
Anëtari i Kryesisë së PS mirëpret delegimin në Kukës
Malaj: Kam shumë dëshirë të punoj në qarkun e Kukësit
Arben Malaj
Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, u shpreh i kënaqur me delegimin që Kryesia socialiste i bëri atij, duke e vendosur në qarkun e Kukësit. “Mundësia për të qenë i deleguari i Kryesisë së Partisë Socialiste në qarkun e Kukësit(Kukës, Has dhe Tropojë) për mua është një moment i veçantë. Kam shumë dëshirë për të punuar në këtë zonë, të punoj nga afër me socialistët dhe mbështetësit e tyre. Të punoj me njerëz të mrekullueshëm të kësaj zone, ku mirësia, respekti dhe mikpritja janë vlera njerëzore të admirueshme. Bujaria unikale në pritjen e jashtëzakonshme të vëllezërve kosovarë në vitin 1999, dëshmon vlerat e veçanta të popullit të kësaj zone dhe meriton mirënjohjen e gjithë shqiptarëve”, shprehet Malaj në një prononcim të tij nga SHBA, ku ndodhet për disa javë. Sipas tij, riorganizimi i Partisë Socialiste do të japë produktet e saj në rezultatet elektorale. “Procesi i riorganizimit të strukturave partiake, hapja e partisë, integrimi në sfidën e fitores së të gjithë socialistëve, harmonizimi më i mirë dhe më i plotë midis të gjithë atyre që kanë kontribuar në vite dhe të rinjve që meritojnë të inspirohen dhe mbështeten për t’u bërë pjesë e sfidave të PS-së dhe vendit të tyre, ftesa e drejtpërdrejtë ndaj çdo qytetari, ndaj intelektualëve të kësaj zone, mbështetja e merituar e të rinjve dhe grave, identifikimi i faktorëve që na bëjnë fitues dhe reduktimi i çdo risku i ballafaqimeve të ashpra elektorale, do të jetë në thelb të angazhimit tim të drejtpërdrejtë në këtë zonë”, shprehet Malaj në reagimin e tij për delegimin në qarkun e Kukësit.
Vendimi i PS, Nano i përgjigjet Ramës
Ish-kreu socialist reagon pas përfshirjes së tij si i deleguar i Asamblesë së PS për programin në Tiranë
“Vërtet askush, përfshi z.Rama, s’më ka larguar dhe as më ka ftuar”
Ish-kryeministri Nano
Ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano, iu përgjigj shkrimit të kryetarit socialist lidhur me angazhimin e tij në qarkun e Tiranës bashkë me emrat e njohur të socialistëve. I pyetur nga “Panorama” me telefon nëse do të jetë pjesë e të deleguarve të Asamblesë së Tiranës për detajimin dhe analizën e programit, Nano u shpreh me një batutë: “Mund të konfirmoj vetëm batutën e zotit Rama, vërtet askush, përfshi dhe z. Rama, nuk më ka larguar dhe as më ka ftuar”, u përgjigj ish-kryetari socialist, Fatos Nano.
Dy ditë më parë, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, sekretari Organizativ në PS, Blendi Klosi, duke lexuar listën e ndarjes së anëtarëve të kësaj asambleje si të deleguar në të gjitha qarqet e vendit, lexoi dhe emrin e Fatos Nanos mes emrave të Edi Ramës, Rexhep Meidanit, Servet Pëllumbit, Dritëro Agollit, Ylli Bufit etj. Përfshirja e Nanos në listën e të deleguarve nuk kaloi pa u komentuar nga vetë anëtarët e Asamblesë Kombëtare, por dhe ambientet e gazetarëve, të cilët ndjekin nga afër zhvillimet e brendshme të Partisë Socialiste. Por, pas botimit të këtij lajmi në media, ishte vetë kryesocialisti që reagoi përmes një shkrimi rreth kontekstit të angazhimit të Fatos Nanos në jetën politike të Asamblesë Kombëtare. Rama shprehet se Nano, si anëtar i përhershëm i Asamblesë Kombëtare, për shkak se ka qenë Kryeministër, vazhdimisht ka marrë detyra partiake, pavarësisht se sipas Ramës, “tjetër gjë si kanë rrjedhur gjërat e ç’ka zgjedhur të bëjë ai vetë de facto në gjithë këto vite duke u distancuar larg nga PS-ja”. Nano nuk ka marrë pjesë në asnjë nga mbledhjet e Asamblesë Kombëtare që prej 2005-s, kur ai u dorëhoq nga drejtimi i partisë pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të atij viti. Dhe pse vazhdimisht mes Ramës dhe Nanos ka pasur një gjuhë të ashpër, kohët e fundit fjalori në lidhje me njëri-tjetrin është shumë më i kujdesshëm, nuk ka fyerje dhe mesazhet që jepen në adresë të njëri-tjetrit nuk prekin aspektin personal. Pak kohë më parë, gjatë një interviste televizive, Fatos Nano shprehu ambicien e tij për t’u bërë President, ndërkohë që zgjedhja e kreut të shtetit do të bëhet në muajin korrik. Nga ana e tij, kreu socialist Edi Rama, në intervistat e tij televizive nuk e ka përjashtuar, siç bënte kohë më parë në mënyrë kategorike, kandidaturën e Nanos si President i ardhshëm. Rama ka kërkuar ndërtimin e një procesi mes opozitës dhe maxhorancës për arritjen e një Presidenti konsensual. “Ne i kërkojmë një proces ku duhen dy palë, dhe nëse procesi shkon përpara, është dakordësia mes palëve që prodhon një pikëtakim, ku jo domosdoshmërisht secila palë gjen atë që i pëlqen në mënyrë absolute, por ku janë mjaftueshmërisht dakord të pranojnë produktin e këtij pikëtakimi”, është shprehur kreu socialist në deklaratat e tij të fundit.
Nano, kandidat për President Ish-kreu socialist, Fatos Nano, ka shprehur pak kohë më parë ambicien e tij për President. “Unë dhe oferta që ju e shprehët në mënyrën tuaj profesionale jemi aty, me angazhimin dobiprurës për më shumë iniciativa dhe hapësirë bipartizane ose jopartizane, në politikën shqiptare dhe në komunikimin e saj me familjen europiane, për të bërë të kundërtën e asaj që ka ndodhur, për fat të keq, dy vitet e fundit”, ka deklaruar ai për Top-Channel.
Pas vendimit të Asamblesë së socialistëve
Nano delegohet si ish-kryetar i PS, Islami harrohet si ish-kryetar Kuvendi
Kastriot Islami
Kastriot Islami nuk përfshihet në asnjë nga listat e të deleguarve të Asamblesë Kombëtare. Ish-kryetari i Kuvendit të parë pluralist shqiptar, Kastriot Islami, është anëtar i përhershëm ex officio i Asamblesë Kombëtare, bashkë me ish-kryeministrin dhe ish-presidentin socialist, por ai është lënë në harresë nga të gjithë. Sekretari Organizativ në PS, Blendi Klosi, ka lexuar të gjithë listën e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të deleguar në të gjitha qarqet e vendit, duke risjellë dhe Fatos Nanon në vëmendje të të gjithë anëtarëve të Asamblesë si të deleguar në qarkun e Tiranës. Por, edhe pse ende është anëtar i Asamblesë, Islami është injoruar nga drejtuesit socialistë. Pas largimit nga Parlamenti në momentin e votimit kundër ndaj kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke dalë kundër vendimit politik të marrë nga Grupi Parlamentar socialist, Islami u çregjistrua nga Grupi, ndërsa disa deputetë që votuan pro guvernatorit të Bankës së Shqipërisë pak javë para votimit të kreut të KLSH-së, nuk patën të njëjtin fat disiplinor partiak.