Rama: Mundimi i të përndjekurve nuk mbaroi me komunizmin

Sep 15, 2011 | 11:22
Rama gjatë promovimit të librit të Dautit

Kryesocialisti mori pjesë dje në përurimin e librit publicistik “Tranzicion apo trashëgimi”, të ish-të përndjekurit politik Daut Gumeni. Rama ishte i shoqëruar në këtë aktivitet nga deputetja Valentina Leskaj dhe deputeti Fatmir Toçi. Në fjalën e tij përshëndetëse, Rama vlerësoi vuajtjet e Gumenit në burgjet e diktaturës, por u shpreh se ato vuajtje nuk mbaruan me rënien e komunizmit. “Dua ta falënderoj Dautin për gjithçka ka arritur të bëjë në rrugën e tij të stërmundimshme, e cila nuk mbaroi fatkeqësisht me fundin e regjimit që i mori atij lirinë, por u stërzgjat siç është stërzgjatur për shumëkënd, e në radhën më të parë është stërzgjatur për ata që ishin të burgosurit e vërtetë të ndërgjegjes. Për ata që i syrgjynosën, sepse nuk pranuan të uniformizohen. Për ata që vuajtën në lëkurën e tyre dhe në lëkurën e gjithë familjarëve të tyre torturat e pashembullta, të cilat, fatkeqësisht, këta 20 vjet nuk kanë ndihmuar që t’i harrojnë. Përkundrazi, kanë bërë për këta njerëz kalimin nga tragjedia në farsë të një historie që, në fakt, në thelbin e vet është një histori që përsëritet. Përsëritet jo më në formën e saj tragjike, po në formën e saj komike, një komedi e zezë dhe e hidhur. Komedi që të bën të qeshësh me pezmatim”, u shpreh Rama. Kryesocialisti e cilësoi autorin e librit kryetar të opozitës morale shqiptare. “Pra i mbetem përgjithnjë mirënjohës Dautit jo vetëm për atë që bën shoqërisht, por edhe për atë që mua më ka dhënë personalisht. Kjo është arsyeja pse unë erdha sot këtu si mik e si qytetar, jo si kryetar i opozitës. Kjo është edhe arsyeja pse pavarësisht se sa shpesh apo se sa rrallë takohemi me Dautin, unë e konsideroj atë një nga udhëheqësit e gjithhershëm të opozitës morale shqiptare. Një ndër ata shembuj tek të cilët shumë nga ata që i thonë vetes intelektualë sot mund të gjejnë pasqyrën për t’u skuqur nga turpi, por që fatkeqësisht, për shoqërinë, nuk kanë më asnjë mundësi as të skuqen, sepse turpin e hanë përditë me bukën e pushtetit”, u shpreh Rama.

© Panorama.al

Te lidhura