
Partia socialiste zhvilloi dje mitingun përmbyllës për qarkun e Tiranës. Pallati i sportit “Asllan Rusi” dje pasdite ishte mbushur plot me mbështetës dhe simpatizantë të kandidatëve, ndërsa jashtë tij, në një podium të ngritur enkas për këtë ceremoni, këngëtarë të rinj performonin këngët e tyre hit Alban Skënderaj, Era Rusi, Orinda Huta dhe të tjerë kënduan për rreth një orë deri në nisje të mitingut. Sheshi para pallatit të Sportit ishte mbushur plot rreth orës 19:00 orë kur ishte përcaktuar fillimi i mitingut. Forca të mëdha policie kishin marrë të gjitha masat për të shmangur çdo
incident, pasi mbështetësit e PS kishin zënë dhe një pjesë të mirë të rrugës së Durrësit. Falë këtij kujdesi nuk pati asnjë
incident, edhe pse përreth gjysmë ore përpara Pallatit të Sportit kalonin mbështetësit e Partisë Demokratike me flamuj
dhe bori makinash që bënin karshillëk para socialistëve, të cilët në asnjë rast nuk iu kundërvunë. Rreth orën 19:20, në hyrje të Pallatit të Sportit u duk kreu socialist Edi Rama, i cili shoqërohej nga familja. Bashkëshortja e tij, Linda, vajza e saj Rea, Gregori djali i Edi Ramës mbërritën bashkë në Pallatin e Sportit, ku do të niste mitingu përmbyllës. Olsi, vëllai i Edi Ramës, i cili ka ditë që ka ardhur nga Kanadaja, kishte zënë vend bashkë me deputetët dhe kandidatët socialistë për kryetarë bashkish dhe komunash të qarkut të Tiranës në shkallët e Pallatit të Sportit. Mungonte dje në mitingun përmbyllës gruaja që e ka shoqëruar Ramën në çdo fushatë dhe në çdo aktivitet, Aneta, nëna e Edi Ramës. Entuziazmi kishte kohë që ishte ndezur për shkak të mbështetësve të kandidatëve nga njësitë bashkiake të Tiranës, por dhe të komunave. Të rinjtë, të veshur me bluza ku dalloheshin qartë slogani i PS, “E vetmja rrugë” dhe emri i kandidatit, mbanin flamuj kombëtarë dhe të Partisë Socialiste. Mitingut të djeshëm i mungonin pankartat, si ato që kishim parë zakonisht në protestat e PS kundër qeverisë, kryeministrit Berisha dhe kandidatit Basha. Organizatorët kishin menduar që ceremonia përmbyllëse të kishte nota dhe mesazhe pozitive, duke ia lënë negativizmin elektoral ditëve të shkuara të fushatës.
MITINGU
Organizatorët e kishin konceptuar mitingun përmbyllës të Tiranës vetëm me kandidatët e këtij qarku, dhe jo si një takim klasik me fjalimet e zakonshme. Mbi një podium të vendosur në qendër të Pallatit të Sportit, folësit dhanë mesazhet e fundit për zgjedhësit, edhe pse ata duhet t’i votonin. Organizatorët kishin përzgjedhur mesazhin që duhet të jepnin disa kandidatë që garojnë për bashki, bastione të djathta. I pari që u ngjit në podium ishte kandidati socialist për Bashkinë e Kamzës, Rakip Suli. Pas tij u ngjit kandidati për Bashkinë e Kavajës, Elvis Rroshi, bashki ku socialistët kanë shpresa të mëdha se mund ta fitojnë e që drejtohet vazhdimisht prej demokratëve. Pas Rroshit, ishte radha e Bashkim Haxhiut, kandidatit për Bashkinë e Vorës. “Të gjithë kemi shansin me Edi Ramën e PSnë, për fitore”. Duke iu referuar kandidatit kundërshtar të PD-së, Hoxhiu tha se “më 8 maj populli do t’i thotë ‘kurrë më’ arrogantit e matrapazit të votave”. Pas tre kandidatëve, Hervin Çuli, aktori i njohur i teatrit, bëri thirrje që më 8 maj të votojnë Partinë Socialiste si e vetmja rrugë, pasi “Saliu qimen e ndërron, por zakonet kurrë s’i harron”.
RAMA
Duke komunikuar me sallën, kandidati për mandatin e katërt për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama, risolli në vëmendje pikat e ‘Paktit qytetar’, që ai dhe kandidatët e tjerë socialistë në të gjithë vendin nënshkruan pak ditë më parë. “Ne jemi e vetmja rrugë e çdo njeriu të zakonshëm që beson te Shqipëria dhe talenti i këtij populli të mrekullueshëm, që beson tek puna, ndershmëria, bashkëjetesa qytetare, pavarësisht përkatësive krahinore, fetare, partiake,gjinisë dhe moshës. Kjo është e vetmja rrugë, rruga e Aleancës për të Ardhmen”, tha Rama. sipas tij, “Pakti qytetar” është platforma e vërtetë e koalicioni Aleanca për të Ardhmen. “Sot ne kemi nënshkruar një pakt qytetar, për punësimin, familjen dhe ëndrrat që bëhen realitet. Ky pakt është angazhimi ynë solemn përpara të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë, për t’i hapur një luftë të ashpër papunësisë që kërcënon të ardhmen e çdo shqiptari. Ne jemi angazhuar solemnisht në paktin tonë qytetar për të mbështetur të rejat e të rinjtë që të dalin nga rruga e papunësisë dhe të hynë në rrugën e punës dhe jetës së ndershme. Ne jemi angazhuar për t’i bërë lehtësira të forta fiskale çdo biznesi prodhues, se ne parafytyrojmë një
atdhe që ofron vende punë dhe mundësi për çdonjërin që kërkon punë të ndershme. Kurrë më presione mbi nëpunësit e shtetit. Kurrë më presione mbi ata që paguhen me kontributet e qytetarëve dhe kërcënohen me bukën e gojës”, u shpreh Rama. Duke sjellë avantazhet që kandidatët socialistë ofrojnë përmes paktit të tyre qytetar, Rama tha se ndryshimi do të ndihet dhe në lidhje me punësimin e qytetarëve. “Ne jemi angazhuar që ta përkrahim dhe mbrojmë familjen shqiptare. Asnjë taksë, për të gjithë kategoritë në nevojë. 50 për qind të qerasë për çdo familje të pastrehë që nuk mund ta paguajë. Pjesë të pandarë të përkrahjes, kujdesit dhe mbrojtjes së familjes shqiptare, ne mbrojmë të ardhmen e çdo mësuesi. Kurrë më mësues që merren me forcë në mitingjet e qeverisë. Kurrë më mësues ku shteti
tenton t’u diktojë dhe marrë me forcë votën. Jemi angazhuar ta bëjmë zero TVSH-në e ilaçeve, sepse nuk mund të ketë të moshuar që të marrin ilaçe me listë në vitin 2011. Jemi angazhuar të kemi një vend me 100% rrugë të asfaltuara, me
pastrim shembullor dhe një transport publik të standardeve evropiane, siç është Tirana e sotme”, theksoi Rama. Kreu i
PS-së më pas u është drejtuar të gjithë votuesve duke theksuar se PS-ja dhe “Aleanca për të ardhmen” janë e vetmja rrugë për të ardhmen e këtij vendi. “Motra dhe vëllezër, më lejoni që t’ju përshkruaj arsyet pse një qytetar i Tiranës, pavarësisht bindjeve dhe përkatësisë, duhet të votojë për mua, PS-në dhe ‘Aleancën për të ardhmen’. Çdo prind i këtij qyteti duhet të votojë për ‘Aleancën për të ardhmen’ dhe kandidatët tanë, sepse asnjë prind që vërtetë e do fëmijën e tij, ashtu siç çdo prind, nuk mund të lejojë kërcënimin e mësuesit të fëmijës së tij. Ai është qenia më e dashur dhe shtylla e një shoqërie demokratike të emancipuar që sheh nga e ardhmja”, tha Rama. “Të papunët duhet të votojnë se sot në qeveri janë 1 milion të papunë, që është një shifër që edhe e vetme do të bënte që Kryeministri të kërkonte falje dhe të ikte si i paaftë për ta bërë atë detyrë. Saliu nuk është Kryeministri i Shqipërisë, por thjesht përfaqësuesi i një qeverie të kthyer në regjim që flet për ju dhe mendon vetëm për vete”, theksoi Rama. Në fund të fjalës së tij, Rama thirri në podium bashkëshorten Linda për të dhënë mesazhin e fundit të këtij takimi, ndërsa një grua plakë me veshje të Jugut,
i përshëndeti që të dy.
Kandidatët e PS: Ëndrra për Tiranën vazhdon
Në mitingun e djeshëm, 11 kandidatët për minibashkitë e Tiranës dhanë mesazhet e tyre për qytetarët. Në qendër të mesazhit ishte votë për Edi Ramën dhe koalicionin “Aleanca për të ardhmen”, për të vazhduar ëndrrën e nisur dhe
për të zhbllokuar Këshillin Bashkiak”. Kandidatët e 11 njësive bashkiake janë; Lindita Nikolli, në Njësinë Nr.1, Artemon Cukalla, për Njësinë Nr.2, Enver Sulollari, për Njësinë Nr.3, Vait Kalaja, për Njëisnë Nr.4, Jeta Seitaj, për Njësinë
Nr.5, Krenar Cenollari, për Njësinë Nr.6, Erion Koka, për Njësinë Nr.7, Sadi Vorpsi, për Njësinë Nr.8, Armond Halebi, për Njësinë Nr.9, Enada Aliko, për Njësinë Nr.10 dhe Naim Asllani për Njësinë Nr. 11. “Do të kthejnë drejtimin e
minibashkisë qytetarëve. Duke i hequr nga duart pushtetin e korruptuar, për të vazhduar ëndrrën që ka Rama për Tiranën dhe për të zhbllokuar Këshillin Bashkiak të Tiranës”, tha kandidatja e PS-së për Njësinë Nr. 5, Jeta Seitaj
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











