“Por do të shpëtojnë nga kthetrat e konkurrencës së pandershme”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u ndal dje tek programi i ri i PS, “Rilindja Shqiptare”. Gjatë fjalës së tij para konventës së FRESSH-it, Rama risolli në vëmendje sistemin e ri të taksimit që propozojnë socialistët. “Kush fiton më shumë, duhet dhe do të paguajë më shumë. Kush fiton më pak, duhet dhe do të paguajë më pak. Kush s’fiton asgjë, nuk mund dhe nuk do të paguajë asgjë. Prandaj ne do t’i ulim taksat për të gjithë rrogëtarët e këtij vendi dhe do ta lehtësojmë barrën e detyrimeve për tregtarët e vegjël, që mezi mbajnë në këmbë një biznes e ca punëtorë sa për të mbijetuar”, u shpreh Rama. Sipas tij, të pasurit duhet të paguajnë më shumë dhe për këtë ata do të jenë të kënaqur. “Do të paguani më shumë sepse fitoni më shumë, por ama do të shpëtoni nga kthetrat e konkurrencës së pandershme e të korrupsionit të pandalshëm që ju rrjep pa mëshirë jo në funksion të shtetit, po në emër të pushtetit dhe për xhepat e
Rama gjatë fjalës së djeshme
njerëzve të pushtetit. Dhe do të dilni të fituar. Jo vetëm sepse do të jetoni të lirë, të papenguar në rrugën tuaj nga postblloqet e korrupsionit apo nga stërkëmbëshat e biznesmenëve të pushtetit”, u shpreh Rama. Kryesocialisti gjatë fjalës së tij kërkoi ringritjen e simboleve kombëtare, simbole që janë në themel të “Aleancës Kuq e Zi”. “Në ballkonin e shtëpisë sime vura sot në mëngjes flamurin kuqezi të Skënderbeut e të Ismail Qemalit, flamurin e pavarësisë që festojmë këtë vit. E bëra që kur të vija këtu, t’ju ftoja të gjithëve ta bëni të njëjtën gjë kur të ktheheni në shtëpi dhe pastaj së bashku t’i ftojmë të gjithë shqiptarët ta bëjnë këtë gjest, me dëshirën që më 28 Nëntor të këtij viti Shqipëria, edhe Kosova, edhe Tetova e Presheva, edhe godinat ku jetojnë shqiptarët nëpër botë, të gdhihen me flamurin kuqezi në çdo ballkon a dritare ku jeton një familje shqiptare. Kështu, një gjest i papërfillshëm i secilit do të kthehej në një gjest spektakolar të një populli të tërë, të një kombi të tërë, nëse gjithkush do ta bëjë gjestin e vet të vogël, në vetvete të padukshëm, por të domosdoshëm për ta bërë sa më madhështor gjestin e madh”, u shpreh Rama Të rinjtë
Gjatë konventës së djeshme të FRESSH
Kreu i PS-së e konsideroi forumin e ringritur, RE:FRESSH, si shansin më të mirë për të ridimensionuar politikën shqiptare. “Pa ndryshuar politikën, asgjë tjetër s’do të ndryshojë dot për çdo të ri që meriton vendin e vet në këtë shoqëri. Pa ndryshuar politikën, ju nuk ndryshoni dot realitetin e përditshëm në shkollë, lagje, në çdo komunitet që jetojmë, nuk mund të gjejmë veten në BE, në bashkësinë e kombeve të lira europiane, pa ndryshuar politikën”, tha Rama. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Rama këshilloi të rinjtë të merren me politikë, pasi sa më pak të merren me të, aq më shumë do vuajnë gabimet e saj. “Të merresh me politikë, do të thotë të refuzosh gënjeshtrën publike, cinizmin e autoriteteve zyrtare, skarcitetin e shërbimeve shtetërore, duke bashkuar zërin tënd të dobët me zërin e të tjerëve, që njësoj si ti s’mund të bëjnë asgjë vetë, të veçuar në cepin e heshtjes së tyre”, u shpreh kryesocialisti.
Flamuri Konventa e djeshme e të rinjve eurosocialistë nuk u shpëtoi dot edhe simboleve kombëtare, aq të lakuara ditët e fundit. Një flamur kombëtar gjigant u shpalos që në nisje të aktivitetit, gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar. Flamuri kaloi dorë më dorë në të gjithë sallën dhe në plate, duke u mbajtur nga të rinjtë pjesëmarrës. Konventa u mbyll me këngën “Xhamadani vija-vija”, e cila u këndua nga e gjithë salla, aq e njohur në fundvit si kënga festive e “Top-Channel”-it.
Sekretari në PS për Rininë
Veliaj: RE:FRESSH, momenti për injorim ndaj gradave e spaletave
Erjon Veliaj
Sekretari i Kryesisë socialiste për Rininë dhe Emigracionin, Erjon Veliaj, theksoi gjatë fjalës së tij hapëse të Konventës nevojën për ndryshim, ndërsa bëri të qartë që ndryshimin e vërtetë mund ta sjellin vetëm të rinjtë. “Sot jemi këtu për të thënë që Shqipëria bëhet. Është shumë e thjeshtë të biesh në zymtësinë që ofron pushteti aktual, por ne nuk do ta bëjmë këtë. Skënderbeu, Ismail Qemali apo Pandeli Majko dhe Ilir Zela, kur themeluan këtë forum, thanë që po, do të bëhet”, deklaroi Veliaj. Ai i ftoi të rinjtë të ballafaqohen dhe të konkurrojnë në PS. “Ky RE:FRESSH është momenti ynë. Kjo konventë është koha jonë. Ky është momenti për të bërë një injorim total ndaj gradave dhe spaletave. Kjo është koha për të fashitur çdo peng e qejfmbetje nga e kaluara. Ky është momenti për të përqafuar këdo e për t’u pajtuar me cilindo të ri që e do ndryshimin e Shqipërisë. Kjo është koha për një përkushtim total në këtë betejë për një Rilindje Shqiptare! Ky është momenti ynë, kjo është koha jonë, ky është viti ynë, kjo është dita jonë! Le të shkojmë ta fitojmë këtë betejë!”, u shpreh sekretari socialist.
Ambasadorët
Në Konventën Kombëtare të të Rinjve Eurosocialistë ishin të pranishëm dhe ambasadorët e trupit diplomatik, si ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE-së, Etore Sequi, ambasadorja e Britanisë së Madhe, Fiona McIllëham. Gjatë fjalës së tij, sekretari socialist për Rininë dhe Emigracionin falënderoi ambasadorin Arvizu se kishte lënë festimin e përvjetorit të martesës së tij për të ardhur në festën e rinisë socialiste.
Këngëtarët E konceptuar si festë e përvjetorit të 20-të të themelimit të FRESSH, gjatë eventit nuk mungoi dhe muzika. Këngëtarë të njohur, si Elton Deda, Alban Skënderaj, Miriam Cani dhe Besa Kokëdhima, kënduan disa nga këngët e repertorit të tyre, duke krijuar atmosferë rinore dhe festive në sallën e Pallatit të Kongreseve. Gjithashtu edhe aktori i “Portokallisë”, Gazmend Paja, përshëndeti të rinjtë dhe ftoi Ramën të marrë fjalën para të rinjve.
PD: FRESSH drejtohet nga anti PS
Mesila Doda
Partia Demokratike akuzoi dje se festimet e Konventës së të Rinjve Socialistë janë kryer pa themeluesit e vërtetë të këtij forumi. Mesila Doda theksoi se në mes të rinjve drejtues, sot punojnë ata që dikur punuan kundër qeverisjes socialiste. “Ajo që spikaste në këtë konventë, ishte mungesa e themeluesve të këtij organizmi partiak dhe drejtimi nga persona që kanë punuar pa kursim me Partinë Demokratike në rrëzimin e qeverisjes socialiste. Ardhja e zotit Veliaj në krye të FRESSH-it duhet të shqetësojë gjithë bazën politike socialiste, por edhe më gjerë. Jo vetëm për faktin se këtë organizëm e drejton njeriu që në target grupin e sulmit të tij kishte të rinjtë e plakur, siç thoshte vetë ai, por edhe se ka qenë një faktor i rëndësishëm në rrëzimin e qeverisjes socialiste, gjithashtu edhe për problematikën që e ka shoqëruar gjatë gjithë aktivitetit të tij”, u shpreh Doda.