
Kryetari i Partisë Socialiste takoi dje pasdite në Bruksel komisionerin e Zgjerimit, Stefan Fyle. Në një njoftim të shpërndarë nga zyra e shtypit e Partisë Socialiste thuhet se “kryetari Rama ka mirëpritur vlerësimet pozitive për rolin e forcës politike që drejton. Në këtë takim, ashtu siç pohon vetë lideri i opozitës, është kërkuar marrja e statusit të vendit kandidat në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të pavarësisë”. Në një prononcim për mediat në Bruksel, Rama ka thënë se ka bërë avokati për statusin e vendit kandidat për të mirën e shqiptarëve. “Ne kemi ardhur këtu për të bërë avokatin e mirë të vendit tonë. Duke sjellë një qëndrim dhe një mesazh shumë të qartë nga ana e opozitës shqiptare, që sipas nesh qeveria nuk e meriton, po shqiptarët e meritojnë mbështetjen e Komisionit Europian me propozimin për statusin e kandidatit. Shqipëria reale e standardeve europiane është ende larg. Por, gjithsesi, mendoj që shqiptarët, qytetarët shqiptarë, pavarësisht nëse janë të majtë ose të djathtë, nuk meritojnë të ndëshkohen për të tretën herë radhazi për shkak të keqqeverisjes dhe të detyrave të paplotësuara të shtëpisë ndaj tyre nga ana e qeverisë që nuk u bën të mundur një Shqipëri të standardeve europiane në jetën e tyre të përditshme”, u shpreh Rama. Në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, Partia Socialiste hapi dhe një ekspozitë në Bruksel, në ambientet e Parlamentit Europian, me harta të vjetra që tregojnë momente të ndryshme nga historia e Shqipërisë.











