Berisha: Rama, kundër Rrugës së Kombit. Mohimi, i kotë

Dec 16, 2011 | 11:41

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka përsëritur sot para studentëve të Kosovës se kreu i PS-së, Edi Rama ka qenë kundër Rrugës së Kombit.

“Rama ka të drejtë të rishqyrtojë gabimet, por të deklarosh se nuk ke qenë kundër rrugës, akuzon veten tënde se shqiptarët kanë memorie të kthjellët”- tha Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me një grup studentësh të Kosovës.

Ai ka sqaruar për studentët se rruga vërtetë është e kushtueshme, por është ndërtuar si një kryevepër, në një terren mjaft të vështirë dhe me koston më të ulët të mundshme. “Rruga është në ndërtimet që kompania që ka ndërtuar tunelin e Lamashit dhe ka me mijëra rrugë e ura të ndërtuara në Europë e Botë, e rendit këtë rrugë një nga kryeveprat”- tha ai. Sipas tij, kjo rrugë është një rrugë e kushtueshme, “por atyre që u bien borive se ka një korrupsion prej qindra milionë euro, u them kostoja për kilometër është më pak se 10 milionë euro, kësaj rruge në një vend mik është ndërtuar një autostradë që kalon në një terren shumë më pak të vështirë me kosto 13 milionë euro për km”-theksoi Berisha.

Sipas tij, të shpallësh shuma marramendëse që nuk kanë asnjë dokument, asnjë fakt tregon se kundërshtarët u bërë pjesë e atyre lobeve që luftuan me të gjitha mjetet për të bllokuar ndërtimin e rrugës. “Kreu i PS-së, me disa segmente të tjera të këtushme e kryesoi këtë procesion, por nuk penguan dot, rruga u ndërtua në trajektoren më të shkurtër”- tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura