“Rama ka kryer punë, siç iku Balluku, ashtu do ikë edhe ai”- Ish-kandidatja e PD: SPAK ka trokitur në derën e kreut të qeverisë

Feb 16, 2026 | 15:29

Kryeministri Edi Rama po mbron me çdo kusht Belinda Ballukun, sepse nëpërmjet saj mbron pushtetin e tij dhe sulmon drejtësinë.

Ilirjana Kucana

Kreu i qeverisë “ka kry punë” dhe “siç iku Balluku, ashtu do largohet edhe ai. Kështu u shpreh sot në studion e “News 24” Ilirjana Kuçana, anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së dhe njëkohësisht ish-kandidate për deputete në zgjedhjet e 11 majit 2025 në qarkun Durrës.

Ajo komentoi situatën më të fundit politike, e veçanërisht nismën e qeverisë për ndryshimet ligjore, me qëllim kufizimin e drejtësisë tek pezullimi i zyrtarëve të lartë.

“SPAK ka trokitur në derën e Ramës dhe ai do bëjë gjithçka për ta penguar. Kushtetuta është e barabartë për të gjithë, përfshirë edhe politikanët, nëse Rama nuk e ka kuptuar këtë pjesë është problem i tij, ligji është i barabartë për të gjithë, pse mbron vetëm Ballukun dhe jo Veliajn e të tjerët. Ai është i shqetësuar, ndaj po sulmon drejtësinë”, argumentoi ajo.

Kuçana u shpreh e bindur se ashtu siç iku zv/kryeministrja Balluku, tashmë e pezulluar me vendim të GJKKO dhe e pandehur nga SPAK, teksa Kushtetuesja la në fuqi edhe vendimin e pezullimit, ashtu do të largohet edhe Rama.

“E kam thënë, siç iku Balluku ashtu do iki edhe Rama, nuk ka as Bruksel që e mbron. Rama të lëshojë Ballukun dhe të mos pengojë mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Rama po përpiqet të mbrojë Ballukun sepse e kam thënë, ajo është fundi i Edi Ramës, ndaj ai nuk po mbron në dukje Ballukun por veten e tij, aepse aty është pas edhe dosja e AKSHI-t, edhe familja”, vijoi ish-kandidatja për deputete.

Sipas politikanes opozitare, kjo do mbahet mend si qeveria më e korruptuar, ndaj edhe kryeministri do bëjë gjithçka për të mbrojtur karrigen e tij. Ndaj për këto arsye, sipas Kuçanës “Rama ka kry punë”, ashtu sikurse edhe Balluku.

“Kjo do mbahet mend si qeveria më e korruptuar, për afera dhe njerëz të dënuar. Me treçerekun e kryebashkiakëve të akuzuar apo në burg, me zv/kryeministren e pandehur, me një tjetër në kërkim, me ministra të arrestuar. Ndaj them se Edi Rama ka kryer punë. Ai po mbron karrigen e tij. Ai po përpiqet të mbajë pushtetin me çdo formë, me çdo mënyrë, me kartelet e drogës, me njerëzit e tij, me pasuritë e të tjera”, komentoi ajo.

Kuçana dha një opinion edhe për ftesën e presidentit Donald Trump për kryeministrin Edi Rama në Bordin e Paqes, në takimin që do mbahet në SHBA. Ajo u shpreh se ftesa është për Shqipërinë dhe jo për Ramën.

“Sa për ftesën e Bordit të paqes ajo është ftesë për Shqipërinë”, u shpreh anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së.

Kuçana u shpreh se “loja e Edi Ramës është në oborrin e tij me njerëzit e besuar”, duke shtuar se personat që, sipas saj, kanë ndarë tenderë dhe para publike, kanë vepruar në shërbim të rrethit të kryeministrit.

Duke iu referuar ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, ajo deklaroi se, sipas saj, përpara se SPAK të marrë masa, kryeministri gjen pretekst që bashkëpunëtorët e tij të dorëhiqen.

“Hallet më të mëdha të Edi Ramës janë Belinda Balluku dhe AKSHI”, tha Kuçana.

Ajo pretendoi gjithashtu se ka pasur një kontroll në Kryeministri, ku janë sekuestruar dokumente nga drejtësia.

“Sfidoj publikisht Edi Ramën dhe zyrtarët në Kryeministri të mohojnë ose jo nëse janë sekuestruar dokumente të rëndësishme”, u shpreh ajo.

kucana dhe hasimja

Kuçana: Ka tensione brenda PS! Një grup socialistësh janë shkëputur, së shpejti bëhet publike

Duke folur për situatën politike në opozitë me protestën e 20 shkurtit dhe atë brenda mazhorancës, për të cilën kërkohet dorëheqja dhe qeveri teknike që të shkojë drejt zgjedhjeve të reja, Kuçana deklaroi se tani ka edhe një grup brenda socialistëve që janë të pakënaqur me partinë e tyre dhe së shpejti do dalin publikisht.

“I them profesorit (Ermal Hasimes) që te tryeza e opozitës të ftojë edhe një grup të PS që janë shkëputur nga grupi socialist dhe t’i ftojmë në tryezë. Ka një grup që do bëhet së shpejti dhe do kemi zhvillime e lëvizje. Ka tensione të brendshme në PS. Ka grup opozitar brenda mazhorancës. I përshëndes dhe inkurajoj të gjejnë kurajon politike”, tha ajo.

Dhe më tej vijoi:

“Së shpejti do bëhet publike, janë njerëz të pakënaqur me Ramën. Dhe meqë janë ndarë, do të thotë se nuk janë pjesë e tenderëve, ka dhe socialistë të ndershëm, nuk janë të gjithë njëlloj”.

Kuçana bëri apel që protesta e 20 shkurtit duhet të ketë sa më shumë pjesëmarrje qytetare, duke i ftuar të gjithë shqiptarët dhe partitë opozitare të bashkohen.

“Me rëndësi është që partitë opozitare të bashkohen drejt një qëllimi të përbashkët dhe që qytetarët t’i bashkohen sa më shumë protestës kundër qeverisë”, tha ajo mes të tjerash.

© Panorama.al

Te lidhura