
Kreu i PS: Kërkohet vullnet politik për Presidentin.
“Nëse do të ishim shumica, do ta zgjidhnim në bashkëpunim me pakicën”
Kreu socialist, Edi Rama, u shpreh i gatshëm të kontribuojë në një proces dialogu për të gjetur konsensus me maxhorancën për Presidentin e ri. Rama shprehet se kërkohet vetëm vullnet politik nga ana e maxhorancës.
Prisni në orët në vazhdim të merrni një ftesë nga Kryeministri Berisha për t’u ulur përsëri në një tavolinë negociatash. Dhe pyetja e dytë: Nëse në raundin e katërt dhe të pestë do të kemi një President jo konsensual, pa konsensusin e Partisë Socialiste, a do të votojë Partia Socialiste për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare?
Ne jemi pakica. Nëse do të ishim shumica, nuk do të ishim ngritur nga tavolina pa i dhënë zgjidhje bashkë me pakicën këtij problemi. Por, si opozitë jemi të gatshëm në çdo moment, mirëpresim çdo ftesë, në çdo format, për të gjetur, përmes çdo forme komunikimi dhe dialogu, zgjidhjen. Është zgjidhja që na intereson, nuk kemi asnjë qëllim tjetër. Për sa u përket dy reformave të tjera, ato janë po ashtu shumë të rëndësishme. Reforma Zgjedhore është prioriteti i prioriteteve në renditjen e detyrave të shtëpisë që na ka vënë përpara Bashkimi Europian. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë guri i fundit i provës për të merituar përqafimin krahëhapur të Bashkimit Europian.
Pas tërheqjes së z. Zaganjori duket se kandidati i vetëm që është në garë, tashmë i vetë-ofruar, është z. Nano. Nëse negociatat midis jush dhe PD-së nisin përmes procesit dhe emri i tij vjen në tryezë, cili do të jetë qëndrimi i PS-së?
Jemi shumë koherente, shumë transparente dhe shumë të qartë. Ne duam konsensus dhe konsensusi gjendet në komunikimin që mundëson dakordësinë mes palëve. Kjo do të thotë se ajo çka është primare është principi bazë i konsensusit dhe pastaj artikulimi i tij është një çështje e dialogut dhe e dakordësisë mes palëve. Partia Socialiste i ka qëndruar dhe i qëndron me konfirmim të plotë të Kryesisë së saj bindjes se çka e çon përpara këtë proces është vënia në dispozicion e numrave në Parlament nga ana jonë për konsensus, asnjë devijim nga kjo linjë e drejtë parimore me fokus te provimi i 12 tetorit në Bruksel.
A do ta votoni një president në qoftë se do të uleni në tavolinë me bisedime me z.Berisha, një President që do të vijë nga jo nga radhët e PD-së, por që të jetë një figurë jo politike, apo propozimi duhet të vijë nga PS-ja. Pyetja e dytë ka të bëjë me raundin e katërt: Nëse do kemi një kandidaturë që do të vijë nga radhët e maxhorancës, a do të jeni të pranishëm në sallën Kuvendit, apo jo?
Ne nuk kërkojmë asnjë ekskluzivitet në autorësinë e emrit të mundshëm që mund të prodhojë një proces dialogu, por kërkojmë vetëm mundësinë për të qenë bashkautorë dhe bashkëpërgjegjës për Presidentin apo Presidenten që do të zgjedhim. Që do të thotë, një kornizë e qartë brenda së cilës palët operojnë në harmoni me interesin që i ul në tavolinë, pa asnjë dyshim e nxjerr emrin e Presidentit apo Presidentes së Republikës. Unë jam absolutisht i bindur për këtë. Është vetëm çështje vullneti politik. Ne nuk bëhemi pjesë e një procesi të njëanshëm. Jemi absolutisht të hapur edhe për të kontribuar.
Nuk e di se deri sa ky vetëdijesim mund t’i çojë në zgjidhjen përfundimtare, por jam i bindur që edhe fakti që sot ne jemi përpara raundit të katërt flet për një situatë që deri një muaj e gjysmë përpara pakkush mund ta parashikonte, në të cilën palët bëjnë përpjekjet e tyre për të mos u bërë përgjegjëse përpara historisë europiane të këtij vendi.
Nëse PD zgjedh me aleatët e saj Presidentin e ardhshëm të Republikës dhe ky do të jetë një kandidat nga radhët e maxhorancës, a do të ketë një moment reflektimi në PS se përse nuk votoi Zaganjorin si kandidat jo politik?
Në rast se ndodh kështu, unë uroj që të mos ndodhë kështu, atëherë PS do të ndjehet shumë keq për faktin se u vra një shans i madh që ishte në duart e të gjitha palëve për të shtyrë përpara Shqipërinë në rrugën e integrimit europian. Më lejoni ta përsëris: Në një moment kur jemi në vigjiljen e diskutimit nëse Shqipëria do ta marrë ose jo statusin e kandidatit, që nuk është as një fletë lavdërimi, as një certifikatë, as një shprehje formale e një stadi të ri për Shqipërinë.
Në fakt, Kryeministri ditën e fundit ka folur shpesh për editorialin tuaj për bashkimin e votave për rrëzimin e qeverisë. A vazhdoni t’i qëndroni editorialit…
Vazhdoj t’i qëndroj. Dhe sa më shumë ai flet, aq më shumë unë them që nuk është keq që të kesh Kryeministrin lexues kaq obsesiv të atyre që shkruan si kryetar i opozitës. Kështu që është një frymëzim i shtuar për editoriale të tjera që do ta lënë Kryeministrin pak pa gjumë, por kjo është detyra jonë, t’i prishim gjumin njëri-tjetrit.
Diskutimet në Kryesinë e PS
Arben Malaj: Qëllimi ynë final në 2013-n janë zgjedhjet. Fitorja jonë e zgjedhjeve nuk mund të arrihet pa unifikuar të gjithë faktorët e majtë. Në këtë aspekt, konkurrimi i Nanos, edhe pse atij i takon për staturën e politikanit dhe të shtetarit që ka treguar, nuk është thjesht se duhet t’i plotësojmë ndonjë dëshirë Nanos, por duhet parë dhe në funksion të unifikimit dhe të bashkimit të të gjithë faktorëve të majtë në funksion të 2013-s.
Që të fitohen zgjedhjet, nuk do të jetë e lehtë, por dhe qeverisja në kushtet e krizës së përgjithshme nuk do të jetë e lehtë, prandaj ne na duhen faktorë sa më konstruktivë që të bashkëpunojnë me qeverisjen tonë të ardhshme. Berisha, në 2004-n doli mbi vetveten, i bashkoi të gjithë ata që ishin larguar nga PD-ja.
Sajmir Tahiri: S’kemi pse të merremi me emra. Nuk duhet kandiduar Nano, të gjithë i njohim qëndrimet që ai ka mbajtur ndaj PS-së.
Arben Malaj: Aleancat nuk bëhen vetëm mbi bazë numrash, por dhe vlerash historike. Keni 3 vjet që nuk keni lënë gjë pa thënë për Metën dhe LSI-në dhe sot jemi shumë të gatshëm të bashkëpunojmë. Përse gjithë ky frenim dhe qëndrim negativ për të mbështetur Nanon, edhe për shkak të gjithë atyre që thashë më lart? Ai ka pjesën e vet në historinë e PS-së dhe këtë nuk mund ta fshijë njeri. Unë kam qenë për të bërë një bashkim të të gjithë të majtës, dhe jo të pjesshëm të saj.
Erjon Braçe: Ne na duhet kohezioni për të fituar zgjedhjet. Duhen peshuar mirë të gjithë faktorët dhe aktorët e së majtës dhe të mos ecim me lëvizje të çastit. Në 2011-n, të gjithë e nënvleftësuan Hysni Milloshin në garën për Bashkinë e Tiranës. Por, ai mori 1500 vota dhe bëri që të humbim Bashkinë më të madhe. Nuk duhet nënvlerësuar askush.
Arben Ahmetaj: Ne kemi qenë konsekuentë dhe duhet të vazhdojmë të jemi në qëndrimet tona. Tani që u tërhoq Zaganjori hapet mundësia për një rinegocim për një kandidaturë konsensuale. PS ka detyrën që të jetë e vëmendshme në orët që mbeten deri të hënën, sepse ka shumë skenarë që shkojnë nga pranimi i një tryeze për kandidaturë konsensuale e deri te një kandidaturë e maxhorancës, apo dhe e PD-së. Ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm për të gjitha zhvillimet. Kryesia duhet të mblidhet dhe të vendosë për çdo eventualitet. Në varësi se si shkon procesi ne duhet të këmbëngulim për një President konsensual, pa përjashtuar asnjë emër nga çdo fushë, nga politika, jurisprudenca e fusha të tjera. Presidenti i ri duhet të garantojë statusin e vendit kandidat dhe zgjedhjet e 2013-s. PS ka arritur deri më sot që kandidatura për President të jetë përtej Kryesisë së PD-së. Kjo është një arritje.
Bashkim Fino: Për mua, Presidenti duhet të jetë politik dhe jo jashtë politikës. Nëse do të zgjidhet një President jashtë politikës, kjo do të jetë një disfatë e klasës politike që nuk arrin të zgjedhë një President brenda saj, por dhe një dështim në ndërtimin e besimit mes palëve politike.
Besnik Bare: Praktikisht ne duhet të shkojmë tek emrat, pasi të caktohet procesi. Ne duhet të kemi një set me emra, të diskutuar paraprakisht dhe të miratuar në forumin tonë, emra që duhet të vijnë nga të gjitha fushat, politika, jurisprudenca, akademikë etj. e të mos shkojmë në tryezë për të paraqitur emra, por për të kërkuar një konsensus. Berisha me kandidaturën e Zaganjorit penalizoi të gjithë procesin. Faktori ndërkombëtar mund të mos gjente ndonjë defekt tek emri i maxhorancës, por procesi u kompromentua, duke e bërë të njëanshëm. Mendoj se PD-ja mund të vijë me një kandidaturë tjetër të ngjashme me Zaganjorin në një tryezë, nëse e ka seriozisht se do të bëjë negociata.
Batuta e Dades: E gatshme të kandidoj
Anëtarja e Kryesisë socialiste, Arta Dade, nuk ka munguar me batutat e saj në mbledhjen e djeshme, e cila deri në atë moment kishte marrë rritur temperaturat. Dade, në diskutimin që po zhvillohej, rreth mundësisë së paraqitjes nga PD të një kandidati politik, anëtar të Kryesisë së PD-së, u tregua e gatshme ta sfidonte. “Nëse ata nxjerrin një kandidat nga Kryesia e PD-së, unë jam gati të vë në dispozicion emrin tim për kandidim. Nëse PD vjen me një kandidaturë politike, le të hyjmë në garë dhe të shohim se si do të dalim”, mësohet të jetë shprehur Dade.
© Panorama.alKryesia e PS: Ruçi të takohet me Patozin për negociata me PD
Diskutimet në mbledhje: Të bashkojmë gjithë të majtën
Kryesia e Partisë Socialiste mandatoi dje Gramoz Ruçin për të negociuar me kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, për të përgatitur tryezën Rama-Berisha. Gjatë mbledhjes së djeshme, e cila zgjati mbi 2 orë, Rama ka kërkuar nga anëtarët e saj që të shprehin mendimin e tyre rreth qëndrimit që duhet të mbajë PS në raundin e katër dhe të pestë për Presidentin. Kreu socialist vetëm në fund të saj ka bërë një përmbledhje të qëndrimeve, duke e përkufizuar atë dhe si pozicion të kryesisë, vullnetin e PS-së për të vazhduar negociata në përpjekje për të gjetur një President konsensual. Por, Kryesia nuk hodhi në tryezë asnjë emër, përveç Arben Malajt, i cili kërkoi mbështetjen e Fatos Nanos në kandidimin e tij për President. Malaj e ka parë këtë mbështetje dhe si shenjë të afrimit dhe bashkimit të së majtës. Por, deputetët gjatë fjalës së tyre kanë kërkuar që PS duhet të jetë e përgatitur për çdo propozim që mund të vijë nga maxhoranca, me emra nga të gjitha profilet, si ai politik, ashtu dhe akademik, apo nga fusha e jurisprudencës. Bashkim Fino ka këmbëngulur në profilin politik të Presidentit, pasi në të kundërt, sipas tij, kjo do të konsiderohej dhe si dështim i klasës politike në vend.











