Ëndrra vazhdon. Fuqia e ëndrrës që na frymëzoi në këtë betejë tërësisht të pabarabartë, është më e madhe se e gjithë stërfuqia që na u vu përballë. Fuqia e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi është më e madhe se e gjithë stërfuqia e pushtetit të frikës, parasë, manipulimit. Fuqia e Aleancës sonë për të Ardhmen u provua, më e madhe se e gjithë stërfuqia që bashkoi kundër nesh çdo forcë të së shkuarës.
Kjo nuk është fitorja ime e parë, por më shumë se asnjëherë më parë fitorja është një burim reflektimi për mua, që sot si asnjëherë ndiej peshën e borxhit ndaj çdo shqiptari, që besoi tek kandidatët tanë duke i votuar dhe po njësoj edhe ndaj çdo qytetari këtu në Tiranë, që nuk më votoi duke më sprovuar. U them pa dallim të gjithëve, anë e mbanë Shqipërisë, duke filluar nga Tirana, se çdo zgjedhës i yni, i imi, ka fituar dhe as zgjedhësit që nuk na kanë votuar, nuk kanë humbur.
Lejomëni t’ia kushtoj këtë fitore familjes sime të mrekullueshme, nënës sime, gruas sime, dy fëmijëve, ashtu si çdo familje të zakonshme të këtij vendi, që sot vuan, shpreson, ëndërron, pavarësisht se nga vjen, ku beson, për kë voton. Lejomëni po ashtu të përqafoj nga larg, kështu siç më vjen, jetimët e 21 janarit. S’kam fjalë, nuk gjej dot fjalë, por do të duhej edhe një kohë pambarimisht e gjatë për të falënderuar të gjithë ata që luftuan bashkë me mua dhe fituan edhe për mua. Këtë betejë historike për një Shqipëri që sot është më shumë se kurrë e të gjithëve dhe kurrë më nuk mund të jetë vetëm e disave.
Ju them të gjithëve përulësisht, ju dua me gjithë fuqinë e zemrës faleminderit, faleminderit, faleminderit. Për mua ishin vetëm 10 vota, për të gjithë ata që luftuan me mua ishte nota 10. Faleminderit me zemër edhe në emrin tuaj, përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar në Shqipëri, posaçërisht ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, ambasadorit të Bashkimit Europian, ambasadorit të Mbretërisë së Holandës, ambasadorëve të tjerë si edhe misionit të ODHIR-it, që i qëndruan pranë Shqipërisë në një udhëkryq jashtëzakonisht të vështirë duke ndikuar me praninë e tyre të pazëvendësueshme gjatë numërimit në mbrojtjen e votës së qytetarëve, pa dallim.
Sot është dita për të festuar, duke e ndarë gëzimin me çdo qytetar të zakonshëm të këtij vendi, ka votuar ose jo për ne. Nesër është dita për të vazhduar falënderimet dhe reflektimet mbi fitoren që kurrë s’ka ardhur më e madhe në oborrin e Partisë Socialiste. Ëndrra vazhdon.
EDI RAMA











