Rama: Do t’i heqim taksat për ushqimet sapo të vijmë në qeveri

Nov 1, 2011 | 12:01
Edi Rama dje gjate tryezes se PS per drejtesine

Kryetari i PS-së, Edi Rama, duke folur dje para deputetëve socialistë tha se programi i ri i PS-së do ta sjellë fitoren në 2013-n. Duke dhënë disa nga momentet më të prekshme për qytetarët, Rama tha se heqja e TVSH-së do të ulë koston e jetesës së shqiptarëve. “Propozimi ynë për heqjen e taksës që qeveria ua merr qytetarëve për bukën, qumështin, vezët dhe ilaçet, për uljen në 6% të taksës që qeveria ua merr qytetarëve për çdo faturë dritash, si dhe për heqjen e taksës që qeveria u merr bujqve e fermerëve për inputet bujqësore, ka ngjallur shumë interes. Do vazhdojmë ta ngremë zërin fort dhe do t’i shpjegojmë me durim të mirat që ka kjo politikë e re me TVSH-në për xhepin e çdo familjeje të zakonshme shqiptare, në qytet apo në fshat. Me këto masa radikale të domosdoshme, ulja e kostos të jetesës së familjeve të zakonshme do të jetë shumë e ndjeshme. Ne do ta bëjmë atë realitet sapo të vijmë në qeveri”, u shpreh Rama. Duke vijuar me çështjen e taksave, Rama tha se PS do t’i heqë taksat për inputet bujqësore.
“Dua të sqaroj se këto që propozojmë s’kanë asnjë lidhje me akuzat dhe shpifjet e Saliut, i cili i refuzon sepse nuk ia ndjen hiç për Shqipërinë që jeton jashtë oborrit të pushtetit tij. Këto janë të gjitha masa që u shërbejnë drejtpërdrejt njerëzve të zakonshëm. Atyre që mbushin listat e borxheve në dyqane dhe paguajnë taksë 20 % për çdo kafshatë bukë, për çdo gllënkë qumësht, për çdo kokërr vezë, për çdo aspirinë. Këto taksa duhen hequr. Ne do t’i heqim! Do të heqim dhe taksën e inputeve bujqësore që sot u kushtojnë bujqve e fermerëve sa qimet e kokës dhe nuk do ta prekim TVSH-në e prodhimeve të fushës, siç gënjen Saliu, sepse do t’i mbrojmë dhe stimulojmë këto prodhime duke mbrojtur e stimuluar fshatin shqiptar, që sot është në mëshirë të fatit”, u shpreh Rama, duke i kthyer në këtë mënyrë dhe përgjigje akuzave të Kryeministrit Berisha. Kryesocialisti falënderoi gjatë fjalës së tij sekretarin ligjor të PS, Fatmir Xhafajn, për organizimin e shkëlqyer, sipas tij, të tryezës publike mbi drejtësinë në sfidën e integrimit. “Ishte një aktivitet shumë cilësor, gjithëpërfshirës e kuptimplotë, ku mungesa e palës tjetër mbeti e pajustifikuar”, u shpreh Rama.

Rama uron Tahirin për ditëlindjen
Kreu socialist në fund të fjalës së tij uroi ditëlindjen e kryetarit të komanduar të PS-së së Tiranës, Sajmir Tahiri, për ditëlindjen e tij. “Së fundi, i uroj gëzuar ditëlindjen nënkryetarit të grupit, Saimir Tahiri”, u shpreh Rama në përfundim të fjalës së tij. Më 30 tetor, Tahiri mbushi 32 vjeç, ndërsa ka marrë urime gjatë këtyre ditëve nga deputetët socialistë.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura