AGIM BAÇI
Edi Rama ka gjetur një mënyrë të re në sistemin demokratik për t’u bërë Kryeministër: të presë i qetë pa asnjë lloj konkurrimi në PS, deri sa kjo parti të fitojë zgjedhjet. Kjo duket më së fundi edhe nga modeli i paralajmëruar i përjashtimeve të kundërshtarëve të hapur si Islami e Harasani, i ngushtimit të veprimeve të rrethit të kritikëve, si Malaj, si dhe i krijimit të një grupi të sigurt në parti, që nuk do të kërkonte në asnjë moment largimin e tij nga drejtimi i PS-së, edhe nëse humbja në zgjedhje do të përsëritet.
Dhe me këtë sistem partiak që ka zgjedhur, është e sigurt se ai do të bëhet një ditë Kryeministër. Por çfarë partie mund të jetë PS, nëse do të ndjekë pambarimisht këtë model, pa asnjë konkurrim dhe pa individualitete? Sepse ky model, i zyrtarizuar më 2009-n, kur u gjet rrugëzgjidhja për të thyer statutin e për të vazhduar të ishte në krye, pavarësisht se nuk e solli PS-në në pushtet, e më pas edhe me humbjen më të fundit në zgjedhjet lokale, rrezikon të kthehet në një normë, duke dëmtuar në mënyrë të pandreqshme jetën e brendshme në parti, duke e kthyer PS-në në vitet kur kishte emër tjetër “Partia e Punës”.
Mungesa e hapur e konkurrencës, që ka dominuar vitet e fundit PS-në, mbyt mendimin ndryshe, pra demokracinë e brendshme, e cila në bazë të saj ka konkurrimin, ka dinamizmin, ka ndryshimin. Dhe, nëse një parti nuk mundet që as në opozitë të ketë mendim ndryshe, që të ketë debate, nuk mbetet asnjë shpresë që do të ketë individualitete, që do të ketë alternativa mendimesh nëse vjen në pushtet.
Edi Rama e ka mbështetur qëndrimin e tij të palëkundur në krye të socialistëve, duke mos përfillur statusin, me pretendimin se PS e drejtuar prej tij është partia më e votuar në vend. Por kjo gjë e rëndon edhe më shumë pozitën e kreut socialist, i cili nuk mundet të shpjegojë se si ka mundësi që ka një parti më të votuar se kundërshtari, por nuk vjen dot në pushtet! Madje, humb edhe atë vend që e drejtonte vetë, Bashkinë e kryeqytetit, nga ku edhe kish ndërtuar gjithë fushatën e tij për ardhjen në krye të PS-së.
Me të drejtë, mund të pyesin si socialistët, edhe bashkëqytetarë të tjerë: Përse e kërkojmë këtë demokraci në opozitë, ndërkohë që duhet t’i kemi sytë te maxhoranca?
Logjika është fare e thjeshtë – sistemi ku jetojmë ka vlerë pikërisht nga funksionimi real i opozitës, pra qëndrimi përballë maxhorancës i një force alternative, që i tregon fituesit të radhës se e ka humbjen pas dere, nëse nuk i përgjigjet interesit të qytetarëve për gjërat që kërkojnë ata dhe për gjërat që ka premtuar. Forca dhe alternativat e opozitës, së bashku me zërat e shoqërisë civile dhe mediat, janë forca më e madhe e shoqërisë për të bërë qeverinë të përmirësojë punën, pasi përndryshe qytetarët kanë alternativën tjetër përballë. Por, afërmendsh që presion pozitiv mbi qeverinë mund të bëjë pikërisht opozita e jo qytetarët, edhe pse këta të fundit mund të kenë boll kontestime lidhur me politika të ndryshme të qeverisjes. Sepse, fuqia individuale mund të mos përputhet as me statusin individual e as me tempullin ku duhet ta thotë. E vetmja që e ka armën e një kontrolli real mbi atë çka bën qeveria është opozita, e cila ka podiumet dhe mediumet për ta thënë, duke përdorur çdo institucion të mundshëm demokratik.
Por, për të bërë këtë lloj opozite, së pari duhet të japësh alternativa dhe se do të njohësh institucionet, se do të jesh pjesë e debatit atje ku edhe të është dhënë vota për të qenë në Kuvend. Mirëpo, Rama ka gjetur rrugën për ta mbajtur partinë brenda mureve të selisë, duke e shmangur PS-në nga të qenët alternativë. Dhe, fatkeqësisht, strategjia që ka zgjedhur është ajo e ndëshkimit të kujtdo që kapërcen “kufirin” e kritikave.
Ndërkaq, duke paralajmëruar përjashtime, Rama njëkohësisht paralajmëron edhe dështime të mundshme me aleatët e majtë, nëse do të kërkojë të tillë për të zgjeruar bazën e opozitës. Dhe dëmi i kësaj politike nuk është thjesht ardhja e socialistëve në pushtet, por varrosja e një prej thesareve që ka sistemi demokratik- konkurrencën dhe dinamizmin partiak,- që më vonë është bazë për dinamizëm dhe konkurrencë në qeverisje. Deri më tani, Rama nuk ka treguar se di t’i japë kësaj “makine”, për të mbërritur në kolltukun e Kryeministrit.
Ndërkohë, edhe më trishtuese do të ishte po të krahasonim rezultatet për të njëjtën periudhë drejtimi në PS mes Ramës e Fatos Nanos. Ky i fundit, në periudhën ‘92-‘97, arriti të fitonte zgjedhjet lokale të korrikut ’93, të shënonte fitore duke kundërshtuar Kushtetutën e vitit 1996 (madje duke qenë në qeli), si dhe të vinte më pas në pushtet. Ndërkohë që Rama prej pesë vitesh ka dështuar (vetëm humbje), madje duke deklaruar edhe vetë se drejton një parti më të votuar sesa në kohën e Nanos!!!











