Rama, Berishës: Përmirësim sistemit zgjedhor

Jan 13, 2012 | 12:45

TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama i ka bërë apel kryeministrit Berisha të mbajë premtimin e dhënë 100 herë se do të pranojë cdo propozim të opozitës për reformën zgjedhore, duke i kërkuar të konsiderojë përmirësimin e sistemit zgjedhor, në dobi të vendit, shoqërisë dhe politikës.

Në një deklaratë për mediat, në nisje të mbledhjes së grupit kuvendor, Rama ka garantuar maxhorancën të mos friket për prishje të marrëveshjes, pasi sipas tij, marrëveshja nuk është me ta, por me shqiptarët që e duan Shqipërinë si Europa dhe me Europën që e ka thënë qartë se cfarë do nga opozita.

“I bëj sot apel kreut të palës tjetër, për ta konsideruar përmirësimin e sistemit si dobiprurëse për vendin, shoqërinë, politikën. Nëse në 100 vjet shtet dhe 20 vjet liri nuk kemi arritur tu japim shqiptarëve të drejtën e votës, ne duam ta kthejmë këtë vit në atë të ndarjes përfundimtare nga  realiteti i vjedhjes së zgjedhjeve për të vjedhur vendin”- tha Rama.

Ai ka kërkuar reformë brenda afatit të përcaktuar, që të adresojë rekomandimet e OSBE, lista të sakta e pa manipulim, identifikimi i zgjedhësve, numërimi i votave që të mos përsëriten numërimet maratonë, administratë zgjedhore që KQZ të mos jetë monopol i dy partive të mëdha.

“Duam reformë zgjedhore që të adresojë rishikimin e sistemit, duke e prekur ose jo Kushtetutën, me këtë nuk nënkuptojnë ndryshimin, por përmirësimin e tij”- tha Rama.

© Panorama.al

Te lidhura